Shabani: ZRRE ka vepruar pa plan dhe pa dialog të thelluar me komunitetin e biznesit

Shabani: ZRRE ka vepruar pa plan dhe pa dialog të thelluar me komunitetin e biznesit
Shabani: ZRRE ka vepruar pa plan dhe pa dialog të thelluar me komunitetin e biznesit

Qani Shabani

  • 20 August 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani

Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë ka nisur gradualisht që prej vitit 2021, në përputhje me direktivat evropiane dhe Ligjin për Energjinë Elektrike. Por prej qershorit 2025, ky proces ka hyrë në një fazë të re është bërë i detyrueshëm për shumë biznese jo-shtëpiake, sidomos ato që kanë më shumë se 50 të punësuar, si ndërmarrjet e mëdha industriale, kompanitë prodhuese, përpunuese dhe të tjera me konsum të lartë të energjisë.

 

-Sipas vendimeve të Zyrës së Rregullatorit për Energji, këto biznese janë detyruar të dalin nga tregu i rregulluar dhe të sigurojnë furnizim me energji përmes tregut të lirë, nëpërmjet kontratave me furnizues alternativë. Megjithatë, implementimi i kësaj mase ka shkaktuar krizë të madhe ekonomike dhe ka përshpejtuar paqartësitë në sektorin privat. Mungesa e një plani tranzicioni të strukturuar dhe mungesa e kushteve reale për zgjedhje kanë prodhuar efektin e kundërt nga qëllimi fillestar i reformës.

Qindra biznese janë shkyçur nga rrjeti për shkak të moskalimit në tregun e lirë, ndërsa mbi një mijë të tjera janë identifikuar për shkyçje të mundshme. Këto veprime janë ndërmarrë në një klimë të paqëndrueshme institucionale, pa ndihmë teknike, pa asistencë për kontraktim dhe pa garanci për mbrojtje nga abuzimi në treg.

Reagimet kanë qenë të fuqishme. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës ka paralajmëruar për humbjen e mbi 22 mijë vendeve të punës, një pasojë që do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e mijëra familjeve dhe në qëndrueshmërinë e ekonomisë vendore. Në deklaratën e saj, Dhoma ka kritikuar ashpër qasjen e Zyrës së Rregullatorit për Energji, duke e quajtur të njëanshme, të dhunshme dhe pa ndjeshmëri ekonomike. Po ashtu, është theksuar se shumë biznese ndodhen në procese gjyqësore ose kanë marrëveshje të përkohshme, ndaj nuk duhet të trajtohen si subjekte në shkelje.

Përgjegjësia institucionale për këtë situatë është e shumëanshme. ZRRE ka vepruar pa plan të qartë kalimi dhe pa dialog të thelluar me komunitetin e biznesit. Qeveria ka qëndruar e heshtur përballë krizës dhe nuk ka ofruar masa mbështetëse apo zgjidhje urgjente. Ministria përgjegjëse për energjinë ka munguar në drejtimin e reformës dhe koordinimin e aktorëve përkatës. Edhe KEDS, si operator i shpërndarjes, ka zbatuar urdhrat për shkyçje pa marrë parasysh pasojat sociale dhe ekonomike që po shkaktohen në terren.

Ndërkohë, furnizuesit alternativë, që në teori duhej të ofronin konkurrencë dhe zgjedhje për ndërmarrjet, kanë qenë të pakët në numër, me oferta të limituara dhe shpesh me kushte të paarsyeshme.

Në vend të liberalizimit të mirëmenaxhuar, Kosova po përballet me një deformim të tregut, ku furnizuesit kanë fuqi të tepërt, ndërsa bizneset janë të pambrojtura. Kjo ka sjellë ndërprerje të prodhimit, rritje të kostove të operimit, falimentime të mundshme dhe rënie të përgjithshme të aktivitetit ekonomik.

Për të frenuar përshkallëzimin e krizës, kërkohen masa urgjente dhe ndërhyrje të koordinuar ndërinstitucionale. Duhet të ndalet përkohësisht procesi i shkyçjeve, derisa të bëhet një vlerësim i plotë i ndikimit ekonomik dhe social. Krijimi i një mekanizmi mbrojtës, si subvencione ose skema tranzicioni, është i domosdoshëm për ndërmarrjet që nuk kanë pasur mundësi reale për të siguruar kontrata në tregun e lirë.

Po ashtu, duhet të thirret një tryezë emergjente mes ZRRE-së, Qeverisë, Dhomës së Tregtisë, furnizuesve dhe KEDS-it për të hartuar një plan të ri kalimi dhe për të adresuar boshllëqet aktuale në treg. Rishikimi i kuadrit ligjor dhe rregullator është i pashmangshëm për të garantuar konkurrencë të drejtë, mbrojtje të ndërmarrjeve vendore dhe shmangie të praktikave abuzuese nga furnizuesit.

Liberalizimi nuk është i gabuar si koncept, por mënyra se si po zbatohet në Kosovë është shembull i një reforme që po ndëshkon sektorin privat në vend që ta fuqizojë. Nëse nuk ndryshon urgjentisht qasja institucionale, vendi rrezikon të hyjë në një spirale të rrezikshme ekonomike dhe sociale, ku energjia – në vend që të jetë mjet zhvillimi – shndërrohet në burim të krizës më të thellë të dekadës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".