Prenka: Qeveria Kurti ka humbur besimin e qytetarëve dhe ka minuar raportet me aleatët

Prenka: Qeveria Kurti ka humbur besimin e qytetarëve dhe ka minuar raportet me aleatët
Prenka: Qeveria Kurti ka humbur besimin e qytetarëve dhe ka minuar raportet me aleatët

Zef Prenka

  • 04 October 2025 - 09:05

Shkruan: ANALISTI-Zef Prenka

Qeveria në detyrë e Kosovës nuk është më një zgjidhje, por një problem. Ajo ka humbur besimin e qytetarëve dhe ka minuar raportet me aleatët ndërkombëtarë. Paralajmërimi i profesor Daniel Serwer nga Johns Hopkins është një goditje e rëndë në fytyrën e kësaj qeverie: Kosova rrezikon mbështetjen amerikane dhe, më e rëndësishmja, praninë ushtarake të SHBA-së në terren.

 

-Kjo është një çështje e ekzistencës së shtetit. Pa trupat amerikanë, Kosova mbetet e zhveshur përballë agresionit serb dhe ndikimit rus. E megjithatë, qeveria në detyrë po merret me propagandë të brendshme, duke e trajtuar politikën e jashtme si fushatë elektorale.

Në vend të forcimit të raporteve me SHBA-në, kjo qeveri i ka dobësuar ato. Në vend të hapjes ndaj aleatëve të rinj – Japonisë, Koresë së Jugut, Greqisë – nuk ka bërë asgjë. Asnjë vizion, asnjë plan, vetëm improvizim. Kosova po mbetet pa miq në momentin kur i duhen më shumë se kurrë.

Nëse qeveria ka humbur besimin brenda dhe jashtë, atëherë përgjigjja është e qartë: Kosova ka nevojë urgjente për zgjedhje të reja. Ky është hapi i vetëm për të rikthyer legjitimitetin dhe për të rifituar besimin e aleatëve tanë strategjikë.

Dhe këtu shfaqet një alternativë e qartë: Rrjeti i Intelektualëve Shqiptarë. Një platformë gjithëpërfshirëse, ku ekspertë të të gjitha fushave – pa marrë parasysh bindjet politike – bashkohen për ta shtyrë Kosovën përpara. Ky rrjet nuk synon pushtet për pushtet, por një projekt të përbashkët kombëtar, të bazuar në dije, profesionalizëm dhe përgjegjësi.

Kosova nuk ka kohë për të humbur. Çdo ditë me këtë qeveri është një ditë më afër izolimit. Çdo vonesë në zgjedhje është një rrezik për sigurinë dhe të ardhmen tonë. Koha e arnimëve ka mbaruar. Është koha për ndryshim të thellë dhe për një vizion të ri.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".