Deklaratat e fundit të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese kanë ngjallur polemika të shumta

Deklaratat e fundit të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese kanë ngjallur polemika të shumta
Deklaratat e fundit të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese kanë ngjallur polemika të shumta

Zef Prenka

  • 09 September 2025 - 13:16

Nga Zef Prenka

Deklaratat e fundit të profesorit dhe ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, kanë ngjallur polemika të shumta, duke shtuar një shtresë tjetër komplekse në skenën politike tashmë të tensionuar të Kosovës. Teksa qeveria në detyrë përballet me kritika për dështimin në përmbushjen e kërkesave të qytetarëve, veprime të caktuara, si konstituimi i Parlamentit, janë cilësuar si suksese relative. Megjithatë, pikërisht në këtë kontekst, moszgjedhja e kandidatit serb për postin e nënkryetarit të Parlamentit, pavarësisht përpjekjeve, nxjerr në pah një problematikë serioze – atë të vetos së mundshme të minoritetit serb.

Hasani, me deklaratat e tij, po e drejton theksin te një interpretim specifik i Kushtetutës, duke argumentuar se mosvotimi i kandidatit serb përbën shkelje të parimit të pjesëmarrjes së minoriteteve në institucionet kryesore. Kjo çështje është thelbësore: a po rrezikon Kosova të bie në grackën e një vetoje minoritare, ku një komunitet i caktuar mund të bllokojë proceset e vendimmarrjes duke u thirrur në të drejtat kushtetuese?

Në këtë rast, duket sikur Enver Hasani po e ndërgjegjëson publikun (dhe njëkohësisht po e dëmton Fuqinë Ekzekutive dhe Kushtetuese), për një rrezik të madh: atë që Serbia mund ta shfrytëzojë këtë situatë për të diskredituar Kosovën në arenën ndërkombëtare. Deklaratat e tij, sado të pakëndshme, mund të shikohen si një thirrje për reflektim, një paralajmërim që mosplotësimi i kërkesave kushtetuese, qoftë edhe në formë, mund të sjellë pasoja të rënda. Ai po vë në pikëpyetje thelbin e sistemit tonë demokratik, duke theksuar se detyrimet kushtetuese nuk janë një opsion, por një domosdoshmëri.

Nëse Kosova nuk arrin të përmbushë këto detyrime, ajo rrezikon të bllokojë jo vetëm funksionimin e brendshëm të institucioneve, por edhe procesin e integrimit evropian. Një situatë e tillë mund t'i japë Serbisë argumente të forta për të akuzuar Kosovën për diskriminim dhe për të justifikuar veprimet e saj destabilizuese.

Në fund të fundit, Enver Hasani po ndez një debat të nevojshëm: a duhet Kosova t'i shohë detyrimet ndaj minoriteteve si një barrë, apo si një mundësi për të treguar pjekurinë e saj demokratike? Zgjedhja e një kandidati serb nuk është thjesht një akt formal, por një simbol i angazhimit të Kosovës për një shoqëri multietnike dhe funksionale. Moskryerja e këtij veprimi, pavarësisht arsyeve, mund të kthehet në një precedent të rrezikshëm që e dërgon Kosovën drejt një udhëkryqi të vështirë, ku vetot minoritare mund të bëhen një realitet i hidhur.

Kosova duhet të tregoj Lidership dhe jo të mbetët peng i manovrave të minoriteteve

Në një moment kur funksionimi i institucioneve të Kosovës vihet në pikëpyetje, theksi duhet të zhvendoset nga interpretimet ligjore në parimin e lidershipit. Argumentet se Lista Serbe duhet t'i nënshtrohet standardeve kushtetuese të Republikës së Kosovës, e jo anasjelltas, janë plotësisht të vlefshme. Nëse një entitet politik nuk i njeh themelet e shtetit brenda të cilit kërkon të funksionojë, a është e arsyeshme që ky shtet të bllokohet për shkak të kërkesave të tij?

Jo! 

Atyre subjekteve politike duhet t’iu thuhet vëndosmerisht:Kush e njeh shtetin demokratik-  Republikën e  Kosovës urdhëroni në bashkëjetesë demokratike, politiko - shoqërore

Kjo nuk është thjesht një çështje e "votimit" apo "mosvotimit" të një kandidati, por një test i lidershipit të Kosovës. Një shtet i pjekur dhe i sigurt nuk mund të lejojë që funksionaliteti i tij të pengohet nga forca që shërbejnë interesat e një shteti tjetër. Zgjedhja e kryetarëve dhe nënkryetarëve të Parlamentit është një proces thelbësor për vijueshmërinë e punës legjislative. Vonesat apo bllokimet e shkaktuara nga moszbatimi i detyrimeve kushtetuese nga njëra palë duhet të trajtohen me vendosmëri dhe jo me pasivitet.

Përkundrazi, kjo situatë i jep mundësinë Kosovës të tregojë pjekuri. Ajo duhet të veprojë në mënyrë të tillë që të sigurojë funksionimin e institucioneve, duke mos u bërë peng i asaj që e quajmë "prapështi politike". Në vend që të përqendrohet te interpretimet e kundërta ligjore, Kosova duhet të vazhdojë me forcimin e institucioneve dhe të tregojë se është një shtet i fortë, i pavarur dhe i vendosur, i cili zbaton ligjet e veta për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe ata që kanë rezerva ndaj shtetësisë së saj.

Në fund, pyetja që shtrohet është: A është e gatshme klasa politike e Kosovës të ngrihet mbi interesat e ngushta partiake dhe të demonstrojë lidershipin e nevojshëm për të mbrojtur sovranitetin dhe funksionalitetin e shtetit, apo do të ngelet e kapur në interpretimet e ndërlikuara ligjore dhe lojërat e pushtetit, duke i dhënë kështu një avantazh atyre që dëshirojnë të dëmtojnë imazhin e saj?

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".