
Kosova është dëmtuar me largimin nga vendi të gjysmës së popullsisë së Kosovës


Idriz Zeqiraj
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Aleksandar Vuçiq, dikur në krye të propagandës fashizoide, përgjatë luftërave në ish-republikat jugosllave, si Kroaci, Bosnje, së fundi, në Kosovë, tani, në cilësinë e presidentit të Serbisë, krizat e brendshme planifikon t’i bartë në shtetet fqinje: Bosnje, Kosovë, Mal të Zi, gjithnjë me synimin e krijimit të "botës serbe", në modelin e "botës ruse". Rusia qëndron prapa kësaj ideje, e cila Ballkanin Perëndimor të trazuar do ta përdorë për shtrirje të konflikteve në Evropë. Aleanca Rusi, Kinë, Iran, tashmë e njohur si "trekëndshi i djallit", është e gatshme ta shtrijë përgjakjen tej Ukrainës, pra, në Evropë.
-Në menaxhimin e krizës në Serbi, siç janë protestat e nisura nga studentët, me pjesëmarrje masive të popullit serb, kundërshtia e butë e Perëndimit po e favorizon autokratin kriminel, Vuçiq. Sepse shoqëria serbe është rëndë e kontaminuar me nacionalizëm primitiv, gjithnjë me ëndrrën e "Serbisë së Madhe", andaj Perëndimi toleron Vuçiqin, duke u mashtruar vetëdijshëm me hipokrizinë klasike të tij, ngaqë nuk shohin partner të besueshëm e serioz për bashkëpunim. Ndërkohë, në raport me Kosovën, Serbia vazhdon të miklohet, përkëdhelet dhe duke e sanksionuar krejt padrejtësisht Kosovën, madje me akuza bajate, "për mosgatishmëri koordinimi dhe bashkëpunimi me BE-në!"
Lufta hibride, përmes fushatës dezinformuese propagandistike, Serbia vazhdon pengimin e njohjeve të Kosovës dhe anëtarësimin në BE. Madje, në një kohë kur Kosova është, pothuajse, barrikada e vetme, të paktën denoncuese e lidhjeve Rusi, Kinë, Iran, si "trinom i djallit". Kosova deri më tani "nuk ka lejuar as zero ndikim rus, kinez, iranian dhe nuk do të lejojë as në të ardhmen", - deklaron saktë e bindshëm presidentja dinjitoze, Vjosa Osmani. Ky zotim i qytetares së parë të vendit, Vjosa, është mirëpritur dhe aprovuar nga shumësia absolute e popullit të Kosovës dhe shqiptarët botërorë.
Edhe pas tri dekadave, Vuçiq nuk ka bërë asnjë lëvizje pozitive. I vetmi ndryshim i bërë është se ai këtë propagandë e përdor tani edhe kundër popullit të tij. Dhe, për çudi, propaganda e tij ende vazhdon të jetë opium për një pjesë të shoqërisë serbe, e cila organizoi edhe kundër-protesta në mbrojtje të nxënësit të Millosheviqit, pra, të "mjeshtrit të propagandës", Vuçiq!
Përballë politikës destruktive dhe nxitjes së tensioneve të Serbisë në rajon, "Kosova duhet të ndërrojë strategjinë, duke bërë hapa para, kalimi nga mbrojtja në parandalim të hershëm", siç rekomandon, porosit edhe Presidentja e artë, Vjosa Osmani. Të gjitha strukturat shtetërore, pushtetare, partiake, organizatat e tjera të shoqërisë kosovare, për ta bërë "parandalimin e hershëm", të revanshit agresiv në rritje të fashizmit serb kundër Republikës së Kosovës, duhet të bashkohen, të organizohen, mençurisht e vendosmërisht, për konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Realistisht, Kosova është dobësuar dhe dëmtuar me largimin nga vendi të gjysmës së popullsisë së Kosovës. Kush e fsheh këtë të vërtetë, nuk i bën nder vendit. Por, siç thuhet: "Çdo e keqe, ka edhe një të mirë." E mira e kësaj të keqeje qëndron në faktin e punësimit dhe fitimit të parave në mërgim, tashmë ekonomik dhe jo politik. Një organizim i mirë, i ndershëm, patriotik i qytetarëve të kësaj mërgate ekonomike, derdhjen e kontributeve në një fond të kontrolluar nga shteti, respektivisht Komision, me pjesëmarrje të partive parlamentare, të destinuar ekskluzivisht për mbrojtjen e Atdheut – Kosovë, me armatimin modern të kohës, është ajo strategjia për të cilën Presidentja Vjosa fton të angazhohen të gjithë shqiptarët vendorë dhe të përbotshëm, pavarësisht se ku dhe kur kanë lindur ata. Kur Mërgata filloi begatimin e fondeve për mbijetesën e Kosovës, punonte vetëm kryefamiljari dhe pak nga gratë e tyre. Ndërsa tani, kanë, të paktën, nga tri e katër anëtarë të punësuar. Paraja nuk mungon, duhet vetëm organizimi i vjeljes së tyre.
