Pezullimi i Dialogut Strategjik, përveçse një dënim për Qeverinë Kurti, është edhe sinjal se SHBA-të po humbin durimin

Pezullimi i Dialogut Strategjik, përveçse një dënim për Qeverinë Kurti, është edhe sinjal se SHBA-të po humbin durimin
Pezullimi i Dialogut Strategjik, përveçse një dënim për Qeverinë Kurti, është edhe sinjal se SHBA-të po humbin durimin

Florim Zeqa

  • 17 September 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Do të doja që pezullimi i Dialogut Strategjik të ishte vetëm një taktikë presioni e përkohshme nga Uashingtoni ndaj Kosovës, por në fakt kjo është pak më shumë dhe më keq se kaq – është një dënim diplomatik për Qeverinë Kurti dhe sinjal se SHBA-të po humbin durimin me lidershipin aktual të Kosovës.

 

-Në njoftimin e Ambasadës Amerikane thuhet: “Veprimet e Qeverisë Kurti kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.”

Për më keq se kaq, pas këtij veprimi të Ambasadës Amerikane do të kemi edhe përkeqësim të pozitës së Kosovës për anëtarësim në NATO. Pezullimi i Dialogut Strategjik, përveçse një dënim diplomatik për Qeverinë Kurti, është edhe sinjal se SHBA-të po humbin durimin me lidershipin aktual të Kosovës!

Me veprimet e pamatura, me arrogancën e forcës së pushtetit dhe mungesën e koordinimit me partnerin strategjik dhe ekzistencial të shtetit tonë, Albin Kurti e ka humbur mbështetjen tradicionale amerikane ndaj Kosovës.

Pezullimi i raporteve amerikane me Kosovën, qoftë edhe i përkohshëm, do të jetë me pasoja afatgjata për Kosovën. Ky është një lajm i rëndë dhe i kobshëm, i cili paralajmëron ‘dimër’ të ashpër për Kosovën!

Përderisa vendet e rajonit, si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, po thellojnë lidhjet me SHBA-në, Kosova po rrezikon të izolohet për shkak të veprimeve politike si në planin e brendshëm edhe në atë të jashtëm!

Pezullimi për një kohë të pacaktuar i Dialogut Strategjik të planifikuar me Kosovën, për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë në detyrë të Albin Kurtit, nuk do të rishikohet shpejt – mbase për aq kohë sa nuk do ta kemi një qeveri të re!

Deri atëherë, Kosova rrezikon të vendnumërojë me sanksione ndërkombëtare dhe pa mbështetje amerikane!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".