
Lexoni edhe:
Vjen paralajmërimi: Qeveria në detyrë ka rrëshqitur drejt një izolimi të rrezikshëm politik
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Vërtet, Amerika nuk është aq modeste sa për të duruar sfidimin nga mini-shtetet, siç është Kosova. Shprehjet banale, në mos idioteske, si "Amerika na mbështeti", "Amerika na përkrahu", nuk janë reale dhe as adekuate. Duhet pranuar se Amerika, me aleatët e saj, e çliroi Kosovën dhe këtë duhet ta themi me zë të lartë. "Ne e fituam Luftën, ju fitoni Paqen", ka deklaruar, madje prerazi, Presidenti Bill Clinton, i cili dha firmën e parë për nisjen e bombardimeve të NATO-s me avionët Apaç mbi Serbinë agresore serbo-sllave.
-Ndërkohë, merakosja e SHBA-së për "sulmet" e Albin Kurtit kundër Gjykatës Kushtetuese dhe mediave në Kosovë është dezinformim i skajshëm e kriminal, i përhapur nga opozita PAN-iste, që është rast i kriminalizuar. Sistemi i Drejtësisë në Kosovë, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, është tërësisht i kapur nga PAN-i. Shumë mijëra lëndë penale janë stoqe ndër vite e dekada, që presin të parashkruhen. Mesatarisht, 8 vite i duhet një lënde penale për t'u zgjidhur! Kjo nuk ka të bëjë fare me mungesën e personelit gjyqësor, por ekskluzivisht me burokracinë korruptive.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është pajtuar me mediat e kapura nga subjektet e koalicioneve PAN. Asfare nuk i bëjnë përshtypje kur, në debatet televizive, çdo ditë e natë, nga 6 analistë, 5 prej tyre janë PAN-istë të sertë, të cilët shajnë e shpifin ndaj LVV dhe LDK-së. Edhe vetë televizioni publik, RTK, sulmon Gjykatën Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, duke himnizuar krimin dhe kriminelët. Pikërisht, nga propaganda lehaqene e subjekteve politike të kriminalizuara, vijnë burimet e informimit për ndërkombëtarët, të cilat i plason edhe Shoqëria Civile, gjithashtu pjesë e PAN-it.
Megjithatë, pas kumtimit të pezullimit të Dialogut Strategjik nga e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane, Annu Prattipati, natyrisht, me një ashpërsi paksa të tepruar, dy ditë më vonë, nga SHBA pati mesazhe shprese se Kosova do ta gëzojë edhe më tej mbështetjen amerikane. Por, ajo parashtroi disa kushte të pranueshme, duke theksuar se Amerika dëshiron partnerë seriozë, të përgjegjshëm, bashkëpunues dhe të dëgjueshëm. Reflektimi i klasës politike është i mundshëm.
Një javë më parë, zonja Annu Prattipati, për herë të parë, deklaroi se sistemi paralel i arsimit dhe shëndetësisë duhet të suprimohet, për t'u integruar në sistemin shtetëror të Kosovës. Një masë e tillë nga SHBA dhe BE do të lehtësonte shumë punën e organeve komunale dhe qendrore të Kosovës. Sepse është absurd që shteti pushtues i djeshëm të ketë ndikim në këto dy institucione vitale të shtetit të Kosovës!
Për çudi, vetëm 5 ditë më vonë, një zyrtar gjerman tërheq vërejtjen se Qeveria Kurti nuk duhet ta prekë sistemin paralel në arsim dhe shëndetësi të serbëve të Kosovës!? Ky është një paradoks pa asnjë bazë ligjore, që edhe pas një çerek shekulli, Serbia vazhdon të ndërhyjë dhe provokojë shtetin e Kosovës me institucione të ndryshme paralele!
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në Tiranë, i kërkoi sekretarit të mëparshëm të shtetit amerikan të largohet Kurti nga posti i kryeministrit. Por, zotëria i mençur amerikan u përgjigj se "Albini ka shumë përkrahje në popull", duke e refuzuar kërkesën e argatit të Vuçiqit dhe të Grenellit.
Me punën voluminoze e ligjore që kryeministri Albin Kurti ka bërë në pastrimin e institucioneve paralele në veri të Kosovës, ai u ka lehtësuar punën edhe ndërkombëtarëve. Pikërisht për këtë, SHBA e vlerësojnë atë, dhe mbështetja amerikane për të mbetet e fortë. Natyrshëm, kërkohet maturi dhe koordinim, jo duke u lutur Serbinë, por duke konsultuar zyrtarët amerikanë në Kosovë dhe Uashington, si dhe miqtë tanë në BE. Le të urojmë që të jetë një taktikë presioni e përkohshme nga Uashingtoni. Angazhimi i klasës politike të Kosovës duhet të jetë i koordinuar për të arritur përsëri Dialogun Strategjik me SHBA-në.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".