Kriza politike që po zgjatet në Kuvend lidhet me mungesën e vullnetit politik të partive opozitare

Kriza politike që po zgjatet në Kuvend lidhet me mungesën e vullnetit politik të partive opozitare
Kriza politike që po zgjatet në Kuvend lidhet me mungesën e vullnetit politik të partive opozitare

Arsim Aziri

  • 02 September 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Arsim Aziri

Përpjekja për ta deshifruar përzgjedhjen e Dimal Bashës si kryetar të Kuvendit, duke e lidhur me bashkëpunime të hershme akademike, nuk është as e drejtë dhe aspak racionale. Kjo nuk mund të lidhet në asnjë mënyrë me pjesëmarrjen e tij në ndonjë artikull shkencor ku pretendohet se qenka nihilizuar vlera më kombëtare e jona – Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Nëse duam të flasim me këtë gjuhë, atëherë vetë vendimi i ish-kuvendeve për themelimin e Gjykatës Speciale ka qenë goditja më e rëndë ndaj UÇK-së, jo autorësi apo bashkautorësi në punime akademike.

 

-Prandaj është e panevojshme dhe e padobishme që të përdoret kjo si armë për të kritikuar pushtetin aktual. Në fakt, kjo nuk po përbën kritikë reale, por më shumë një përpjekje për ta dëmtuar politikisht qeverinë dhe lidershipin e saj – një qëllim i cili për mendimin tim nuk mund të arrihet.

Kritika ka vend, por ajo duhet të orientohet drejt mënyrës së qeverisjes, aty ku ekziston hapësira e duhur dhe ku mund të gjenden elementë përmirësimi. Por realiteti është që kjo qeveri ka arritur të shtrijë sovranitetin në veri dhe të ngrisë dinjitetin shtetëror në një nivel që nuk është parë më parë. Pikërisht këto arritje po duken si pengesa kryesore për ata që kanë qenë pjesë e pushteteve të kaluara dhe që nuk e kanë pasur guximin ose aftësinë për t’i realizuar.

Në fund, të dhënat statistikore dhe raportet ndërkombëtare tregojnë se qeveria aktuale qëndron mirë në referenca dinjitoze dhe kjo nuk mund të kundërshtohet vetëm me opinione të bazuara në emocione ose në synime të ngushta politike. Është një gjendje praktike, e dukshme dhe e prekshme për qytetarët e Kosovës.

Kriza politike që po zgjatet në Kuvend nuk lidhet me paaftësi institucionale, por me mungesën e vullnetit politik të PDK-së, LDK-së dhe partive tjera opozitare. Edhe pas zgjedhjes së kryeparlamentarit, ato po refuzojnë ta votojnë nënkryetarin nga komuniteti serb, një hap i domosdoshëm që t’i jepet fund konstituimit të Kuvendit dhe të hapet rruga për krijimin e qeverisë së re Kurti.

Dhe ky bllokim nuk është betejë programore apo konkurrencë demokratike, por një pengesë e vetëdijshme ndaj funksionimit të shtetit. Nëse partitë opozitare e vazhdojnë këtë qasje, atëherë shpërndarja e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja duken si zgjidhja e vetme për ta kthyer normalitetin institucional dhe për të respektuar vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhjet e fundit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".