
Prenka: Kur idealizmi i Albin Kurtit, kthehet në izolim shtetëror


Zef Prenka
Nga Zef Prenka
Nëse dikur Albin Kurti shihej si simbol i shpresës dhe moralit politik, sot ai është bërë simbol i bllokimit institucional, izolimit diplomatik dhe stagnimit ekonomik të Kosovës. Ajo që nisi si revoltë qytetare kundër padrejtësive, është shndërruar në një qeverisje të mbyllur, ku kokëfortësia personale zëvendëson bashkëpunimin politik dhe strategjik.
Kriza e besimit me Perëndimin
Kosova, nën qeverisjen pesëvjeçare të Kurtit, ndodhet nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian, një precedent i paprecedentë për një vend që synon integrimin. Çdo fond zhvillimor i BE-së është bllokuar, projektet e bashkëfinancuara janë pezulluar, ndërsa besueshmëria ndërkombëtare e institucioneve kosovare është në pikën më të ulët që nga shpallja e pavarësisë.
Në vend të afrimit me Brukselin dhe Uashingtonin, Kurti ka ndërtuar një raport sfidues, ironik e shpesh përçmues, që ka rezultuar me një ftohje të thellë diplomatike. E ndërkohë që dyert e Perëndimit po mbyllen, dyert e Ankarasë janë gjithnjë të hapura — një orientim që për shumë analistë paraqet rrëshqitje drejt boshtit neo-otoman dhe zbehje të identitetit euroatlantik të Kosovës.
Qeverisje me dorë të fortë, por me rezultate të dobëta
Pas premtimeve të mëdha për “shtet të drejtë”, realiteti është ndryshe. Qeveria e Kurtit ka prodhuar ministri me aktakuza të rënda për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës publike. Skemat e tenderëve, favorizimet politike dhe dështimet menaxheriale janë mbuluar me dorëheqje formale, për t’u pasuar me amnistim politik nga vetë kryeministri.
Në thelb, antikorrupsioni i shpallur është kthyer në retorikë, ndërsa struktura qeveritare është e mbushur me militantë partiakë e jo me profesionistë. Për pasojë, administrata publike po tkurret në efikasitet dhe po zgjerohet në burokraci.
Ekonomia në vendnumërim dhe ikja masive e të rinjve
Në planin ekonomik, Kosova nuk ka shënuar asnjë rritje domethënëse. Investimet e huaja janë në minimumin e dekadës së fundit, papunësia mbetet e lartë dhe mijëra të rinj po largohen çdo vit nga vendi. Në vend që të krijojë politika zhvillimore, Kurti vazhdon të qeverisë me logjikën e krizës dhe retorikës nacionaliste, duke humbur fokusin tek mirëqenia qytetare.
Një drejtim i rrezikshëm për shtetin
Në arenën ndërkombëtare, qasja e Kurtit është e qartë: sfido Perëndimin, afrohu me Lindjen. Ai po përpiqet ta zëvendësojë diplomacinë klasike me nacionalizëm emocional, një formulë që mund të ndezë ndjenjat, por rrezikon ta izolojë shtetin.
Kosova, në këtë rrugë, po humbet mbështetjen e partnerëve që e krijuan dhe e mbrojtën, duke u zhytur në një zonë të paqartë gjeopolitike, ku askush s’e di më në cilin kamp real ndodhet.
Ursula von der Leyen – sinjali i fundit i “veshngjes”
Tani që pritet edhe vizita e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shumëkush e sheh këtë si sinjalin e fundit të “ngre-veshit” politike nga Brukseli.
BE po dërgon mesazhin e fundit të qartë: ose Kosova kthehet në binarët e bashkëpunimit perëndimor dhe zbatimit të marrëveshjeve, ose rrezikon izolim të gjatë politik e ekonomik.
Nëse edhe kjo vizitë nuk prodhon kthesë reale në sjelljen qeveritare, atëherë do të vuloset fundi i kredibilitetit ndërkombëtar të qeverisë Kurti.
Albin Kurti nuk është më simbol i ndryshimit, por simbol i ngecjes dhe vetëkënaqësisë politike. Qeverisja e tij është kthyer në një cikël premtimesh të pambajtura, izolimi ndërkombëtar dhe përplasje të brendshme.
Nëse Kosova nuk gjen një udhëheqje të re, me vizion shtetëror dhe orientim të qartë euroatlantik, vendi rrezikon të mbetet peng i një politike që ushqehet nga konfliktet dhe jeton nga populizmi.
Nuk ka asnjë fushëveprim që kënaq interesat e shtetit, përveq në atë që, po ia mundëson Vuçiqit, tentim invazioni të Kosovës, ku me gjasë nuk do ngre shqetësime askush, siç ndodhte në fillim shekullin që kemi hyrë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".