Pajisja e ushtrisë me autoblinda amerikane, na bën të ndihemi krenar për SHBA-të

Pajisja e ushtrisë me autoblinda amerikane, na bën të ndihemi krenar për SHBA-të
Pajisja e ushtrisë me autoblinda amerikane, na bën të ndihemi krenar për SHBA-të

Gani Qarri

  • 20 August 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke parë se fatmirësisht Kosova është shteti më stabil dhe me demokracinë më të konsoliduar në rajon, të vetëdijshme se rritja e kapaciteteve mbrojtëse, është hap kyç për sigurinë e vendit, ato me dëshirën që ta përgatisin dhe forcojnë edhe ushtrinë e saj, me mjete e pajisje sa më moderne, në mënyrë që Kosova si shtet i pavarur, përveç stabilitetit të brendshëm, të kontribuojë edhe në stabilitetin politik e ushtarak në rajon, po tregohen gjithnjë e më të përkushtuara edhe me mbështetje konkrete të vendit tonë, të cilat këto ditë i dhuruan Kosovës edhe 50 autoblinda ushtarake për modernizimin e ushtrisë së shtetit tonë të ri.

 

-Ky akt tregon qartë se ShBA-të mbeten thellësisht të përkushtuara për stabilitetin në Kosovë dhe dëshmon se në rast të ndonjë kërcënimi apo rreziku që mund të cenonte stabilitetin e Kosovës, ShBA-të, përsëri do të veprojnë, shembull sublim i cili forcon edhe më shumë besimin reciprok, si dhe thellon edhe më tepër raportet e gjithanshme Kosovë-SHBA!


Edhe në ceremoninë festive të pranim-dorëzimit të autoblindave nga SHBA, përveç kryeministrit në detyrë z.Albin Kurti, Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës z.Ejup Maqedonci, Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari etj, ishte i pranishëm edhe Atasheu ushtarak amerikan në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nënkolonel Jonathan Shaë, akt që flet shumë qartë, se siç festohet me shumë dashamirësi e sinqeritet 4 korriku nga shqiptarët njëjtë siç festojnë SHBA-të, ashtu edhe forcimi i ushtrisë dhe avancimi i shtetësisë së Kosovës, në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, mbështet në vijimësi e pa kushtëzime rënduese nga miku ynë më i fuqishëm në botë, si dhe çdo arritje e Kosovës, festohet ngrohtësisht nga të dy palët, nga Kosova dhe SHBA-të!!!

Kështu që për Kosovën, qytetarët e saj, si dhe vet Qeverinë Kurti, ditëve të fundit, dy ishin lajmet më të rëndësishme, madje do të thoja-tepër të mira dhe fantastike edhe për çështjen e forcimit të sigurisë së Republikës së Kosovës, si hulumtimi i publikuar i organizatës amerikane Gallup, mbi rritjen domethënëse të mirëqenies së qytetarëve në Kosovë dhe çështja e pajisjes të ushtrisë së Kosovës me autoblinda amerikane, dy të arritura shumë kuptimplota dhe vërtet të mëdha, që na bëjnë të ndihemi pafundësisht krenar me SHBA-të dhe shtetin tonë të ri- Kosovën tonë pavarur.

Përveç arritjes së autoblindave, Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Mbrojtjes me në krye ministrin shembullor Ejup Maçedonci, i cili po shkëlqen me punën e tij shumë të vyer dhe angazhimin vetëmohues, është në pritje të arritjes edhe të 246 Javelinëve, raketave anti-tankiste dhe kundërajrore, kurse në marrëveshjen e nënshkruar trepalëshe Kosovë, Shqipëri, Kroaci është vendosur që të tria shtetet të blejnë bashkërisht armatim bashkëkohor amerikan, për modernizimin e armatimit dhe pajisjen e ushtrive të veta, me llojet më efektive të armatimeve, që siguron mbrojtjen me sukses nga armiqtë e jashtëm, garanton kufijtë shtetëror dhe mbron hapësirat e tyre territoriale, duke e ditur se veçanërisht për Kosovën dhe Kroacinë ngritja e gatishmërisë mbrojtëse, është domosdoshmëri për përballimin me suksese të agresionit të mundshëm nga Serbia, si shteti me tendencat më agresive në rajon dhe pretendime të hapura territoriale ndaj të dy vendeve tona.

