Kjo që po ndodh në Kuvend është teatër absurd nga deputetë që kanë humbur çdo ndjenjë njerëzore

Kjo që po ndodh në Kuvend është teatër absurd nga deputetë që kanë humbur çdo ndjenjë njerëzore
Kjo që po ndodh në Kuvend është teatër absurd nga deputetë që kanë humbur çdo ndjenjë njerëzore

Skender Mulliqi

  • 22 August 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi

Në një shtet normal, gjithçka që ndodhi pas luftës dhe sidomos kjo që po ndodh sot në hapësirat e Kuvendit të Kosovës do të duhej të sillte përgjegjësi ligjore. Dikush, apo shumëkush, do të duhej të jepte llogari. Jemi dëshmitarë të sa e sa keqpërdorimeve të pozitave shoqërore e politike, hajnive të mëdha e të vogla, korrupsionit, krimit të organizuar dhe shumë pak nga përgjegjësit politikë kanë dhënë dorëheqje, qoftë edhe si ndjenjë minimale e përgjegjësisë.

 

-Kur humbet përgjegjësia dhe morali politik në një vend, nuk mund të kemi një situatë normale. Në fakt, e kundërta abnormaliteti po paraqitet si normalitet tash e shumë kohë.

Kur në krye të shtetit, me hir apo pa hir, vendosen njerëz të tillë, nuk mund të pritet që situata politike apo rrjedhat ekonomike të jenë të mira nga nivelet më të ulëta të pushtetit e deri në ato më të lartat.

Është e habitshme si shumë prej atyre që kanë keqpërdorur politikën, nuk kanë dhënë asnjëherë llogari për dëmet që i kanë shkaktuar shtetit të Kosovës. E kanë rrjepur vendin deri në palcë, sikur të ishte prona e babës së tyre. Asnjë sistem thuajse nuk funksionon pa defekte sepse janë montuar me qëllim, për të mbetur sa më gjatë në pushtet.

Kanë vendosur në çdo hallkë të sistemit njerëz të padijshëm, që u mbajnë zhagun bosëve të politikës dhe të biznesit. Kjo ishte ideologjia më e mbrapshtë që iu pa sherr me bollëk dhe që e bëri jetën të padurueshme për shumicën.

Është e tmerrshme se si u zvetërua imazhi i Kosovës në sytë e faktorit ndërkombëtar. Korrupsioni dhe krimi i organizuar me përmasa të mëdha janë ndër fenomenet që kanë shkaktuar dëmet më të mëdha në shtetndërtim dhe mirëqenie.

Kjo që po ndodh së fundi në Kuvend është teatër absurd nën regji të njerëzve që kanë humbur çdo ndjenjë njerëzore dhe nuk kanë më asnjë fije turpi. Kanë humbur çdo vlerë shoqërore e politike. Këta ideologë, që po projektojnë lojëra të ndyta politike, nuk duhet të shpëtojnë pa u ndëshkuar ligjërisht.

Dëmet politike dhe ato ekonomike janë të mëdha –dhe dikush duhet të japë përgjegjësi. Vendi nuk guxon të vihet në peshore nga njerëz me predispozita shkatërruese. Aq më keq kur këta marrin vendime në emër të popullit, pa pasur asnjë lidhje me të.

Duhet të largohen nga pozitat e pamerrituara, sepse gjithnjë e më shumë po rrezikojnë edhe vetë shtetësinë e Kosovës.

Ngjarjet e fundit në Kuvend, nëse nuk janë tragjike, janë komike. Dhe kjo nuk është ironi. Ky teatër absurd ka metastazuar në një realitet të hidhur.

Në Kosovë sot po harrohen heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit. Po harrohen masakrat serbe në çdo cep të vendit. Këta po fshijnë me gomë gjithçka që është humane, e ndershme dhe kulturore.

Po ju "amputohen" duart profesorëve, gazetarëve të mirëfilltë, shkrimtarëve, akademikëve dhe artistëve që nuk janë përkulur para lojërave të tyre të errëta. Po i amputojnë edhe shpirtin këtij populli…

Dhe shtrohet pyetja e vetme, logjike: Deri kur Kosova do të tolerojë këtë teatër të absurdit...?

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".