Qarri: Ka ardhur koha që të bëhet shtetëzimi zyrtar i UÇK-së si ushtri e popullit

Qarri: Ka ardhur koha që të bëhet shtetëzimi zyrtar i UÇK-së si ushtri e popullit
Qarri: Ka ardhur koha që të bëhet shtetëzimi zyrtar i UÇK-së si ushtri e popullit

Gani Qarri

  • 03 September 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Sa i takon UÇK-së, ka ardhur koha që përfundimisht të bëhet shtetëzimi zyrtar i saj, si ushtri e popullit dhe aset i patjetërsueshëm historik i krenarisë së Shtetit të Kosovës. Duhet që institucionet e shtetit ta marrin mbi vete kujdesin, vlerësimin, mbrojtjen dhe faktorizimin e trajtimit ligjor në të gjitha aspektet. Mbi 26 vite pas luftës, urgjentisht duhet t’u hiqet e drejta dhe çfarëdo lloj tendence apo pretendimi që, në emër të saj, të flasin e veprojnë njerëz jokompetentë, privatë apo edhe të vetëquajtur “veteranë”, të cilët nuk janë të autorizuar zyrtarisht, nuk kanë fuqi ligjore, përgatitje juridike, kompetencë apo favor të përjetshëm përfaqësimi, as të drejtë pronësie e përvetësimi dhe marrjen mbi vete, në mënyrë private apo në formë grupore, të një ushtrie të tërë mbarëpopullore si UÇK-ja!

 

-Në anën tjetër, avaria dhe kriza mbi 4-mujore për konstituimin e Kuvendit, me kërkesën për shkarkimin e kryetarit të sapozgjedhur nga "veteranët", vetëm sa do ta thellojë edhe më shumë këtë krizë, si dhe do ta zvarrisë edhe më tej mosformimin e Qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit – akt i paprecedent që ka zhgënjyer deri në ato përmasa trishtuese qytetarët në mbarë vendin, sa që rrugëdaljen e vetme nga ky ngërç të paprecedent e shohin shkuarjen medoemos në zgjedhje të reja – dhe këtë me shumë të drejtë, ngase është vërtetë shumë e rëndë vetëm të paramendohet. Është turp dhe fort nivel i ulët i kulturës politike, që në një vend si Kosova, me mbi 93% të popullsisë shqiptare, të mos mund të gjendet asnjë formë apo mënyrë bashkëpunimi për krijimin e institucioneve legjitime dhe udhëheqjen e shtetit në mënyrë normale, edhe më shumë se 7 muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të lira e demokratike të 9 shkurtit 2025.

Thënë shkurt e shqip dhe pa ekuivoke: nëse votimi i Nenad Rashiqit, por jo edhe ai për Emilija Rexhepin, për “listën serbe” dhe opozitën, na qenka kundërkushtetues, atëherë, siç shprehet edhe ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj – pse opozita nuk e voton nënkryetarin serb nga e ashtuquajtura "listë serbe"? Derisa sipas një numërimi të thjeshtë matematikor të votave, PDK me 24 deputetë, LDK 20, “lista serbe” 9, AAK+NISMA 7, dhe serbishtfolësi Adem Hoxha 1, etj. – partitë opozitare më së paku arrijnë shifrën e 61 votave, të cilat janë plotësisht të mjaftueshme për zgjedhjen e nënkryetarit nga pakica serbe, por vazhdojnë ta mbajnë Kuvendin të bllokuar dhe nuk lejojnë që shteti të ecë përpara me krijimin e institucioneve të reja legjitime?!

Apo, vërtetë, gjithë kjo "gjurulldi" e habitshme – siç shprehet ish-nënkryetari i nderuar i Gjykatës Kushtetuese, z. Kadri Kryeziu – se gjoja pa u zgjedhur edhe nënkryetari i Kuvendit nga “lista serbe” (komuniteti serb), (derisa opozita as vetë nuk e shfrytëzon mundësinë e votimit) dhe ulërimat shurdhuese të ndonjë partie e cila votoi ndaras "për" Emilija Rexhepin, por jo edhe për Nenad Rashiqin, me arsyetimin se votimi ndaras vetëm për Nenadin na qenka jokushtetues... është "përmbysje e rendit kushtetues" dhe pallavra të tjera idiote, krijojnë përshtypjen se dikush me këto lojëra vërtet e ka shitur shpirtin te djalli!

Ndërsa nëse Dimal Basha me shkrimin e tij jo-politik, por shkencor, e paska dëmtuar vërtet UÇK-në, më shumë se vetë “veteranët”, me rritjen e paimagjinueshme të radhëve të tyre, shumica prej të cilëve vetëm në ekranet televizive mund ta kenë parë luftën me Serbinë dhe qëndresën çlirimtare të ushtarëve të UÇK-së, megjithëse ai personalisht, askund dhe me asnjë fjalë të vetme nuk e përmend UÇK-në – sqarimi për Dimal Bashën është shumë i thjeshtë: pas mosvotimit në raundin e parë të kandidaturës së tij nga PDK, është dashur që ata “veteranë”, të cilëve tani u ka rënë ndërmend të bëjnë kaq shumë zhurmë për asgjë, menjëherë pas përfundimit të seancës së parë të reagojnë me "fakte" dhe t’ia tërhiqnin vërejtjen seriozisht Memli Krasniqit që Dimalin, as në raundin e dytë e të tretë, të mos e votojë, të paktën nga PDK-ja.

