Vuçiq vazhdon të mbetet zëdhënës modern i politikave të Kremlinit

Vuçiq vazhdon të mbetet zëdhënës modern i politikave të Kremlinit
Vuçiq vazhdon të mbetet zëdhënës modern i politikave të Kremlinit

Idriz Zeqiraj

  • 02 September 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Është rast unik që një Gebels i Ballkanit, në zemër të Kontinentit të Vjetër, Evropës, vazhdon të mbijetojë në politikë, madje President i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Këtë e ka favorizuar gjeopolitika e këtij çerek shekulli. Evropa, në përgjithësi, Amerika, në veçanti, jetësisht të interesuara për ta shkëputur Serbinë nga lidhjet e shumëfishta me Rusinë, kanë toleruar dhe vazhdojnë ta mbështesin Serbinë edhe në raport me Kosovën. Pikërisht për këtë po e pëson Kosova, padrejtësisht, madje në shumë aspekte.

 

-Serbia e di mirëfilli këtë hall të Evropës dhe të SHBA-së. Andaj, mashtron se ruan miqësinë me të dy blloqet, se gjoja është në mes tyre, pa anësi të hapur. Realisht, Serbia parësinë e ka në karrigen e Rusisë. Për këtë ka dhënë prova, pa lënë hapësirë për hamendje. Presidenti Vuçiq vazhdon të mbetet zëdhënës modern i politikave të Kremlinit, duke sfiduar, madje vrazhdësisht, Evropën dhe superfuqinë e parë botërore, SHBA.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në intervistën dhënë televizionit polak, TVP, e etiketon Vuçiqin "mjeshtër të propagandës". Një gjetje adekuate për këtë tellall të Rusisë agresore. Lobi serb në Amerikë ka depërtuar thellë në administratën amerikane. Ndërkohë që lobi shqiptar atje është dobësuar shumë. Këtë alarm e japin bashkëshortët Joseph dhe Sherly Dioguardi, bashkëdrejtues shumë të suksesshëm të Ligës Shqiptare në Amerikë.

Ecejaket e Hashim Thaçit, në bashkëveprim me ambasadën tonë atje, në përpjekje për të shpëtuar veten me komandantët e tij nga Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, ai me lobuesit e zëshëm të dikurshëm bashkëkombës për Kosovën, tani trokisnin në zyrat e senatorëve dhe të kongresmenëve, miq të Kosovës, me kërkesën për zhbërjen e Gjykatës Speciale, në këmbim të ndarjes së Kosovës.

Kumbarë të kësaj ideje satanike u bënë kryeministri shqiptar, Edvin Rama, dhe vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Këtë tradhti të parët e denoncuan veprimtarët e Ligës Shqiptare, të cilët e akuzuan presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, për përçarje të Mërgatës tej Oqeanit dhe lobimin fatal për ndarjen e Kosovës! Janë pazaret e pista që bëri Hashimi me Vuçiqin:

1. Veriu i Kosovës t’i jepet Serbisë;

2. Të zhbëhet Gjykata Speciale;

3. Të falen krimet reciproke serbo-shqiptare;

4. Të bëhet pajtimi serbo-shqiptar!

Këtë projekt të hartuar në Beograd dhe të aprovuar në Prishtinë, me porosinë e presidentit Thaçi, e shpalosi dhe e përsëriti tri herë radhazi, brenda 6 muajve, për ta përgatitur opinionin, këshilltari trefishtë i Thaçit, Ramës dhe Vuçiqit, agjenti Baton Haxhiu. Moderatori i T7, Pressing, Leonard Kërçuku, duke shprehur habinë, ndërhyri: "Në veri është Liqeni i Ujmanit?!" Batoni reagoi serbez: "Ani çka, ne e kemi Liqenin e Kukësit!!!"

Ishte Amerika dhe shtetet e Kuintit, me prokurorin amerikan John Smith, me akuzën e bazuar si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, që arrestuan Hashim Thaçin me shokë, duke e stopuar ndarjen e Kosovës. Presidenti Trump akuzoi shefin e Sigurisë të SHBA-së, John Bolton, për përgatitjen e ndarjes së Kosovës "prapa shpinës time"! Por Bolton u mbrojt se "ndarjen ma kërkuan Hashim Thaçi, Edvin Rama, Aleksandar Vuçiq!" Megjithatë, Trump e shkarkoi atë nga posti.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".