Aziri: Basha nuk ka kapital politik, prandaj rrezikon të perceptohet si figurë pa peshë

Aziri: Basha nuk ka kapital politik, prandaj rrezikon të perceptohet si figurë pa peshë
Aziri: Basha nuk ka kapital politik, prandaj rrezikon të perceptohet si figurë pa peshë

Arsim Aziri

  • 28 August 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Arsim Aziri

Zgjedhja e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit ka ngritur më shumë pyetje sesa ka dhënë përgjigje. Nëse formalisht paraqitet si kompromis për të zhbllokuar ngërçin institucional, në realitet duket më shumë si një pazar i heshtur mes VV-së dhe PDK-së. Ky fakt e zbeh idenë e konsensusit të gjerë politik dhe e lë të hapur dyshimin se edhe këtë herë interesi i partive ka mbizotëruar ndaj interesit të vendit.

 

-Sfida e parë e Bashës është pavarësia. A do të jetë kryetar i Kuvendit apo vetëm një figurë në hijen e Albin Kurtit? Historia politike e Kosovës na tregon se shumica e kryetarëve kanë qenë më të lidhur me partinë e tyre sesa me institucionin. Prandaj, testi i parë për Bashën do të jetë raporti i tij me qeverinë.

Sfida e dytë është menaxhimi i Kuvendit. Karriera e tij teknike mund të jetë aset për një stil më racional, por Kuvendi nuk është laborator: aty përplasjet janë të forta dhe mungesa e konsensusit është realitet i përditshëm. Basha nuk ka kapital politik të madh për t’u imponuar mbi liderët partiakë, prandaj rrezikon të perceptohet si figurë pa peshë.

Kuvendi duhet ta mbajë atë të llogaritur. Kërkesat kryesore duhet të jenë: neutraliteti, disiplinimi i agjendës, hapja ndaj opozitës dhe transparenca për publikun. Vetëm kështu ky institucion mund të marrë frymë politike të re dhe të mos mbetet thjesht arenë përplasjeje partiake.

Në fund, zgjedhja e Bashës nuk është fitore e demokracisë, por një provë e re: ose ai do të dalë nga hija e partisë dhe do të ndërtojë autoritet institucional, ose Kuvendi do të mbetet sërish peng i pazareve politike.

Basha nuk përfaqëson denjësisht Kuvendin; ai do të jetë jashtë ndikimit që do të duhej të kishte, dhe krejt kjo situatë vjen kur kemi parasysh mënyrën e ardhjes së tij dhe lidershipin e tij të dobët.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".