Renditja më e lartë ndonjëherë në indeksin vjetor të pasaportave ndikon në imazhin pozitiv të Kosovës

Renditja më e lartë ndonjëherë në indeksin vjetor të pasaportave ndikon në imazhin pozitiv të Kosovës
Renditja më e lartë ndonjëherë në indeksin vjetor të pasaportave ndikon në imazhin pozitiv të Kosovës

Gani Qarri

  • 22 October 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Fakti është se, deshi kush apo jo, pasaporta e Republikës së Kosovës ka arritur renditjen më të lartë ndonjëherë në Indeksin vjetor të Pasaportave Henley, duke u ngjitur në vendin e 65-të në ranglistën botërore. Përparimi i vazhdueshëm dhe renditja më e lartë ndonjëherë në Indeksin vjetor të Pasaportave Henley ndikon shumë në imazhin pozitiv të shtetit të pavarur të Kosovës, në qëndrueshmërinë politike të vendit tonë dhe në vlerësimin e avancuar ndërkombëtar të Kosovës, gjë që është edhe një fitore e madhe politike për qeverinë aktuale.

 

-Madje, ngritja në indeks nuk është vetëm një arritje simbolike në statistika, por është sukses i theksuar dhe rezultat i shkëlqyer edhe i punës diplomatike, i lidhur ngushtë me liberalizimin e vizave nga BE-ja, që do të ketë ndikim real për qytetarët me lehtësi në udhëtim si dhe besueshmëri më të lartë nga BE-ja edhe ndaj qytetarëve të vendit tonë.

Sipas raportit të publikuar, Kosova ka shënuar një përparim të dukshëm krahasuar me vitet e kaluara – nga vendi i 108-të në vitin 2021, në të 68-in në vitin 2024, dhe tashmë në pozitën e 65-të për vitin 2025. Ndaj, Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, e ka cilësuar këtë rezultat si “më të mirin ndonjëherë” për pasaportën kosovare, duke theksuar se ky progres është dëshmi e forcimit të shtetësisë dhe e angazhimit të institucioneve për lëvizje të lirë të qytetarëve.

“Nga liberalizimi i vizave me zonën Shengen, e deri te puna intensive diplomatike me shumë shtete anekënd botës, ky rezultat tregon përkushtimin tonë për të fuqizuar Republikën e Kosovës,” ka shkruar Kurti, i cili shtoi se pasaporta kosovare po bëhet gjithnjë e më e njohur ndërkombëtarisht, duke u mundësuar qytetarëve të udhëtojnë në më shumë vende pa viza dhe ta përfaqësojnë Kosovën kudo dhe me sa më shumë dinjitet.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".