Vjen paralajmërimi: Amerika nuk do të lejojë që idetë e botës ruse dhe të botës serbe të realizohen

Vjen paralajmërimi: Amerika nuk do të lejojë që idetë e botës ruse dhe të botës serbe të realizohen
Vjen paralajmërimi: Amerika nuk do të lejojë që idetë e botës ruse dhe të botës serbe të realizohen

Skender Mulliqi

  • 08 October 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi

Lufta në Ukrainë dhe lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Rripit e Gazës, dhe arritja e një paqeje të mundshme atje, janë preokupimi kryesor sot i administratës amerikane, në krye me presidentin Donald Trump. Shumë çka varet nga ndalja e luftimeve në Ukrainë dhe ndalja e luftës në Gaza. Presidenti amerikan këto i ka prioritetet kryesore në politikat e jashtme, sepse shumë çka varet nga pushimi i luftës në këto zona luftimi, për të pasur paqe të qëndrueshme edhe në botë. Janë disa paralajmërime pas takimit të Trump dhe Putin, se mund të ketë ndalje të luftimeve, që nuk do të jetë lehtë, për shkak se Putin po kërkon legjitimimin e territoreve të pushtuara, ose po kërkon edhe më shumë. Kjo është një temë tjetër, por që lidhet edhe me paqen në Ballkan dhe në Evropë.

 

-Krizën permanente për luftë në rajonin tonë që shumë kohë është duke e shkaktuar Serbia e Vuçiçit, e cila nuk po ndalet nga logjika e Milosheviqit për aneksimin e pjesëve aty ku ka serb, në republikat e dala nga ish-Jugosllavia. Mu për atë edhe u mbajt Kuvendi Gjithëserb para disa kohësh në Beograd. Kosova është ajo që është në plan të parë të politikës ekspansioniste serbe, edhe pse e humbën luftën me shqiptarët në vitin 1999. Pas një kohe të gjatë të ngecjes së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, këto ditë grupi i kongresmenëve amerikanë u deklarua qartë se duhet të kemi njohje reciproke Kosovë-Serbi, duke përjashtuar ndarjen e Kosovës mbi baza etnike dhe shkëmbimet territoriale që një kohë qëndruan në agjendën politike të Vuçiçit.

Pse shtrohet pyetja: a kemi një qëndrim të tillë? Edhe Kongresi dhe Senati, si organet më të larta të shtetit, kanë parasysh që ndarjet mbi baza etnike në Ballkan krijojnë një jo stabilitet të madh politik, deri te luftërat. Dihet se çfarë janë problemet etnike sot në rajon. Serbia nuk është liruar nga logjika e vjetër në realizimin e "botës serbe", aty ku është një serb sipas tyre është Serbi. Me deklaratën e fundit të grupit të kongresmenëve, që më gjasë do të përkrahet edhe nga vetë presidenti Donald Trump, është një grusht i madh kundër politikës serbomadhe të Aleksandar Vuçiçit.

Serbia është ajo që nuk i ka zbatuar marrëveshjet e Brukselit dhe as Aneks-Marrëveshjen e Ohrit. Vuçiçi nuk pranoi të nënshkruante planin franko-gjerman si bazë të mirë për arritjen e ndonjë marrëveshje përfundimtare. Marrëveshja e Ohrit, e cila po komentohet në mënyra të ndryshme, mendoj se është në favor të Kosovës, pasi në shumë pika të saj theksohet pranimi i pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Këtë marrëveshje në mënyrë deklarative e pranoi presidenti serb, por që nuk e firmosi. Edhe pse gojore kjo komentohet se është obligative për zbatim. Të gjitha pikat e potencuara nga kongresmenët janë një bazë e mirë për të ecur dialogu përpara, për të vendosur paqen edhe në këtë pjesë të botës.

Presidenti serb, siç dihet, po ndjek politikat radikale ndaj Kosovës, duke kërcënuar me luftë, siç e bëri edhe me deklaratën e fundit se lufta po vjen. Gjatë gjithë kohës, Beogradi zyrtar hartoi plane për të mbajtur veriun e Kosovës të destabilizuar, me motivacionin se po kërcënohet minoriteti serb nga Prishtina zyrtare, që nuk është e vërtetë. U përpoq krimineli i luftës, Aleksandar Vuçiç, së bashku me terroristin tjetër, Milan Radojiç, që me luftë të aneksojnë Serbisë pjesën më vitale të vendit tonë. Në këtë synim nuk patën sukses, sepse këtij plani djallëzor për ndarje të Kosovës iu dolën para djemtë tanë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës, duke vrarë katër terroristë dhe duke ndjekur, maleve për në Serbi, grupin e tyre me bisht nën shalë.

BE-ja pati caktuar një komision për hetimin e rastit, por ende nuk ka dalë ndonjë kumtesë se deri ku ka shkuar puna, dhe tash disa njerëz me ndihmën e politikës botërore po kërkojnë që akti terrorist në Banjskë të dënohet dhe të dorëzohet organeve të Kosovës, protagonisti kryesor, Milan Radojiç. Ne anën tjetër, Kosova gjatë gjithë kohës u tregua kooperative në procesin e dialogut, duke krijuar mirëqenie edhe për minoritetin serb, por jo sipas direktivave të Listës Serbe dhe të Vuçiçit. Qeveria e Albin Kurtit dhe Kosova shumë pa të drejtë u dënuan me masa ekonomike nga BE-ja, pse vuri rend dhe ligj në veri për herë të parë pas çlirimit të vendit.

Tjetër. Kosova po bën çdo gjë në ndërtimin e demokracisë, zbatimin e rendit dhe ligjit, ndërsa Serbia, e cila është mbuluar e tëra me valën e protestave të mëdha studentore për të përmbysur regjimin autoritar të Vuçiçit, po bën çdo gjë të gabuar, duke kërkuar që me luftë të bëjnë faktike ndarjen e Kosovës. Për të vazhduar bisedimet, siç edhe kërkuan kongresmenët, Serbia duhet të njohë kushtetutshmërinë e Kosovës, dhe kjo duhet të ndodhë, sipas meje, para se të vazhdojnë bisedimet. Sigurisht se BE-ja dështoi si ndërmjetëse në këto bisedime, edhe për shkakun se Borrell dhe Lajçak u treguan të njëanshëm, duke ia dhënë krahun në dialog Serbisë me hipotekë të gjenocidit, që është edhe çudia më e madhe. Duke pasur parasysh krizën globale, vatrat e luftës në botë dhe apetitet ruso-serbomëdha në Evropë dhe në Ballkan, Amerika nuk do të lejojë që këto plane për zgjerim me luftë të territoreve për idetë e botës ruse dhe të botës serbe të realizohen…

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".