
Lexoni edhe:
Analisti paralajmëron 'marifete' jo parimore pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryekuvendar
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Për fat të mirë, pas vendimit të dytë të Kushtetueses, deputetët, të cilët për më tepër se 4 muaj e zhytën Kosovën në këtë gjendje kaotike, duke kontestuar 56 herë radhazi personat e propozuar për pozitën simbolike të kryeparlamentarit dhe duke e përdorur atë si arsyetim për stërzgjatjen për më tepër se 6 muaj të krizës, që nga mbajtja e zgjedhjeve të lira e demokratike të 9 shkurtit 2025, më 26 gusht, me votimin e kandidatit të LVV-së për kryetar dhe konsensusin për votimin e Rashiqit për nënkryetar të minoritetit serb, merr fund ngërçi i përgjithshëm politik për konstituimin e tërësishëm të Kuvendit.
Analisti paralajmëron 'marifete' jo parimore pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryekuvendarLexoni edhe:
-Nuk ka kurrfarë të keqe votimi i Bashës; tragjedi më vete do të përbënte të zgjidhej në krye të legjislativit të Republikës dikush me vetëm 2-3 deputetë, që vazhdon të jetë në listën e zezë të SHBA-ve, si Fatmir Limaj, që vetëm në koalicion me një parti tjetër, po ashtu minore si AAK, arritën të marrin nga tre-katër deputetë; apo edhe Ramush Haradinaj, që për disa muaj qëndrim në karrigen e kryeministrit ia fali Malit të Zi Kullën e Çakorrin me 8,300 hektarë tokë autoktone të Kosovës; kapadaiu që para disa kohësh e takonte në zyrë të kryeministrit dhe vendimet për shtetin i merrte me Millan Radojçiqin, ndërsa sot koketon dhe e ka futur edhe në grupin e deputetëve të partisë së tij argatin e të ashtuquajturës “Listë Serbe”, Adem Hoxhën, i cili, derisa Nenad Rashiqi flet vazhdimisht dhe rrjedhshëm shqip, ai deklarohet goran dhe nuk flet as një fjalë shqip, dhe vetëm Ramushi di të kuptohet me të – ndoshta duke vazhduar ta përdorin të dy bashkë edhe në këtë kohë fjalorin konfidencial të Radojçiqit, të cilin duket se ata të dy e njohin shumë mirë.
Madje, me votimin e z. Nenad Rashiq edhe nga opozita për nënkryetar të Kuvendit, përveçse pas më tepër se 26 vitesh, në mënyrën më të mirë do të përfaqësoheshin edhe vetë minoritarët serbë, njëkohësisht do të hiqeshin në mënyrë automatike nga rendi i ditës edhe problemet dhe pengesat e pritshme nga e ashtuquajtura “Listë Serbe”, nëse ajo arrin të vishet edhe me pushtet, e cila, njëjtë si në të kaluarën, po dëshmon se edhe në të ardhmen do të vazhdojë të veprojë nën diktatin e Beogradit – dhe veçanërisht në veri, pas zgjedhjeve lokale, do të përpiqet ta rikthejë sërish gjendjen e dikurshme kaotike dhe të anashkalojë ligjet e Kushtetutën e Republikës së Kosovës – gjë që do ta tensiononte gjendjen politike dhe do të krijonte shqetësime jo lehtë të menaxhueshme për shtetin e Kosovës.
Andaj, duke pasur parasysh situatën dramatike në të cilën partitë parlamentare dhe deputetët aktualë e patën futur Kosovën, nuk është më me rëndësi, as çështje parësore, që medoemos të parashtrohet dilema nëse Dimal Basha ishte zgjidhja e duhur për kryetar të Kuvendit, por të duartrokitet fort konsensusi i arritur i partive politike për emërimin e kryetarit të Kuvendit dhe veprimi parimor ndërpartiak për të mirën e mbarë vendit – qoftë ai edhe nën kushtet e ndonjë "pazari" të supozuar politik mes VV-së dhe PDK-së, nga i cili mund të buronte edhe akordimi për zgjidhjen e presidentit të ardhshëm apo edhe formimi i një koalicioni bashkëqeverisës – me rëndësi është që po ky konsensus e lëvizi gjendjen nga kaosi i krijuar politik mbi 6-mujor, që ishte ngulitur aq keq në dëm të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.
