
Lexoni edhe:
E konstaton analisti: Nuk jemi prishur me Amerikën, bëhet fjalë vetëm për pezullimin e përkohshëm të PLANIFIKIMIT për Dialog Strategjik
Shkruan: ANALISTI-Isuf Bajraktari
Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara pezulluan për një kohë të pacaktuar planifikimin e Dialogut Strategjik me Kosovën – një vendim i rëndë dhe një nga sinjalet më serioze të ftohjes në marrëdhëniet Kosovë–SHBA viteve të fundit. Sipas raportimeve, kjo ndodhi për shkak të shqetësimeve për veprimet e qeverisë Kurti, përfshirë sulmet ndaj sistemit të drejtësisë dhe kritikat ndaj Gjykatës Kushtetuese.
E konstaton analisti: Nuk jemi prishur me Amerikën, bëhet fjalë vetëm për pezullimin e përkohshëm të PLANIFIKIMIT për Dialog StrategjikLexoni edhe:
-Në vend që të japë një sinjal për korrigjim dhe koordinim më të mirë me aleatin strategjik, kryeministri Kurti u mjaftua me deklaratën se “nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime”. Kjo qasje e lehtë dhe paksa indiferente nuk është e mjaftueshme për një situatë që prek themelin e shtetësisë sonë. Marrëdhëniet me SHBA-në nuk janë luks politik, por themeli mbi të cilin qëndron Republika e Kosovës. Pa mbështetjen e tyre nuk do të kishim as liri, as pavarësi, as sigurinë që kemi sot.
Shteti i Kosovës ka detyrim të shtrijë sovranitetin në gjithë territorin, por kjo duhet bërë me diplomaci të mençur dhe në koordinim me partnerët. Strategjia aktuale ndaj strukturave ilegale të Serbisë shpesh duket më shumë si konfrontim sesa bashkërendim, duke na ekspozuar ndaj krizave dhe presioneve.
Deklarata e kryeministrit se opozita “stërmadhon” këtë krizë është gabim. Qytetarët duan garanci konkrete se partneriteti me SHBA-në mbetet i pathyeshëm. Liria është fituar një herë – nuk ka liri të dytë, as çlirim të dytë. Kosova ka nevojë për politikë të jashtme pragmatike dhe vizionare, jo për eksperimente ideologjike që na mbajnë në krizë permanente.
Qeveria e Kurtit, me gjithë retorikën e saj kombëtare, po rrezikon të izolojë Kosovën. Ai sillet si politikan lokalist, i përqendruar në konsolidimin e pushtetit të brendshëm, duke harruar se Kosova jeton nga partneriteti strategjik me SHBA-në dhe botën demokratike. Nëse vazhdojmë me këtë kurs, rrezikojmë krizë politike, stagnim ekonomik dhe dobësim të pozitës sonë në dialogun me Serbinë.
Është urgjente që Kurti dhe qeveria e tij të ndryshojnë kursin, të rikthejnë partneritetin strategjik me SHBA-në dhe të dalin nga kornizat ideologjike që e mbajnë Kosovën të mbyllur në vetvete. Kosova nuk ka luksin të humbasë Amerikën për shkak të ego-s politike.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".