Pezullimi i Dialogut Strategjik nga SHBA është një alarm politik

Pezullimi i Dialogut Strategjik nga SHBA është një alarm politik
Pezullimi i Dialogut Strategjik nga SHBA është një alarm politik

Isuf Bajraktari

  • 03 October 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Isuf Bajraktari

Kosova ndodhet në një pikë kritike të politikës së saj të jashtme. Pezullimi i Dialogut Strategjik nga SHBA më 12 shtator 2025 nuk është një incident teknik është një alarm politik që tregon se raportet tona me aleatin më të madh kanë hyrë në krizë. Qeveria në detyrë ka lejuar që marrëdhëniet me Uashingtonin të tensionohen, duke e zëvendësuar diplomacinë e koordinuar me retorikë populiste dhe ideologji të majta që shpesh flirtojnë me “neutralitetin aktiv”. Rezultati: rënie e besimit, stagnim i njohjeve të reja dhe humbje e ndikimit në arenën ndërkombëtare.

 



-Prania e trupave amerikane në Camp Bondsteel është garancia jonë kryesore e sigurisë dhe mburoja ndaj presionit serb. Çdo lëkundje e kësaj marrëdhënieje e bën Kosovën më të cenueshme në momente kur rajoni përballet me tensione të reja dhe kur NATO po rrit praninë e saj për ta ruajtur stabilitetin. Mbështetja amerikane nuk është e dhënë përgjithmonë, ajo duhet merituar përmes koordinimit të ngushtë, respektimit të protokolleve dhe politikave të parashikueshme.

Në vend të kësaj, diplomacia kosovare ka dështuar të ndërtojë boshtet e reja të aleancave. Japonia dhe Koreja e Jugut, që e kanë njohur Kosovën që nga 2008, ofrojnë potencial të jashtëzakonshëm në teknologji, energji të pastër dhe siguri kibernetike, por nuk ka asnjë projekt madhor që do të thellonte këto marrëdhënie. Edhe me Greqinë, që mbetet ndër 5 shtetet mosnjohëse të BE-së, mungojnë hapat praktikë për krijimin e interesave të përbashkëta ekonomike e rajonale. Në këtë vakum, Serbia vazhdon të përdorë rrjetin e saj diplomatik për të minuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Kjo gjendje nuk është e pashmangshme. Kosova ka ende mundësi ta rikthejë besimin e humbur por kërkohet strategji e qartë, e qëndrueshme dhe përtej cikleve elektorale. Duhet rikthyer urgjentisht dialogu me SHBA, vendosur projekte të mëdha me Japoninë e Korenë, hapur kanale bashkëpunimi me Greqinë dhe nisur fushatë të re për njohje ndërkombëtare.

Nëse vazhdon ky kurs ideologjik i mbyllur, Kosova rrezikon të mbetet e vetmuar në momentet kyçe. Boshti euro-atlantik nuk është luks politik – është themeli i shtetit tonë. Është koha që diplomacia të dalë nga retorika populiste dhe të rikthehet në funksionin e saj: mbrojtjen e interesit kombëtar dhe sigurimin e ardhmërisë euro-atlantike të Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".