JEMI PARA NJË KATASTROFE – KOSOVA PO SFIDOHET NGA BRENDA DHE NGA JASHTË!

JEMI PARA NJË KATASTROFE – KOSOVA PO SFIDOHET NGA BRENDA DHE NGA JASHTË!
JEMI PARA NJË KATASTROFE – KOSOVA PO SFIDOHET NGA BRENDA DHE NGA JASHTË!

Ismail Muçiqi

  • 13 September 2025 - 09:15

Shkruan: Ismail Muçiqi

Nuk jemi të vetëdijshëm për gjendjen aktuale politike, shoqërore dhe të sigurisë që po mbretëron në Republikën e Kosovës dhe rreth saj. Kosovës i janë vënë pykat në të katër anët: shteti po sfidohet nga lufta për pushtet e partive politike, nga grupet e interesit të mafisë ekonomike, si dhe nga disa media private joprofesionale të cilat po e nxisin e po e polarizojnë shoqërinë, duke përçarë bërthamën e popullit.

Po ashtu, Kosova po sfidohet nga pseudoanalistë dhe disa opinionistë tashmë të njohur për publikun, të cilët qëndrojnë kujdestarë për të krijuar sa më shumë defetizëm dhe kaos. Nga ana tjetër, Kosova po sfidohet nga shteti më armiqësor – Serbia – e cila ka aktivizuar mekanizmat më të ndryshëm të diplomacisë duke zhvilluar propagandë kundër Kosovës. Kjo po sfidohet edhe nga disa diplomatë të shteteve të caktuara që ishin ndërmjetësues në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilët përmes kanaleve diplomatike shpesh ia kanë mbajtur anën Serbisë. Nuk duhet harruar se pati diplomatë që Serbia, përmes formave të ndryshme, i korruptoi për të lobuar në interes të saj. Serbia, gjithmonë konspirative e anti-Shqiptare, përmes diplomacisë zyrtare dhe asaj të fshehtë ka depërtuar deri në Kongresin dhe Senatin Amerikan, duke shantazhuar disa diplomatë që të lobojnë kundër Kosovës. Sidomos gjatë këtij viti, Serbia ka formuar një shtab diplomatik në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, i cili po zhvillon aktivitet të përhershëm, madje duke depërtuar deri në disa shtete të Afrikës për të vepruar kundër shtetit të Kosovës. Të gjitha këto zhvillime po ndodhin në dëm të Kosovës. Partitë politike nuk janë në gjendje të kuptojnë, ose nuk duan të kuptojnë, se situata politike dhe e sigurisë në Kosovë e në rajon është tejet serioze. Bllokimi i institucioneve të shtetit është moment i zi për shtetin dhe popullin e Kosovës. Mjerisht, niveli i vetëdijes dhe i aktivizmit politik të qytetarëve ka rënë për tokë. Kudo mbretëron një amulli dhe një heshtje që mbizotëron në të gjitha shtresat e shoqërisë – gjë që duhet të na shqetësojë të gjithëve. Në vend të kësaj janë ngritë në këmbë njerëzit pa kompetence të cilët portaleve, mediave dhe opinioneve i komentojn vendimet e gjykatave, vendimet e institucioneve të shtetit duke u konfrontuar në mënyrën më primitive për interesat e ngushta karrieriste.

Turbulencat, konfliktet dhe luftrat që po zhvillohen gjithandej Planetit trokasin në mendjen dhe vetëdijen e çdo njeriu që jeton në këtë kohë, duke e thirrur për angazhim në mbrojtje të paqes dhe sigurisë – nga familja deri tek piramida e shtetit. Asnjëherë Bota nuk ka qenë më e rrezikuar nga shpërthimi i Luftës së Tretë Botërore. Këtë e dëshmon lufta në Ukrainë, konfliktet në Lindjen e Mesme, si dhe pasiguria në shtetet e Evropës. Me një fjalë, rendi Botëror po shembet dalëngadalë, gjë që e vërteton edhe pafuqia e Këshillit të Sigurimit dhe e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara për të zgjidhur konfliktet dhe për të ruajtur paqen. Në fund, duhet theksuar se rendi i ri Botëror ka filluar të ndërtohet mbi interesat e fuqive të mëdha. Çfarë do të sjellë e nesërmja, askush nuk mund ta thotë me siguri.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".