‘Pezullimi i Dialogut Strategjik është masë aksidentale, njësoj si rrëzimi i Qeverisë Kurti 1’

‘Pezullimi i Dialogut Strategjik është masë aksidentale, njësoj si rrëzimi i Qeverisë Kurti 1’
‘Pezullimi i Dialogut Strategjik është masë aksidentale, njësoj si rrëzimi i Qeverisë Kurti 1’

Idriz Zeqiraj

  • 20 September 2025 - 09:03

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Pa mëdyshje, Kosova lakmon dhe xhelozon pozitivisht, pse vendet e rajonit, si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po thellojnë lidhjet me SHBA-në. Realisht, pezullimi i Dialogut Strategjik nuk ka bazë reale, madje është masë aksidentale, njësoj si rrëzimi i Qeverisë Kurti 1, që i solli dëme të mëdha Kosovës, por me ndikim negativ edhe në rajon.

 

-Shtrirja legjitime e sovranitetit shtetëror në veriun e Kosovës është një "keqkuptim" i shtirur dhe krejt artificial nga BE-ja, përfshirë edhe SHBA-në. PAN-i, por edhe LDK-ja, trumbetojnë se "ne e kishim shtrirë sovranitetin në veri." Këtij legeni të shpuar i bie vegla e Hashimit, Edita Tahiri, e cila ka gënjyer shqiptarët për vite me radhë, se "po bëjmë vetëm dialog teknik", ndërkohë që ajo me Hashimin bënin dialog puro politik!

Realisht, as fije sovraniteti nuk kishte në veriun e Kosovës. Atje qeverisnin bandat çetnike, me dirigjim të drejtpërdrejtë nga Beogradi zyrtar. Albin Kurti dhe Qeveria e tij i kanë kërkuar BE-së, sidomos shteteve të Quintit, SHBA-së, për të vendosur rend dhe ligj në atë pjesë integrale të Kosovës. Ose kanë heshtur me injorim të një kërkese legjitime, ose kanë thënë: "duhet të bisedohet në Bruksel, me palën serbe!"

Për çfarë duhet biseduar, kur Kushtetuta, me ligjet e saj, përcakton qartazi për të gjitha ndërhyrjet e Qeverisë, të cilat ishin superlegjitime? Krahas reagimit, kundërshtisë kriminale të Beogradit zyrtar, e pasonte BE-ja dhe, jo rrallë, SHBA-ja, duke e konsideruar si provokim të minoritetit serb në Kosovë. Absolutisht, fajësia bie mbi BE-në dhe ndërkombëtarët, të cilët e miklojnë Serbinë dhe e sanksionojnë, madje padrejtësisht dhe arbitrarisht, Kosovën!

Ishte logjike kërkesa e BE-së dhe SHBA-së se Kosovës i duhet një Qeveri stabile, respektivisht, një koalicion me shumësi deputetësh. Kurti, me LVV-në e tij, e pranoi këshillën e sinqertë të ndërkombëtarëve dhe ofroi bashkëqeverisje LDK-së, si parti e pakriminalizuar. Nuk pati ofertë për PDK-në dhe AAK-në, duke i cilësuar të pariformuara, përkatësisht, të kriminalizuara. Sepse, pranimi i tyre në bashkëqeverisje e kriminalizon tërë qeverinë! Propozimet e opozitës për qeveri teknike dhe propozime të tjera të ngjashme, ishin jashtë çdo standardi dhe logjike. Rrjedhimisht, opozita destruktive, me kushtin e marrjes së pushtetit në tavolinë, solli edhe pezullimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në.

Megjithatë, Presidentja Vjosa Osmani është optimiste se do të mbizotërojë arsyeja. LDK-ja, si parti institucionale, do të reflektojë dhe kompromisi për bashkëqeverisje do të jetë përmbajtësor dhe lëndor, duke shmangur rrezikun e izolimit. Përvoja e hidhur e karrierizmit në LDK rrënoi partinë e Presidentit Rugova. Ky pësim duhet t’i shërbejë klasës politike të sotme. Qenia i parë apo i dytë, në një koalicion të sinqertë, për hir të Kosovës, do të ishte domethënëse.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".