Kush po e saboton Republikën?

Kush po e saboton Republikën?
Kush po e saboton Republikën?

Qani Shabani

  • 18 August 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani

Nga jashtë, duket si një krizë parlamentare. Por ajo që po ndodh në Kosovë është shumë më tepër: është sabotim i qëllimshëm i funksionalitetit shtetëror, i veshur me kostum procedural dhe i justifikuar me pretekste politike.

Kuvendi i Kosovës nuk është duke funksionuar. Jo sepse nuk ka vota, por sepse nuk ka vullnet. Jo sepse mungon kuadri ligjor, por sepse mungon përgjegjësia politike. Në vend të një gare idesh, kemi një konflikt egosh. Në vend të përfaqësimit të qytetarëve, kemi përfaqësim të interesave personale dhe partiake.

 

Në qendër të krizës është Vetëvendosja, fituese relative e zgjedhjeve, e cila ka humbur shumicën por nuk pranon të humbasë kontrollin. Ripropozimi mbi 50 herë i të njëjtës kandidaturë për kryetar Kuvendi nuk është politikë – është shantazh procedural. Është bllokadë e qëllimshme, që synon zvarritjen e afatit kushtetues për të shtyrë vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Jo për zgjidhje, por për ri-shans pushteti.

 

Po aq e papërgjegjshme është edhe opozita. Në vend se të dalë me platformë për dalje nga bllokada, ka zgjedhur rolin e kundërshtarit pasiv, që refuzon gjithçka pa ofruar asgjë. E gjithë klasa politike sillet si në një duel fëmijësh, ku kush i mban inat më shumë tjetrit, fiton. Në këtë duel, humbësi i vetëm është shteti dhe qytetari.

 

Më shqetësues është rreziku që Vetëvendosja të mos e njohë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka përcaktuar afatin për konstituimin e Kuvendit. Nëse kjo ndodh, nuk kemi më krizë politike – kemi përplasje me rendin kushtetues. Dhe nga ajo pikë, rrëshqitja është e rrezikshme: nuk do të diskutojmë më kush qeveris, por nëse kemi ende Republikë funksionale.

 

Zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje. Nëse mbahen në këtë klimë politike, do të prodhojnë më shumë bllokadë, më shumë radikalizëm dhe më shumë zhgënjim qytetar. Sepse nuk kemi krizë votash – kemi krizë karakteri politik.

 

Zgjidhja është e thjeshtë në teori dhe e vështirë në praktikë: vullnet për kompromis, guxim për të bashkëqeverisur dhe ndërgjegje për të mos e përdorur shtetin si instrument të lojërave partiake. Vetëvendosja duhet të ndalë lojën me kohën dhe të tregojë nëse është forcë qeverisëse apo thjesht makinë elektorale. Opozita duhet të dalë nga koma politike dhe të sillet si faktor zgjidhjeje, jo vetëm si front refuzimi.

 

Presidentja e Republikës nuk mund të jetë spektatore në këtë dramë. Kushtetuta nuk e parashikon heshtjen e saj në kohë krize. Ky është momenti për ndërhyrje aktive dhe për përdorim të autoritetit moral e institucional.

Shoqëria civile dhe mediat duhet të protestojnë për normalizimi e kësaj situate. Çdo ditë që kalon në këtë gjendje, është një ditë më afër delegjitimimit të sistemit, dhe një hap më larg nga ideja e një Republike funksionale.

Në fund të ditës, në lojë nuk është vetëm një mandat. Është shteti vetë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".