
Lexoni edhe:
Alarmon analisti: Prishja e marrëdhënieve me Amerikën është ashiqare prishje e shtetit të Kosovës
Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani
Daniel Serwer, një nga mbështetësit më të hershëm të pavarësisë së Kosovës dhe ndërmjetësues i njohur në Marrëveshjen e Dejtonit, vazhdon të jetë një zë me ndikim në debatet për sigurinë dhe të ardhmen politike të Kosovës. Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ai shprehu shqetësimin për ftohjen e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke sugjeruar nëse këto mardhënje nukë ripërtrhen Kosova duhet të forcojë lidhjet me aleatë të tjerë si Japonia, Koreja e Jugut dhe Greqia – në një kohë kur, sipas tij, SHBA po zhvendos vëmendjen nga Ballkani.
-Serwer theksoi: “Mbështetja më e rëndësishme e SHBA-ve është prania e ushtarëve amerikanë në terren, dhe Kosova duhet t’i mbajë ata aty”, duke shtuar se situata në veri, dhe mungesa e integrimit të serbëve në institucionet e vendit paraqet rrezik për themelet e shtetit. Ai gjithashtu vuri në dyshim aftësinë e një qeverie në detyrë për të ndërtuar politika të qëndrueshme, veçanërisht në fushën e diplomacisë.
Këto vërejtje janë të rëndësishme dhe vijnë nga një mik i dëshmuar i Kosovës. Por në interpretimin e tyre duhet bërë dallimi mes një paralajmërimi të kujdesshëm dhe një konstatimi të nxituar. Ideja për krijimin e një "rrjeti alternativ" aleatësh mund të duket si strategji, por në realitet mbetet një propozim teorik iluziv, jo një zgjidhje konkrete për sfidat gjeopolitike që Kosova përballet sot.
Në fakt, prania ushtarake amerikane në Kosovë nuk është në rrezik. Përkundrazi – ajo është duke u konsoliduar. Angazhimi i SHBA-së në kuadër të KFOR-it mbetet i qëndrueshëm, dhe bashkëpunimi me Forcën e Sigurisë së Kosovës po thellohet. Nuk ka asnjë sinjal zyrtar për tërheqje ushtarake apo ndryshim të kursit strategjik të Uashingtonit ndaj Kosovës. Të sugjerosh të kundërtën është jo vetëm e pabazë, por mund të dëmtojë perceptimin ndërkombëtar për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.
Sa i përket partneriteteve të tjera ndërkombëtare – me vende si Japonia, Koreja e Jugut apo Greqia – ato janë të rëndësishme dhe duhet të kultivohen. Por këto marrëdhënie nuk mund të zëvendësojnë aleancën me SHBA-në, e cila mbetet boshti i sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit të Kosovës. Kjo aleancë është jo vetëm strategjike, por edhe historike dhe morale për popullin shqiptar.
Në këtë kontekst, përgjegjësia e udhëheqjes politike në Kosovë është e qartë: të mos lejojë që marrëdhëniet me SHBA-në të dëmtohen, por t’i forcojë ato përmes bashkëpunimit të qëndrueshëm, qeverisjes së përgjegjshme dhe diplomacisë së besueshme. Në vend që Serwer t’i sugjerojë Kosovës zgjerimin e aleancave si alternativë ndaj SHBA-së, ndoshta mesazhi më i dobishëm do të ishte drejtuar klasës politike: të rifitojë besimin e partnerëve dhe të rikthejë seriozitetin institucional.
Po ashtu, qeveria në detyrë ka detyrimin kushtetues dhe politik për të krijuar kushte që komuniteti serb të integrohet në institucionet e Republikës. Ky është një hap themelor për forcimin e sovranitetit, uljen e tensioneve në veri dhe ndërtimin e një shteti gjithëpërfshirës dhe funksionale.
Pezullimi aktual i dialogut strategjik me SHBA-në është një sfidë, por nuk përbën krizë. Ai duhet parë si një periudhë reflektimi dhe rivendosjeje të komunikimit, jo si kërcënim ndaj aleancës. Në fakt, është një mundësi për të rikthyer maturinë shtetërore dhe për të riformatuar bashkëpunimin me aleatin më të rëndësishëm të Kosovës.
Kosova nuk ka luksin të eksperimentojë me orientime të reja gjeopolitike në një mjedis rajonal të mbushur me tensione dhe ndërhyrje malinje. Ajo ka nevojë për qeverisje të përgjegjshme, për dialog të mençur dhe për diplomaci që ndërton ura besimi, jo që përçon paqartësi.
SHBA-ja nuk largohet nga Kosova. Përkundrazi – qëndron si garanci për paqen dhe sigurinë në Ballkan. Detyra e institucioneve të Kosovës është ta mbrojnë dhe ta forcojnë këtë aleancë, sepse është e pazëvendësueshme. Kjo është rruga e vetme drejt një të ardhmeje të qëndrueshme, sovrane dhe të sigurt për vendin.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".