Kosova në rrezik të izolimit, alarm që nuk duhet injoruar

Kosova në rrezik të izolimit, alarm që nuk duhet injoruar
Kosova në rrezik të izolimit, alarm që nuk duhet injoruar

Isuf Bajraktari

  • 16 August 2025 - 16:03

Nga Isuf Bajraktari 

Pjesa I: Paralele historike dhe izolimi si instrument politik


Historia politike moderne ofron mësime të qarta për fatin e shteteve që humbin besimin dhe përkrahjen e aleatëve strategjikë.
Një prej këtyre mësimeve lidhet me strategjinë perëndimore të izolimit dhe mospërkrahjes ndaj regjimeve që perceptohen si jomiqësore
ose destruktive për rendin ndërkombëtar. Ky mekanizëm është aplikuar kundër fuqive të mëdha si Bashkimi Sovjetik dhe Kina,
por edhe ndaj shteteve të vogla, ku efektet kanë qenë të menjëhershme dhe të rënda.

Rasti më i afërt në kujtesën historike shqiptare është ai i Shqipërisë komuniste, e cila për dekada u bë simboli i izolimit ekstrem
në Evropë. Për shkak të politikave të saj ideologjike dhe konfrontuese, Shqipëria u shndërrua në vendin më të varfër, më të harruar
dhe më të izoluar të kontinentit. Pasojat e atij izolimi u ndjenë menjëherë pas rënies së komunizmit dhe, në një masë të caktuar,
vazhdojnë të ndikojnë ende sot.

Izolimi politik nga Perëndimi nuk është vetëm një dënim diplomatik. Ai shoqërohet me pasoja ekonomike, rënie të investimeve, dobësim
të institucioneve dhe rritje të emigracionit. Në rastin e Shqipërisë komuniste, udhëheqja iu përgjigj këtij izolimi duke kultivuar
një nacionalizëm të brendshëm dhe retorikë antiperëndimore. Kjo i shërbeu pushtetit afatshkurtër, por i kushtoi vendit humbjen e
çdo perspektive zhvillimi.
 

Pjesa II: Kosova sot dhe rreziku i përsëritjes së historisë


Në dekadën e tretë të shekullit XXI dhe në dekadën e dytë të pavarësisë, Kosova po përjeton një përmbysje të rrezikshme të pozitës
së saj ndërkombëtare. Prej afro dy vitesh, vendi është nën masa ndëshkuese nga partnerët kryesorë perëndimorë dhe ka humbur nivelin
e lartë të përkrahjes që e karakterizonte pas shpalljes së pavarësisë.

Ky është një zhvillim alarmues, sepse për herë të parë që nga paslufta, Kosova nuk shihet më si aleat strategjik i patjetërsueshëm,
por si një partner problematik që po e konsumon kapitalin e tij politik në arenën ndërkombëtare. Në agjendën transatlantike, çështja
e Kosovës ka shënuar prapakthim dhe nuk zë më vendin që kishte dikur.

Në vend që të punohet për rivendosjen e besimit me aleatët, skena politike në Kosovë ka përqafuar një qasje të ngjashme me atë që
ndoqi Shqipëria komuniste: mobilizimin e nacionalizmit të brendshëm. Kjo qasje ka filluar të ndikojë në një brez të ri, kryesisht të
lindur gjatë ose pas luftës, të cilit po i injektohet një narrativë e shtrembëruar dhe shpesh armiqësore ndaj SHBA-së dhe vendeve
demokratike perëndimore që dikur ishin shpëtimtarë dhe garantë të lirisë së Kosovës.

Nëse ky trend vazhdon, Kosova rrezikon të përballet me një formë të izolimit që mund të jetë edhe më e rëndë se ajo që përjetoi
Shqipëria komuniste, jo për shkak të përplasjeve ideologjike të vetëdijshme me Perëndimin, por për shkak të gabimeve të përsëritura
politike, kokëfortësisë ideologjike dhe mungesës së pragmatizmit shtetformues.

Kosova ka ende mundësi të rikthejë besimin e aleatëve dhe të shmangë rrëshqitjen drejt margjinalizimit të plotë. Por për këtë,
nevojitet një kthesë strategjike e qartë: nga retorika emocionale te diplomacia e matur, nga nacionalizmi i brendshëm te partneriteti
i përgjegjshëm ndërkombëtar. Sepse, siç e tregon historia, tupani gjithmonë rreh për ata që marrin vesh, por ata që nuk e dëgjojnë
mbeten vetëm me jehonën bosh të izolimit të tyre.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".