
Lexoni edhe:
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin marrëveshjen përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë
Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani
Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për shtetësinë e Kosovës është historikisht e pakontestueshme. Por zhvillimet e fundit në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi ngrenë një pyetje të drejtpërdrejtë: A po kërkohet drejtësi reale në këtë proces, apo thjesht ruajtje e një baraspeshe artificiale që e përjetëson krizën?
-Amendamenti i fundit në Kongresin Amerikan, i propozuar nga senatorët Thom Tillis dhe Jeanne Shaheen, rithekson përkushtimin e SHBA-së për një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, të bazuar në njohje reciproke. Simbolikisht, kjo është një deklaratë me peshë. Por në praktikë, mungon elementi thelbësor: presioni i barabartë ndaj të dyja palëve – dhe në veçanti, ndaj palës që mohon ekzistencën e shtetit të Kosovës.
Nëse SHBA-ja dhe partnerët euroatlantikë e shohin njohjen reciproke si epilog të domosdoshëm të dialogut, atëherë refuzimi i vazhdueshëm i Serbisë për ta njohur Kosovën duhet të trajtohet si pengesë konkrete për paqe, jo si një qëndrim i pranueshëm neutral. Sepse kur njëra palë angazhohet në bisedime për kompromis, ndërsa pala tjetër merr pjesë vetëm për të zvarritur procesin, kemi të bëjmë jo me një dialog, por me një farsë.
Serbia ka qenë sistematikisht kundër çdo forme të njohjes – qoftë de jure, qoftë simbolike – të pavarësisë së Kosovës. Deklaratat e përsëritura të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarëve të tjerë serbë e bëjnë të qartë mungesën e çdo vullneti për një marrëveshje përfundimtare. Marrëveshjet që Beogradi ka nënshkruar – nga Brukseli te Ohri – mund të përmbajnë elemente të një njohjeje de facto, por mungesa e zbatimit i zbraz nga çdo kuptim.
Në këtë realitet, Kosova përballet me presione të njëanshme për të përmbushur marrëveshje që shpesh janë të paqarta, pa garanci, dhe me kosto politike të lartë në plan të brendshëm. Ndërkohë, Serbia vazhdon të përfitojë nga status quo-ja: të mos e njohë Kosovën, të ruajë lidhjet me Moskën e Pekinin, të financojë struktura paralele në veri të Kosovës dhe, në të njëjtën kohë, të shfaqet si partnere e besueshme në sytë e Perëndimit.
Në të drejtën ndërkombëtare, marrëveshjet e qëndrueshme ndërtohen mbi dy parime themelore: vullnet të barabartë dhe presion të balancuar. Kur vetëm njëra palë ndëshkohet për moszbatim, ndërsa pala tjetër tolerohet për mohimin e realitetit, procesi jo vetëm që humbet legjitimitetin – por prodhon pabarazi të institucionalizuar.
Është momenti që Shtetet e Bashkuara, si aktor kyç global dhe garantues i pavarësisë së Kosovës, të rishikojnë qasjen e tyre në raport me procesin e dialogut. Presioni diplomatik nuk mund të fokusohet vetëm në Prishtinë, ndërkohë që Beogradi nuk përballet me asnjë kosto politike për refuzimin e njohjes. Nëse nuk ekziston një strategji e qartë presioni – politik, ekonomik apo diplomatik – ndaj Serbisë, atëherë nuk ka asnjë arsye të besohet se ajo do të ndryshojë qëndrim.
Një nga elementet më problematike të diskursit aktual është insistimi që Kosova të përmbushë Marrëveshjen e Ohrit si kusht për vazhdim të dialogut strategjik me SHBA-në. Kjo është jo vetëm një qasje e padrejtë, por edhe politikisht e rrezikshme. Një marrëveshje që nuk ka garanci, që nuk është nënshkruar formalisht dhe që interpretohet në mënyrë të ndryshme nga palët, nuk mund të shërbejë si themel për një partneritet strategjik.
Dialogu strategjik SHBA–Kosovë nuk duhet të jetë një mjet presioni mbi Kosovën, por një mekanizëm për forcimin e shtetësisë së saj. Kosova nuk mund të ndërtojë të ardhmen e saj mbi koncesione të njëanshme, mbi heshtje diplomatike dhe mbi iluzione se stabiliteti mund të arrihet pa drejtësi.
Në fund të ditës, çdo proces pa një horizont të qartë politik është një rreth vicioz. Dhe ky rreth – pa njohje reciproke, pa balancë në trajtim, dhe pa presion ndaj Serbisë – nuk prodhon as marrëveshje, as paqe, as stabilitet.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".