'KOSOVA SOT' la gjurmë të pashlyeshme dhe ka merita edhe për arritjet e Kosovës, së pari në pavarësinë dhe pastaj në shtetformimin e vendit

'KOSOVA SOT' la gjurmë të pashlyeshme dhe ka merita edhe për arritjet e Kosovës, së pari në pavarësinë dhe pastaj në shtetformimin e vendit
'KOSOVA SOT' la gjurmë të pashlyeshme dhe ka merita edhe për arritjet e Kosovës, së pari në pavarësinë dhe pastaj në shtetformimin e vendit

Skender Mulliqi

  • 11 September 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi

27 vite të botimit të gazetës prestigjioze mbarëkombëtare, Kosova Sot, obligojnë. Ky shtegtim nuk ishte i lehtë për gazetën e cila filloi nismën e saj nën okupimin e Kosovës nga Serbia fashiste e Millosheviqit. Kosova Sot la gjurmë të pashlyeshme dhe ka merita edhe për arritjet e Kosovës, së pari në pavarësinë dhe pastaj në shtetformimin e vendit në kushte të lirisë së fituar me shumë gjak, nga okupatori i serbomadhisë, të kryekriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviq.

 

-Kjo gazetë kaloi ditë të vështira, ku për dy vite veproi në kushte tejet të rënda, kur po ndizeshin flakët e luftës çlirimtare për Atdhe. Kjo gazetë ishte e ngjizur me kërkesat shekullore të shqiptarëve për liri, ku edhe iu ishin djegur lokalet e gazetës nga fashistët serbë. Por, asnjëherë nuk u ndal të përçojë dhe të luftojë që Kosova të jetë e lirë.

Shumë vështirë ishte dalja te lexuesit tanë shumë të respektuar dhe të dashur, se ishin kohë të vështira, kur fashizmi serb kishte marrë hov, duke vrarë dhe masakruar shqiptarët në tokat e tyre. Gazeta në fjalë dhe gazetarët e saj, nuk i ndali makineria vrastare serbe për të plasuar të vërtetën dhe vetëm të vërtetën për shqiptarët nën okupim. Më pas, Kosova Sot bëri shtegtim të pandalshëm deri në zemrat e lexuesve, duke pushtuar kudo në trevat shqiptare si dhe në diasporë. Kosova Sot ishte dritarja jonë e komunikimit me botën dhe lexuesit. Ka një historik të shenjtë të saj në përhapjen e virtyteve, ku u ballafaqua me rrethana të vështira të kohës. Por, entuziazmi dhe vullneti i gjithë stafit të kësaj gazete dhe bashkëpunëtorëve të saj, bënë të pamundurën që kjo gazetë kurrë deri më sot mos të ndalet.

Kosova Sot një pjesë të madhe ia kushtoi edhe trasimit të rrugës për gjeneratat e reja se si duhet dashur Atdheu dhe Kombi. Ishte kjo gazetë në kërkim të identitetit të mirëfilltë të saj, që e dalloi atë për ngjarjet dhe vështrimet e plasuara të rrjedhave shoqërore dhe politike, por edhe ekonomike në Kosovë. Thyerjet e mëdha politike, proceset e ndërlikuara për vendin, si lufta çlirimtare dhe veprimet gjenocidiale nga ish-pushtuesi serb në Kosovë, gazeta të gjitha këto ngjarje i përcolli me dinjitet dhe paanshmëri deri në ditët e sotme.

Kosova Sot, që nga viti 2000 kur Kosova ishte shtet sovran dhe i pavarur nga Serbia fashiste, e deri më tash, u karakterizua me një profilizim profesional në përmbajtjen e gazetës. Edhe tash, kur çuditërisht vetëm Kosova nuk ka gazetë të shkruar, nëpërmjet faqeve të saj të internetit, po vazhdon të përfitojë zemrat e qindra mijëra lexuesve, jo vetëm në Kosovë. Ka arritur të realizojë objektivat e saj, ku për shumëçka është meritore.

Kurse neve, në këtë shkrim të shkurtër për gazetën e madhe, Kosova Sot, na takon t’i urojmë jetë të gjatë dhe suksese të vazhdueshme në lartësimin e fjalës së shkruar, për të informuar saktë publikun.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".