Mulliqi: Opozita në delir të pushtetit dhe ambicija për ta nënshtruar votën popullore

Mulliqi: Opozita në delir të pushtetit dhe ambicija për ta nënshtruar votën popullore
Mulliqi: Opozita në delir të pushtetit dhe ambicija për ta nënshtruar votën popullore

Skender Mulliqi

  • 23 August 2025 - 08:58

Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi

Pamjet nga ditët e fundit në Kuvendin e Kosovës na bëjnë të qartë se Opozita po përpiqet të paraqitet si forcë autoritare, në një përpjekje për të sfiduar partinë fituese dhe për ta nënshtruar vullnetin e shumicës. Lumir Abdixhiku, kreu i LDK-së, e tha qartë një të vërtetë të madhe: “LDK nuk e voton asnjërin nga kandidatët.” Kjo nuk ishte vetëm qëndrim i LDK-së, por duket se përfaqëson edhe mendimin e pjesës tjetër të bllokut opozitar.

 

-Që prej kohësh Albulena Haxhiu nuk ka marrë votat për të qenë kryetare e Kuvendit, dhe në seancën e fundit as Donika Gërvalla nuk mori mbështetjen e shumicës. Opozita kërkoi heqjen e Haxhiut nga lista, por as Gërvalla nuk ishte e pranueshme për ta. Kjo na shtyn të bëjmë një pyetje logjike: A është fjala vetëm për një kryekuvendar, apo për një përpjekje të opozitës për të marrë pushtetin në mënyrë indirekte, duke mohuar legjitimitetin e fituesit të zgjedhjeve?

Opozita duket se është në kërkim të një autoriteti të pamerituar, duke treguar se nuk është gati të pranojë faktin që dikush tjetër udhëheq vendin. Kjo ambicie e tepruar për pushtet absolut po shndërrohet në një delir politik.

Edhe heshtja e bashkësisë ndërkombëtare ngre dyshime: a po favorizon dikush kthimin në pushtet të partive që nuk kanë asnjë fuqi për të kundërshtuar marrëveshjet e ngecura në dialogun me Serbinë? Marrëveshjet e deritanishme janë nënshkruar sipas vullnetit të Serbisë dhe të Vuçiqit, të ndihmuar nga BE-ja, duke i shkaktuar Kosovës dëme të mëdha për të tashmen dhe të ardhmen.

U falën 8,200 hektarë tokë Malit të Zi me vijën e demarkacionit. U pranua plani i decentralizimit që solli Asociacionin famëkeq të komunave me shumicë serbe, i nënshkruar në Bruksel nga Thaçi dhe Mustafa më 2013–2015. U fut edhe fusnota e Edita Tahirit, që e komprometoi përfaqësimin rajonal të Kosovës.

Sot, ka të gjitha shenjat që këto forca po përgatiten të rikthehen në pushtet për të implementuar Asociacionin, që do të përbënte një “Republika Srpska” të re brenda Kosovës.

Për më tepër, opozita po tenton të rikthejë një pendrek politik”, jo vetëm kundër kundërshtarëve të vet, por edhe kundër qytetarëve, nëse kjo do t’i nevojitet për ta kapur pushtetin. Dhe këtë përpiqet ta bëjë e veshur me kostumin formal të shtetit.

Ky është manifestimi i një ideologjie të rrezikshme, e rrënjosur thellë në sistem. Çdo akt politik i tillë në Kuvend përbën një sulm ndaj qytetërimit, një rrëshqitje drejt një shoqërie ku dhuna zë vendin e dialogut. Është shembja e vetë themeleve të jetës politike dhe një tallje me demokracinë dhe lirinë. Këto veprime nuk burojnë nga vullneti zgjedhor i qytetarëve, por nga një logjikë e frikshme e pushtetit për pushtet.

Brutaliteti politik nuk e konsolidon pushtetin përkundrazi, e ekspozon atë. Kuvendi sot është kthyer në një hapësirë të rrezikshme mes demokracisë dhe tiranisë. Dhe të pranosh këtë logjikë do të thotë të heqësh dorë nga vetë demokracia, liria dhe vendi ynë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".