Ndryshe, tani pas votimit, është shumë vonë të bëhet gjithë kjo zhurmë, jo me arsyetimin se kinse Albin Kurti po tenton ta relativizojë përmbajtjen e artikullit të Dimal Bashës, duke zhvendosur fajësinë te qeveritë e kaluara – derisa ai as nuk e përmend fare emrin e tij në urimin për postin e kryeparlamentarit – por për të vërtetën dhe argumentin ligjor, se zgjedhja e Dimal Bashës është akt i kryer me votë legjitime dhe fakt i plotfuqishëm politik, i cili nuk mund të zhbëhet nga zhurmat e "veteranëve" të politizuar.

Prandaj, nëse konstatohet ligjërisht se zgjedhja e Bashës është antiligjore, shqyrtimin e shkarkimit të kryeparlamentarit të ri mund ta bëjë vetëm organi kompetent si Gjykata Kushtetuese, dhe jo zhurmat e “veteranëve” të orkestruar, ngase reagimi i tyre është i vonuar dhe po ndodh pas kohe.

E lidhur me Nenad Rashiqin – edhe nëse atë e lavdëron kryeministri në detyrë – besoj se ka shumë të drejtë, sepse Rashiqi është politikani i vetëm nga pakica serbe i cili, që nga fillimi, ka pranuar shtetin dhe institucionet e Republikës së Kosovës dhe ka bashkëpunuar me të gjitha partitë politike shqiptare, pa dallim. Veprim i cili ka bërë që Rashiqi në vijimësi të jetë në shënjestër të sulmeve dhe propagandës së regjimit të Aleksandër Vuçiqit. Madje, nuk është atakuar vetëm ai personalisht, por i janë stigmatizuar edhe fëmijët, gruaja dhe mbarë familja e tij nga Serbia e Vuçiqit – dhe megjithatë, Rashiqi është përsëri i vetmi politikan serb që nuk është dorëzuar asnjëherë, dhe për gjithë këto vite nuk ka ndërruar qëndrim.

Madje nëse Nenadi krahasohet me Sllavko Simiqin, ka një dallim të madh e rrënjësor si nata me ditën, le ti kujtojmë me këtë rast, vetëm lidhjet e pandërprera të Simiqit me kryeterroristin serb Millan Radojçiq edhe pas sulmit të 24-shtatorit 2023 në Banjë të Zveçanit, lidhjet e Simiqit me terroristin Vladimir Radivojeveq, me ish-shefin e operatives Aleksandër Filipoviç, me kryemafiozin serb të drogës Lazar Radenkoviç (Proja), bllokimin e rrugëve, sulmet kundër KFOR-it, rrahjen e gazetarëve shqiptar, dyshimet për lidhje me BIAN-serbe dhe spiunazh kundër Kosovës”, për çka edhe është ngritur aktakuzën penale nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kundër tij.

Andaj Sllavko Simiq, në asnjë mënyrë nuk guxon të votohet për nënkryetar, ndryshe kjo mund të konsiderohet edhe akt tradhtie nga partitë shqiptare, në fakt Sllavko Simiqit bazuar në aktet e lartcekura, që nuk janë të vetmet, urgjentisht duhet ti hiqet e drejta funksioneve në institucione të vendit tonë, të përjashtohet nga jeta politike në Kosovë dhe të dënohet bashkë me mbështetësit shqipfolës, që janë hedhur me këmbë e me duar, në mbrojtje të tij dhe duan me çdo kusht, madje edhe forcë dhe në mënyrë të dënueshme ligjore, ta bëjnë patjetër, nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, të njëjtit që në “qeverinë e PAN-it, e patën bërë edhe Goran Rakiqin zëvendëskryeministër të parë të Kosovës!!

Edhe dorëheqja e Liburn Aliut, kam përshtypjen se është dashur të ndodhte shumë më herët, madje qysh në deklarimet e tij në mediat publike më 30 nëntor 2023 në T7, se shteti i Kosovës, është projekt i përkohshëm, apo kur u premtonte banorëve shqiptarë në veri ndërtimin e shtëpive për tre muaj, por pastaj nuk u rrinte në fjale dhe as nuk fliste me ta, Liburni vet, në korrik të vitit 2024, proklamonte edhe licencimin e ndërtimeve pa leje me arsyetimin se kemi 75% sosh, e mos ta përmend këtu edhe deklaratën e tij, se kinse "ka qenë gabim animi i qeverisë së Kosovës për zgjedhjet në "Luginë të Preshevës", vetëm pse, pas dhjetëra skandaleve, në qershor të vitit 2024, zgjedhjet në Preshevë i humbi "baushtellci" i preferuar i Vuçiqit, Sh. Arifi.

