
Kosova dikur arriti të bashkonte idealizmin sokratik me pragmatizmin trasimakian


Isuf Bajraktari
Historia e Kosovës dëshmon se drejtësia triumfon vetëm kur idealizmi dhe fuqia ecin bashkë. Sot, në një botë që po kërkon rend të ri, pyetja është: a do t’i ribashkojmë Sokratin dhe Trasimakun?
Nga: Isuf Bajraktari
Kosova dikur arriti të bashkonte idealizmin sokratik me pragmatizmin trasimakian, duke sjellë mrekullinë e vitit 1999. Sot, ndërsa bota po hyn në një rend të ri demokratik, rrezikojmë të mbetemi vetëm me fjalë për të drejtën, pa fuqinë që e mbron atë.
Në Shtetin e Platonit, Sokrati e sheh drejtësinë si të mirë universale, ndërsa Trasimaku këmbëngul se ajo është vetëm interesi i më të fortit. Ky debat i lashtë nuk është thjesht akademik, ai përshkon edhe fatin e Kosovës.
Në kohën e Presidentit Ibrahim Rugova, Kosova arriti një ekuilibër të rrallë: idealizmi sokratik për paqe dhe drejtësi u shoqërua me pragmatizmin trasimakian të diplomacisë dhe organizimit politik. Kjo përputhje solli mrekullinë e vitit 1999, momentin kur drejtësia e popullit tonë u mbështet nga fuqia ndërkombëtare.
Njëzetepesë vjet më vonë, Kosova shpesh duket e mbërthyer vetëm në njërën anë. Retorika jonë është sokratike: flasim për të drejtën historike, sakrificat dhe moralin e lirisë. Por mungon forca trasimakiane për ta bërë këtë drejtësi të padiskutueshme. Pragmatizmi i ditës shpesh ngushtohet në interesa partiake, pa vizion shtetëror.
Bota po hyn në një periudhë të re, ku fuqitë ripozicionohen dhe rendi demokratik është në krizë. Kosova nuk mund të presë që mrekullitë të përsëriten. Duhet të ribashkojmë idealin dhe forcën: të kemi vizion politik, institucione të forta, ekonomi të qëndrueshme dhe diplomaci të mençur. Vetëm kështu drejtësia jonë do të ketë garanci reale.
E ardhmja i ngjan ditës: ajo i takon atyre që çohen herët. Pyetja për Kosovën sot është e qartë: a do të zgjohemi në kohë për të ribashkuar Sokratin dhe Trasimakun, apo do të mbetemi as pa fuqinë, as pa drejtësinë?
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".