
Vrasja qyqare e Charlie Kirk në SHBA ishte pasojë direkte nga polarizimi i shoqërisë


Gezim Mekuli
Fjala, fotografia dhe Kallashnikovi vrasin, gazetarë e liderë partiak, kujdes, mos luani me to! - A duhet të presim një tragjedi të ngjashme në Prishtinë ose Tiranë për ta kuptuar se fjala vret?
Nga Gëzim Mekuli /Njohës i shkencave të mediave dhe retortikës/
Vrasja qyqare e debatuesit amerikan Charlie Kirk në SHBA nuk ishte thjesht një krim individual. Ishte pasojë direkte e një klime të ndezur nga retorika e urrejtjes, nga polarizimi i shoqërisë dhe nga mediat që për vite me radhë i ushqyen qytetarët me britma, lajme të rreme, dhe akuza të pabazuara.
Një shoqëri e polarizuar, e bombarduar çdo ditë me mesazhe përçarëse, nuk kishte si të shpëtonte pa e shndërruar fjalën në dhunë. Dhe dhuna mbrëmë mori jetën e një njeriu. Atentati në SHBA është dëshmi e qartë se komunikimi publik i bazuar në urrejtje dhe retorika e luftës nuk mbetet kurrë vetëm fjalë; kjo përfundon në plumba.
Ta them hapur: Në SHBA, presidenti dhe mediat kontribuan fort në këtë klimë. Në vend që të qetësonin publikun, ata ngritën akuza të përgjithshme, i quajtën kundërshtarët “terroristë” dhe po krijojnë idenë e një lufte civile. Rezultati është ky: një shoqëri e ndarë në dy kampe armiqësore; NE dhe ATA, dhe një vrasje politike që tronditi jo vetëm kombin amerikan. E kjo tragjedi duhet të jetë një paralajmërim i qartë edhe për ne shqiptarët.
A është Kosova dhe Shqipëria në rrezik, të nderuar lexues?
Vetëm disa muaj më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u kërcënua publikisht me vrasje. Një kërcënim që nuk lindi nga hiçi, por u ushqye prej muajsh me gjuhë urrejtjeje, nxitëse dhe manipuluese në diskursin publik.
Merrni si shembull deklaratat e Ramush Haradinaj, i cili vazhdimisht e quan Kurtin “Albin Serbia” apo “Albini është spiuni i Serbisë”. Këto fjalë nuk janë metafora politike. Në një shoqëri që e di fort mirë se Serbia të ka vra e të ka pre, kur ti e di se Serbia është armiku historik, e kur thua “Albin është spiun i Serbisë”, praktikisht ti po e shënjestron Kurtin si tradhtar.
Dhe historia jonë ka treguar se tradhtarët, sipas kësaj logjike të rrezikshme, nuk meritojnë të jetojnë. Pra, fjala, gjuha dhe retorika këtu nuk është vetëm fyerje; është thirrje e dhelpërake për eliminim, agjësim, dehumanizim.
Gazetarët dhe analistët shqiptarë: gjuha e tyre që ndez publikun
Për më tepër, në Prishtinë dhe Tiranë, gazetarët e analistët përdorin fjalor kërcënuese, shpifëse e luftënxitëse ndaj Kurtit dhe çdo figure politike që nuk pajtohet me ta. Në studiot televizive dëgjojmë shpesh fraza nga politikanet e opozitës dhe gazetaret e tyre si:
“Ky njeri është rrezik kombëtar.” “Ai po punon për armiqtë e Shqiptarëve.” “Duhet ndalur me çdo kusht.”
Lumir Abdixhiku, biles dje e tha për Kurtin: "Tradhëtar, ky njeri duhet ndaluar".
Të nderuar lexues,
Këto deklarata nuk janë sall analiza, janë etiketime që e dehumanizojnë kundërshtarin dhe i bëjnë thirrje publikut që ta shohë si armik të kombit. Në një vend ku tensionet politike janë gjithmonë të larta, kjo gjuhë e ky komunikim publik është benzinë mbi zjarr.
Media sociale; forumi i urrejtjes pa filter
Më pas vjen media sociale, ku këto etiketime, propaganda, shpifje dhe kërcënime shpërndahen pa asnjë filtër tek të rinjtë dhe fëmijët. E përsëris, shumë gazetarë e portale nuk mendojnë dy herë përpara se të publikojnë tituj sikurse: “Kurti po shkatërron Kosovën.” “Tradhtia e Kurtit po i sjell përfitime Serbisë.” etj., etj.
Të nderuar,
Këto tituj nuk janë informim; janë dezinformim, janë propagandë. Dhe propaganda e këtij lloji është shkalla e parë drejt dhunës politike. Këtu urrejtja po normalizohet; e aty ku urrejtja normalizohet, dhuna bëhet e pashmangshme.
Në SHBA, ky proces i komunikimit të egër publik e solli vrasjen e Charlie Kirk. Atje, një gjuhë e ashpër që nisi në debate televizive dhe u shpërnda në rrjete sociale, u shndërrua në polarizim të plotë dhe përfundoi me një atentat.
Shtrohet pyetja: A duhet të presim një tragjedi të ngjashme në Shqipëri ose Kosovë për ta kuptuar se fjala vret?
Politikanët shqiptarë, në Tiranë e Prishtinë, duhet ti vënë gishtit kokës e të ndalojnë përdorimin e gjuhës shpifëse që etiketojnë kundërshtarin si “armik”, “tradhtar” apo “spiuni i Serbisë”.
Gazetarët dhe analistët duhet të marrin përgjegjësi për fjalën e tyre, sepse fjala e tyre formëson opinionin publik. Nëse analistët dhe (pa)kryeredaktorët vazhdojnë të nxisin urrejtje publike, atëherë janë po aq përgjegjës për dhunën e ardhshme sa edhe ata që do të tërheqin këmbëzën e kobures.
Nëse sot nuk e ndalim retorikën shpifëse e të urrejtjes, nesër nuk duhet të habitemi kur lajmi i parë i ditës në Tiranë apo Prishtinë të jetë një "vrasje politike".
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".