
Lexoni edhe:
Vjen paralajmërimi: Në Kërçovë dhe Strugë ka gjasa që të bëhen pazare politike në favor të VMRO-së
Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa
Deklarimet e Albin Kurtit se pasaporta e Kosovës është më e fuqishme se kurrë më parë, duke ia atribuuar forcimit të shtetësisë dhe progresit të arritur si dhe angazhimit të institucioneve për lëvizje të lirë të qytetarëve, nuk janë gjë tjetër veçse propagandë elektorale para balotazhit në nivel lokal, mbase edhe në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
-E vërteta është krejt ndryshe. Pozicioni i Kosovës në arenën ndërkombëtare nuk ka qenë asnjëherë më i dobësuar. Liberalizimi i vizave në zonën Shengen, pikë së pari, nuk është meritë e kësaj qeverie, e aq më pak e diplomacisë inekzistente në shumicën e shteteve njohëse të Republikës së Kosovës.
Arsyeja pse pasaporta kosovare po bëhet gjithnjë e më e njohur ndërkombëtarisht është fakti i udhëtimit të qytetarëve të Kosovës në shumë vende të botës, e aspak nuk është produkt i diplomacisë kosovare.
Prandaj, përparimi në renditje të imazhit ndërkombëtar të pasaportës së Kosovës nuk është meritë dhe as fitore politike e qeverisë aktuale.
Sikur të ishte kështu, Kosova nuk do të vazhdonte të mbetej nën sanksione të BE-së dhe as të SHBA-ve, me pezullimin e Dialogut Strategjik, si pasojë e të cilave Kosova rrezikon t’i humbasë përgjithmonë qindra miliona ndihma dhe donacione ndërkombëtare.
Nëse mund ta quajmë sukses renditjen e pasaportës së Kosovës, kjo nuk është meritë e punës diplomatike, por është rezultat i liberalizimit të vizave nga BE-ja, gjë e cila ka bërë që pasaporta kosovare të jetë ndër më të regjistruarat në pikat kufitare, gjegjësisht nga hyrje-daljet prej një shteti në tjetrin.
Ajo çka është më kryesorja, kjo ngritje në indeks nuk do të ketë asnjë ndikim real për qytetarët, pasi është vetëm një arritje simbolike në statistika të lëvizjes së qytetarëve të Kosovës drejt shteteve evropiano-perëndimore e asgjë më shumë.
Vërtet është për keqardhje, kur qeveria nuk gjen asnjë motiv tjetër për t’u mburrur dhe për ta arsyetuar punën e saj katërvjeçare, atëherë merret me statistika të përkohshme dhe jo ekuivalente me zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".