
Nga shtet lypsar në partner strategjik: Kosova që i duhet Amerikës


Fadil Maloku
Nga Fadil Maloku
Konteksti sociologjik;
Kosova nuk mund të qëndrojë më vetëm duke pritur ndihma apo udhëzime nga SHBA-ja. Ajo duhet të fillojë të ofrojë një vizion konkret e strategjik, i cili përputhet me interesat afatgjata amerikane në rajon. Me pak fjalë, duhet të shndërrohet nga një vend që kërkon ndihmë, në një partner që sjell zgjidhje dhe stabilitet.
1. Proaktivitet, jo pasivitet i Kosovës;
Nuk mund të jemi më një shtet “lypsar i pasluftës”, që kërkon në vazhdimësi mbikëqyrje të përhershme për çdo gjë nga sponsorët tanë. Kosova duhet të fillojë të dëshmojë se di të krijojë politika dhe projekte që i shërbejnë jo vetëm interesave të veta, por edhe partnerëve përtej Atlantikut. Është e kuptueshme se një projekt i tillë kërkon bashkëpunim specifik dhe bashkërenditje koherente, sidomos me universitete, media, shoqërinë civile dhe institucionet shtetërore.
2. Siguria dhe kapacitetet ushtarake;
Duhet të kuptojmë se interesi vital dhe strategjik i Amerikës, në këtë fazë të lëvizjeve tektonike gjeopolitike, është një Ballkan i qetë, stabil, i patrazuar dhe i pandikuar nga interesat ruse e kineze. Në këtë drejtim, Kosova mund të ndihmojë shumë. Por si?
• Duke zgjeruar kapacitetet e saj ushtarake, jo vetëm për ta mbrojtur veten, por edhe për të mbështetur interesat gjeostrategjike amerikane;
• Duke shndërruar gjithë shtetin në një “buffer zone” që kujdeset online kundër ndikimit ruso-kinez;
• Duke ngritur dukshëm kapacitetet edukativo-arsimore.
Në këtë kuadër, do të ndihmonte shumë krijimi i një kampusi “Made in America”, i cili do t’i mundësonte Kosovës të:
• formojë elita të reja me orientime të pastra perëndimore;
• ngrejë nivelin e arsimimit dhe vetëdijësimit për rëndësinë e dijes;
• forcojë vlerat demokratike dhe pro-amerikanizmin*)
*) Shembull frymëzues është AUBG në Bullgari, ku investimet amerikane kanë krijuar një laborator të tërë për formimin eelitave të reja...)
3. Diplomacia inteligjente dhe diaspora:
Kosova duhet gjithashtu të fillojë të përdorë një diplomaci të re, inteligjente, praktike e pragmatike. Ky projekt duhet të përfshijë:
• angazhimin e diasporës shqiptare në SHBA për një lobim të ri e strategjik;
• formimin e një Këshilli Strategjik Shqiptaro-Amerikan, për komunikim të drejtpërdrejtë me Uashingtonin dhe promovim të interesave të përbashkëta;
• identifikimin e një agjende të re lobuese, me fokus në të gjitha trojet shqiptare.
4. Ekonomia dhe investimet strategjike;
Për ta mirëmbajtur idenë e faktorizimit shqiptar në rajon, Kosova duhet të ofrojë projekte të mëdha ekonomike, infrastrukturore dhe digjitale që:
• të jenë atraktive dhe inovative për kompanitë amerikane;
• të kontribuojnë në siguri dhe stabilitet rajonal;
• të mos mbeten në transaksione të përkohshme, por të kenë mandat afatgjatë.
Në fund, Kosova mund të bëhet një partner strategjik e i besueshëm për SHBA-në vetëm duke ofruar stabilitet, vizion afatgjatë, kapacitete edukative e ushtarake, diplomaci inteligjente dhe angazhim ekonomik. Vetëm kështu ajo del nga pozicioni i klientelizmit dhe fillon të shndërrohet në një aktor proaktiv në rajon – jo më një “viktimë infantile” pasive që në vazhdimësi kërkon përkujdesje dhe avokati vetëm për interesat e veta.
Mirëpo, ky projeksion kërkon një brezë të ri!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".