
Paqe mbi vijën e frontit – dilemat e Perëndimit përballë Rusisë


Isuf Bajraktari
Nga Isuf Bajraktari
Ndërsa lufta në Ukrainë hyn në vitin e katërt, tensionet midis idealizmit dhe pragmatizmit politik në kampin
perëndimor po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Thirrjet e fundit për ta përdorur vijën aktuale të frontit si
pikënisje për paqe, ngrenë pyetje të thella mbi koherencën e parimeve që vetë Perëndimi shpall si të
patjetërsueshme.
Një propozim që hap më shumë dilema se zgjidhje
Tetë udhëheqës të Bashkimit Evropian, përfaqësues të lartë të BE-së dhe presidenti ukrainas Volodymyr
Zelenskyj kanë propozuar që ndalja e luftimeve të bëhet duke u nisur nga linja e tanishme e kontaktit. Ky
qëndrim, i mbështetur në mënyrë të kujdesshme edhe nga presidenti amerikan Donald Trump, synon të
krijojë një terren të ri diplomatik për paqe. Por prapa këtij propozimi fshihet një dilemë e fortë politike dhe
morale: a mund të ndërtohet paqja mbi realitetin e krijuar nga pushtimi ushtarak?
Në deklaratat e tyre, liderët evropianë theksojnë se “kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me
forcë”. Megjithatë, pranimi i kufijve të vendosur nga lufta si bazë për dialog, praktikisht do të thotë njohje e
faktit të kryer. Ky është kontrasti që shpalos sot dobësinë e diplomacisë perëndimore midis fjalës dhe
veprës.
Nga besimi në fitore, tek frika e lodhjes
Presidenti Trump, i cili më herët kishte shprehur bindjen se Ukraina mund të rimarrë territoret e pushtuara,
tashmë tingëllon më skeptik. “Një fitore ende është e mundur, por unë nuk besoj se kjo do të ndodhë,”
deklaroi ai në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. Kjo kthesë toni nuk është e rastësishme.
Ajo reflekton lodhjen e Perëndimit nga një luftë e gjatë dhe e kushtueshme, si dhe mungesën e një
strategjie të qëndrueshme përballë agresionit rus.
Pyetja që lind natyrshëm është: ku mbeti ndihma e premtuar amerikane dhe evropiane për Kievin? A po
shohim një Evropë të ndarë, të frikësuar dhe të lodhur, përballë një Rusie që, pavarësisht sanksioneve, po
tregon elasticitet ekonomik dhe disiplinë ushtarake?
Rreziku i një precedenti të ri ndërkombëtar
Nëse realiteti i imponuar nga dhuna pranohet si bazë për paqe, atëherë precedentët e rrezikshëm janë të
pashmangshëm. Një marrëveshje e ndërtuar mbi pushtimin do të cënonte parimin themelor të sovranitetit
dhe do të minonte vetë arkitekturën e sigurisë evropiane. Kjo do të dërgonte një mesazh se përdorimi i
forcës mund të shpërblehet – një sinjal i rrezikshëm jo vetëm për Ukrainën, por për gjithë fqinjësinë lindore
të Rusisë dhe më gjerë.
Evropa që u ngrit mbi idealin e paqes dhe ligjit ndërkombëtar, sot përballet me sfidën për të provuar nëse
këto vlera janë ende të vlefshme apo vetëm pjesë e retorikës diplomatike.
Midis paqes dhe dorëzimit
Paqja mbetet qëllimi më i lartë i çdo diplomacie, por ajo nuk mund të ndërtohet mbi heshtjen ndaj forcës.
Një paqe e tillë nuk sjell drejtësi, por konsolidon padrejtësinë. Nëse kufijt përcaktohen nga armët dhe jo
nga e drejta, atëherë siguria e Evropës – dhe e gjithë rendit ndërkombëtar – mbetet e brishtë.Në këtë udhëkryq të historisë, ajo që ndodh sot në kufijt e Ukrainës nuk përcakton vetëm fatin e një kombi.
Ajo përcakton vetë besueshmërinë e Perëndimit ndaj parimeve që e kanë formuar.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".