Prandaj edhe nëse nga opozita e inkriminuar, pretendohet përsëri me shkelmime dhe britma deri në kupë të qiellit, se edhe të arriturat më të reja, "nuk" janë meritë e Qeverisë Kurti, por e arritur e musketarëve të burgosur nën akuzat për vrasje, maltretime dhe keqtrajtime çnjerëzore, çështje parësore për shtetin e Kosovës, është ky fat kaq i madh, që mu në këto kohë të trazuara politike, pikërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin Kosovën me 50 automjete të blinduara të sigurisë (ASV), akt shumë domethënës për vendin tonë, për të cilin ka shkruar edhe ambasada amerikane, duke sqaruar se kjo përbën edhe një hap tjetër drejt angazhimit të përbashkët, për forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse.

Në anën tjetër, sipas organizatës amerikane Gallup e pajisur me teknologjinë më moderne dhe me seli në Washington, misioni i të cilës është bërja publike e mendimit të masave, asnjë shtet në botë nuk ka shënuar ndryshim më të madh sesa Kosova, ku përqindja e qytetarëve të kënaqur për standardin e jetës, liritë personale dhe mirëqenien e fëmijëve, është rritur nga 11 në 51 për qind, hulumtim ky i publikuar në fund të korrikut, i cili dëshmon se si vet qytetarët e Kosovës e vlerësojnë jetën e tyre, akt që konsiderohet edhe si matësi më i rëndësishëm i progresit dhe përmirësimit grandioz të jetesës së njerëzve tanë, derisa një dekadë më parë vetëm 10 % e njerëzve mendonin se jetojnë më mirë, kurse vitin e kaluar, mbi gjysma e qytetarëve të Kosovës deklaruan se jeta e tyre po ecën shumë mirë, e që sipas Qendrës amerikane të Kërkimeve Gallup nuk e ka arritur asnjë shtet tjetër në botë, akt me të cilin, përveç gëzimit për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, na bënë krenar të gjithëve me mirëqenien e bashkëkombësve tanë dhe të arriturat e shtetit tonë të ri.

Kështu që ngadalë por sigurt, shteti ynë i ri, po forcohet edhe me armatime moderne dhe afrohet me hapa të mëdhenj një standardi të nivelit të nevojshëm ushtarak i cili përfundimisht Kosovën e bënë një faktor vërtetë serioz në rajon, e nga ana tjetër kjo dhuratë e çmuar dhe shumë e rëndësishme për vendin tonë nga miku ynë më i madh në botë-si SHBA-të, bashkë me rritjen e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë, është edhe një veprim domethënës ndaj kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë kundër vendit tonë dhe kundërvënie adekuate ndaj përpjekjeve në rritje, për ndikimin e shtuar rus në rajon.

Në këtë mënyrë, në koordinim të ngushtë me SHBA-të, shteti i pavarur i Kosovës, po përmbush edhe kapacitetet e nevojshme për të mirëmbajtur dhe operuar, me mjete të sofistikuara ushtarake, të SHBA-ve si ASV, e cila siç deklarojnë me optimizëm edhe nga ambasada e SHBA-ve në vendin tonë, në mënyrë shumë të ngrohtë dhe miqësore, “Shtetet e Bashkuara kanë kënaqësinë ti dorëzojnë edhe 50 automjete të blinduara të sigurisë (ASV) për Qeverinë e Kosovës, në kuadër të Programit ‘Excess Defense Article’.

Kështu Kosova jonë, në miqësi dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me SHBA-të, ashtu siç shprehen edhe nga ambasada e SHBA-ve, po bëhet përditë e më të sigurt dhe më të fortë”, e cila me arsye të bazuara dhe optimizëm të fort mbresëlënës, po përdor burimet e veta të mbrojtjes, që t’i bëjë këto automjete plotësisht funksionale, duke shënuar një hap tjetër madhor në angazhimin e përbashkët me SHBA-të, për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe rritjen e sigurisë për të dyja kombet tona, siç ka shkruar edhe ambasada amerikane, si përfaqësuese fuqiplotë e SHBA-ve në Prishtinë!

Edhe në ceremoninë solemne të pranim-dorëzimit të autoblindave nga SHBA, ku përveç kryeministrit në detyrë z.Albin Kurti, Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës z.Ejup Maqedonci,Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës,Gjenerallejtënant Bashkim Jashari etj, mori pjesë edhe Atasheu i Ushtrisë amerikane në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Nënkolonel Jonathan Shaë, Ministri i Mbrojtjes z.Maqedonci, me plotë të drejtë deklaroi se avancimi për transformimin e FSK-së, në një Forcë të fuqishme dhe vërtetë profesionale nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e vazhdueshme nga një partner kaq i fuqishëm strategjik dhe faktor i pazëvendësueshëm ushtarak në botë e rajon si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miku ynë më i madh dhe i përjetshëm për vendin tonë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".