Mekuli: Vektorialistët dhe kolonizimi i mendjes shqiptare

Mekuli: Vektorialistët dhe kolonizimi i mendjes shqiptare
Mekuli: Vektorialistët dhe kolonizimi i mendjes shqiptare

Gezim Mekuli

  • 06 September 2025 - 17:20

Nga Gëzim Mekuli /Njohës i shkencave të mediave dhe retorikës/

Kush kontrollon informacionin, t'a kontrollon mendjen. Kush t'a kontrollon mendjen, të kontrollon ty, familjen dhe të ardhmen tënde.

Në epokën e informacionit, pushteti nuk matet më me tanke, aeroplanë e fabrika, por me rrjete, portale e, radio dhe kanale informacioni. McKenzie Wark e quan këtë klasë të re sunduese vektorialistë; ata që dominojnë jo mbi prodhimin material, por mbi vektorët e informacionit. Ata zotërojnë qarkullimin e lajmit, të tregimit dhe formimin e mendimit publik. Dhe mu këtu shtrihet rreziku më i madh për shqiptarët.

Pse e them këtë e pse mendoj kështu?

E them këtë sepse rreziku kryesor është humbja e pavarësisë informative. Një komb pa kontroll mbi informacionin, është komb i zhveshur cullak nga e vërteta dhe i gatshëm për t’u kolonizuar mendërisht. Sot shqiptari jeton nën rrethimin e pesëfishtë informativ: oligarkët, gjykatat e kapura, ambasadokracia, lajmet e shpërndara nga Beogradi dhe censura brutale në Mal të Zi.

Ky nuk është pushtim klasik. Ky është pushtim dhelpërak i mendjes. Dhe është më i rrezikshëm se çdo tank apo ushtri, sepse ndodh pa zhurmë, pa rezistencë, shpesh me miratimin e vetë viktimës.

Të nderuar lexues,

beteja për informacionin është betejë për mbijetesë kombëtare: Kush kontrollon informacionin, kontrollon mendjen dhe të menduarit. Kush kontrollon mendjen, kontrollon ekonominë tënde dhe të ardhmen tënde personale.

Vektorialistët dhe kolonizimi i mendjes shqiptare

Në Shqipëri, kontrolli i informacionit është i përqendruar në duart e disa pak oligarkëve që janë lidhur ngushtë me Edi dRamën. Televizionet janë shndërruar në stacione erotike e propagande, ndërsa portale të shumta prodhojnë tituj të rremë vetëm për të mbajtur publikun në një gjendje pasiviteti e frike.

Populli shqiptar në Tiranë nuk mëson të mendojë, por vetëm të pranoj. E tmershme!

Në Prishtinë, opozita e varur nga lajmet e Beogradit

Në Kosovë, rreziku është i dyfishtë. Nga njëra anë, media shqiptare është e polarizuar dhe e instrumentalizuar nga ambasadokracia, religjioni, oligarkia dhe partitë e korruptuara politike; nga ana tjetër, diskursi opozitar mbështetet në lajmet dhe informacionet e mediave serbe, të cilat riprodhojnë me mjeshtëri gënjeshtra dhe propagandë kundër shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës. Kjo varësi nga burimet armiqësore serbe është një kolonizim i mendjes dhe i të menduarit. Paçka, kush ushqehet me informacion nga Beogradi, pa e filtruar kritikisht, është bërë pa vetëdije instrument dhe rrogëtar i Serbisë së moçme. E tmershme!

Në Shkup, akoma më keq: identiteti i shpërndarë

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë të ndarë mes tre burimeve të helmuara të informacioni; mediat maqedonase që i shohin shqiptarët si pakicë primitive e të padëshiruar; mediat shqiptare nga Tirana vektorialiste, që u imponojnë axhendën e politikës partiake; dhe mediat shqiptare në Kosovë, të ndikuara nga Serbia e të stërmbushura me konflikt interesi e partiak. Në këtë terren, shqiptari i Shkupit nuk ka një vektorialist informacioni, por jeton i ekspozuar ndaj tre "fabrikave të lajmeve" të helmuara. Kjo është çarmatosje klasike; politike, ekonomike dhe kombëtare. E tmershme!

Në Ulqin, censura si municion

Rasti i Malit të Zi është edhe më brutal. Filmi i regjisorit Isa Qosja, Lejleku, u ndalua me dhunë nga strukturat serbe dhe malazeze. Kjo ndalesë me dhunë nuk ishte thjesht një çështje arti, por një akt politik: kontrolli mbi hapësirën publike shqiptare në Mal të Zi.

Kur një film ndalohet, nuk ndalohet vetëm një vepër kulturore, por ndalohet edhe e drejta e një kombi për të treguar historinë në gjuhën e vetë. Ky është shembulli më i pastër i dhunës vektorialiste: kontroll mbi lajmin e mbi të menduarit, pra jo vetëm mbi territorin e mbi tokën por edhe mbi kokën. E tmershme!

A kanë shqiptarët pavarësi informative, është kjo pyetje që unë e shtroj qe plot 30 vjet?

Në të gjitha këto raste, pra në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Luginë e Ulqin, na shfaqet i njëjti Kapitulim intelektual kolekktiv: shqiptari është i pambrojtur përballë një infrastrukture informacioni/Mediatike që nuk i përket atij. Shqiptari sot jeton brenda “vektorëve” që kontrollohen nga oligarkë shqiptarë, serbë, grekë, italianë, ose nga qendra të huaja, shumë të dyshimtë e armiqësore ndaj gjeopolitikës shqiptare.

Të nderuar lexues,

Nëse në shekullin XX rreziku ishte pushtimi ushtarak me tanksa, me aeroplanë e me raketa, në shekullin XXI ku po jetojmë sot, rreziku është pushtimi i mendjes. Dhe ky pushtim është më i rrezikshëm, sepse është i padukshëm, dhelpërak dhe pranohet me dorëheqje nga vetvetja.

I dashur lexues, kam disa këshilla miqësore për ty:

1. Shmangi burimet e huaja armiqësore: kush informohet nga Beogradi, jeton me lajmet dhe me planet e Vuçiqit dhe të Ivo Andriqit.

2. Ndërtoni platforma të pavarura shqiptare, jo vegla të kompanive e të liderëve partiak, por krijoni hapësira ku fjala e lirë dhe e vërteta kanë përparësi.

3. Kërkoni llogari oligarkëve mediatikë: pa transparencë mbi pronësinë e mediave, çdo "lajm" është potencialisht propagandë.

4. Zhvillo mendim kritik: mos prano asnjë informacion si të mirëqenë; detyrimi i intelektualit është të thotë të vërtetën dhe të ekspozojë gënjeshtrën. Mos prano mbeturina, përjashto!

Konsekuent deri në fund; Nëse nuk ndërtojmë rrjete të pavarura mediatike/informacioni, do të mbetemi një komb pa zë, i kolonizuar në krye e në mendje, përpara se të jemi të kolonizuar në territore.

Sepse, mos harro, pavarësia informative është, pikë së pari, betejë për mbijetesë njerëzore, e jo vetëm kombëtare; Kush kontrollon informacionin, t'a kontrollon mendjen. Kush t'a kontrollon mendjen, të kontrollon ty, familjen dhe të ardhmen tënde.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".