Modeli i organizimit të fondit shtetëror, i shprehur në 3% obligativ, në fakt, fakultativ dhe rëndë i sabotuar nga kuqaloshët e LPK-së, ka qenë ideal dhe pa mundësi abuzimi, sepse ka qenë me kontroll bankar të dyfishtë: nga banka gjermane dhe ajo e Qeverisë së Kosovës, ku inkasoheshin paratë e mërgimtarëve. Edhe paratë e vjelura ndryshe, jashtë fondit, siç janë "Aksioni ta ndihmojmë Kosovën për Vetëmbrojtje", më 1991; "Aksioni për Drenicën"; "Aksioni për blerjen e armëve" dhe të tjerë më pak të rëndësishëm, janë shumëzuar në mijëra kopje dhe ne veprimtarët i posedojmë listat përkatëse dhe dorëzimet e tyre në Qeverinë në Egzil, gjithnjë me fatura të rregullta.
Huaja e marrë nga Qeveria, në këmbim sigurie, me -Bona-, letra me vlerë, me prerje: 500, 1000, 2000 marka, ka qenë dhe mbetet hua, borxh, i dhënë nga populli, mërgimtarët dhe mërgimtaret shqiptarë, kudo që ata punonin dhe jetonin në botë. Heshtja për një çerek-shekulli e një huaje faktike është e turpshme, madje për të gjitha qeveritë që kanë pasuar njëra-tjetrën. Fundja, duhet të pyeteshin dhënësit, nëse duan kthimin apo faljen e borxhit? Përndryshe, heshtja e mëtejme është mashtrim, vjedhje zyrtare.
Fondi i 3%-it edhe sot mund të kontrollohet dhe të verifikohet, madje deri në qindarkën e fundit. Akuzat për abuzim e vjedhje, të bëra në adresë të kryeministrit Bujar Bukoshi dhe ministrit të Financave, Isa Mustafa, janë paushalle dhe hiç reale. Paratë e Fondit të 3%-it dhe të "Vendlindja thërret", janë grabitur nga komandantët pa ushtarë, por me banda të bollshme, mujsharë e kriminelë të Rognerit dhe të vilave të Bllokut të Zi të Tiranës social-komuniste, me tytat e kallashëve kinezë. "E shpëtova Bujar Bukoshin nga një atentat i sigurt në Kukës", - ka deklaruar publikisht anëtari i Shtabit të UÇK-së, Xhavit Haliti, me seli në Tiranë.
Sigurisht! Më poshtë është versioni i korigjuar drejtshkrimisht dhe stilistikisht, pa e ndryshuar strukturën apo përmbajtjen e paragrafit:
Dy fondet e nismuara për begatimin e mbrojtjes, së pari nga kryeministri Ramush Haradinaj, më pas nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, pa i paragjykuar për ndonjë abuzim, nuk kanë qenë modele të duhura. Sepse askush nuk është i detyruar t’i besojë një individi apo një partie politike. Kjo bëhet me marrëveshje paraprake, me një komision kredibil, fort të besueshëm dhe me transparencë e llogaridhënie ndaj Komisionit Kuvendor Shtetëror. Le ta provojë këtë shteti i Kosovës, dhe kam bindjen se do ta ndalë, bllokojë dhe tmerrojë Serbinë megalomane dhe kampione të propagandës – më saktë, lehaqene.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".