Në kontrast të qëndrimeve të Liburnit lidhur me Qeverinë tonë në raport me Kosovën Lindore, Vuçiqi nga Beogradi merr vendime për të gjithë serbët në Kosovë dhe të gjithë udhëheqësit aktual politik të të ashtuquajturës "listë serbe", u nënshtrohen plotësisht dhe pa asnjë kundërshtim, diktateve të tij.

Përjashtim në këtë vazhdë përbën vetëm të Nenad Rashiqit i cili gjithmonë ka bashkëpunuar me të gjitha qeveritë dhe partitë shqiptare, dhe nuk u është nënshtruar asnjëherë diktateve të Vuçiqit nga Serbia, kështu që edhe kur ka folur kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, për dorëheqjen e ish-ministrit të Infrastrukturës dhe punimin akademik të Dimal Bashës të vitit 2012, lidhur me shkrimin e bashkëautores Jana Arsovska, profesoreshë në Kolegjin e Drejtësisë Penale “John Jay”, në të cilin thuhet se UÇK-ja kishte bashkëpunuar me kriminelë brenda dhe jashtë Kosovës, përfshirë paratë e drogës, pjesë e shkrimit kundër UÇK-së nuk është Dimal Basha, ngase secili e ka pjesën e vet të shkrimit, ndryshe po të ishte i njëjti tekst dhe autor, do ti adresohej vetëm Arsovskës, ose Dimal Bashës, madje tekstin e Arsovskës, mund të mos e ketë parë fare Basha, para se ai të publikohej në media, se po t`ia tregonte edhe Bashës përmbajtjen, nuk besojë se Basha do të publikonte shkrim të përbashkët me Arsovskën, andaj dhe kryeministri nuk ka pasur se çfarë ti shtojë sqarimit të vet Bashës as ta justifikojë Bashën.

Basha është gjallë e shëndosh dhe për shkrimet e tij, përgjigjet ai vet personalisht, siç tha sqaroi ditë më parë, se publikimi i shkrimit është bërë para më shumë se një dekade dhe se kapitulli që ai e ka shkruar, me asnjë rresht, citat as fjali, nuk ka asgjë të bëj me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, madje ai ka shprehur edhe njëherë publikisht vlerësimet më të larta për UÇK-në”.

Për aq më tepër, siç u shpreh edhe kryeministri në detyrë z. Kurti, problemet në Kosovë nuk kanë ardhur nga artikulli i Bashës si bashkëautor, por nga veprimet e dëmshme të Qeverive të kaluara, e të mos përsërisim me këtë rast vet fjalët e të akuzuarve në Hagë si Thaçi & C0 që atje deklarojnë se nuk kishte ushtri të organizuar, ato ishin vetëm grupe vullnetare dhe nuk kishte as Shtab të UÇK-s etj.

Prandaj sa i takon UÇK-së dhe vet shtetit të Kosovës, është e ditur botërisht, se “çmilitarizimi” dhe çarmatosja e saj, u bë nga Thaçi me shokë, jo nga shkrimet shkencore të Bashës, të cilat kanë ardhur shumë më vonë, kurse problemet kryesore ndodhën pikërisht kur u nënshkrua dhe u miratua "zajednica" serbe me shumicë absolute të votave të shqiptarëve në Kuvend.

Probleme të cialt vazhduan dhe u rritënme kohë, veçanërisht kur u amnistuan kriminelët serbë që kanë kryer krime, vrasje, përdhunime e gjenocid në Kosovë, kur u votua nga vet shqiptarët Gjykata Speciale me trysninë marramendëse të ushtruar nga Thaçi & C0 ndaj deputetëve që medoemos ta votojnë Specialen.

Kur nga Thaçi & C0 u themelua edhe dora e zgjatur e Serbisë në Kosovë, e ashtuquajtura "listë serbe", kur politikanët e Kosovës bënë qeveri të varur nga po kjo e ashtuquajtur-"listë serbe"!

Problemet për sigurinë dhe ekzistencën e shtetit të pavarur të Kosovës u rritën e shumëzuan në katror, kur ish presidenti Thaçi hyri në pazare me Vuçiqin edhe për ndarjen e Kosovës, filloi ta quante veriun e vendit tonë si tokë të Rankoviqit dhe nisën në mënyrë zyrtare nga vet Qeveria e PAN-it, të paguheshin edhe firma të huaja si ajo franceze Majorelle & PR për propagandimin e ndarjes së Kosovës në kryeqytetet evropiane me paratë e taksapaguesve tanë dhe e jo nga një “biçim” artikulli i Dimal bashës, që vetëm rastësisht ka ndodhur të botohej me CO-autor, por që tani manipulohet një pjesë e tekstit qëllimisht edhe nga njerëz të cilët luftën me Serbinë dhe qëndresën e UÇK-s, për çlirimin e Kosovës nga okupimi serb, mund ta kenë parë vetëm në ekranet televizive.

Andaj të qëndrojmë me këmbë në tokë, të merremi me sanimin e problemeve reale që pengojnë ecjen përpara të shtetit tonë të brishtë dhe të mos merremi me gjëra koti, e ta bëjmë mizën “bullë”-për asgjë, që nuk i ndihmon as nuk i sjellë kurrfarë dobie askujt, e më së paku Republikës së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".