Çështje me rëndësi dhe kusht për konstituimin e plotë ligjor e kushtetues të Kuvendit është edhe plotësimi me nënkryetarët – akt që dëshmon se partitë aktuale përfundimisht i kanë thirrur arsyes së shëndoshë, duke përmirësuar edhe qëndrimet e tyre dhe dëshmuar se nuk janë më të interesuara vetëm për pushtet, por edhe për përfaqësim të sinqertë të qytetarëve dhe mbarëvajtjen e shtetit të Kosovës – nëse nuk tentojnë që me mosvotimin e z. Rashiq për nënkryetar nga minoriteti serb, ta mbajnë përsëri peng konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Në këtë kontekst, shpresoj shumë se, duke pasur parasysh gjendjen e shtetit tonë, ku çdo gjë kërkon pajtim dhe konsensus ndërpartiak, edhe Dimal Basha është i prirur, dhe jo vetëm i thirrur nga konstelacioni aktual i segmenteve politike, për ta respektuar në plotëni dhe në mënyrën më të mirë pavarësinë e Kuvendit.
Dhe në këtë pikë të rëndësishme, ai duhet të marrë shembull paraardhësin e tij, z. Konjufca, i cili ishte dhe mbetet i pranuar nga të gjitha partitë parlamentare, duke mos ngelur në hijen e partisë, por të punojë e të përpiqet maksimalisht që ta kryejë funksionin e besuar sa më me korrektësi dhe të na befasojë të gjithëve për të mirë, duke ditur të përballet edhe me sfidat aktuale dhe ato që do të lindin gjatë punës së Kuvendit, kryesimin e të cilit ai e mori me mbështetjen edhe nga partitë tjera.
Kështu që kryeparlamentari i ri duhet të jetë agil e vigjilent dhe faktor përafrues edhe kur ka mospajtime, tensione ndërpartiake dhe shfaqje të mungesës së konsensusit politik, për tejkalimin e krizave dhe kthimin në suksese të vështirësive.
Ai, njëjtë si bashkëpartiaku dhe paraardhësi i tij z. Glauk Konjufca, duhet medoemos të punojë në përafrimin e qëndrimeve të partive politike, duke i trajtuar njëjtë e në harmoni dhe duke pranuar propozimet e tyre kur ato janë në të mirë të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, duke pasur gjithmonë parasysh se më 26 gusht në këtë post ai erdhi jo vetëm me votat e partisë që i takon, por mori edhe mbështetjen e disa prej deputetëve të PDK-së dhe siguroi 73 vota, të cilat atij ia mundësuan marrjen e postit të kryeparlamentarit dhe udhëheqjen e Kuvendit të Kosovës.
Përndryshe, sa i takon shkollimit, megjithëse nga disa konsiderohet se karriera e tij ka qenë më tepër teknike sesa politike, në biografinë e publikuar në uebfaqen e Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt, ndërsa studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, ku ka diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.”
Po ashtu, kryeparlamentari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës ka përfunduar edhe studimet master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri,” në universitetin “The New School University,” po në New York.
Basha, përpos përvojës së
pasur profesionale, ka punuar edhe në zyrën e ish-kongresmenit Eliot Engel, si dhe ka qenë analist i të dhënave kualitative në Gjykatën Federale të SHBA-së. E përveç kësaj, ai ka ushtruar një karrierë të suksesshme menaxheriale në Angli dhe SHBA.
Kurse, sa i takon politikës vendore, Dimal Basha ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate dhe ka përfaqësuar Lëvizjen VETËVENDOSJE, duke qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.
Ndërsa si deputet i Kuvendit, ka treguar përkushtim në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, avancimin e politikave zhvillimore dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë – i cili, pas zgjedhjes për kryeparlamentar, synon ta vazhdojë po me atë elan angazhimin edhe për përmirësimin e legjislacionit dhe fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".