Masat ndëshkuese të ndërkombëtarëve ndaj Kosovës janë paradoks ‘sui generis’ që duhet korrigjuar

Masat ndëshkuese të ndërkombëtarëve ndaj Kosovës janë paradoks ‘sui generis’ që duhet korrigjuar
Masat ndëshkuese të ndërkombëtarëve ndaj Kosovës janë paradoks ‘sui generis’ që duhet korrigjuar

Idriz Zeqiraj

  • 24 October 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Çuditërisht, Kosova vazhdon të mbetet peng i kushtëzimeve të BE-së dhe të SHBA-së, për një çerek shekulli radhazi. Së fundi, shtrohet pyetja nëse pezullimi i dialogut të planifikuar strategjik është kushtëzuar nga përmbushja e Marrëveshjes së Ohrit, apo nga interesa të tjera gjeopolitike të SHBA-së në rajon. Po t’i referohemi ftesave të bëra nga kryeministri Kurti, drejtuar presidentit serb, Vuçiq, për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, rezulton se Qeveria Kurti shfajësohet, ndërsa qeveria serbe fajësohet bindshëm. Rrjedhimisht, bie arsyeja e kushtëzimit për shkak të mos përmbushjes së Marrëveshjes së Ohrit. Dhe janë në tavolinë interesa të tjera gjeopolitike të SHBA-së në rajon.

 

 

-Në opinionin gjithëshqiptar ka një paqartësi dhe huti të dhimbshme. Bisedimet e fundit të Kurtit në Bruksel dhe Ohër, një marrëveshje gojore e bërë, por e panënshkruar, informacionet e rrjedhura, opozita i ka konsideruar fatale për Kosovën, madje më e keqe se sa “Zajednica” e vitit 2013, e nënshkruar nga tandemi konspirativ namkeq, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Por, për habinë e opozitës akuzuese të Kurtit, Vuçiq e demanton me mosnënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit gojore, por kërkon atë të vitit 2013, të nënshkruar nga binomi Hashim-Isa. Megjithatë, është obligim i Kurtit ta sqarojë edhe njëherë atë marrëveshje të biseduar, por të panënshkruar, për ta hequr dilemën duke e zbardhur të vërtetën faktike.

Idenë e Asociacionit, në kohën e presidentit Ahtisari, e solli tradhtia e krerëve dhe e eksponentëve të shantazhuar të PAN-it, me protestat vandaliste, me djegien e shtëpive dhe të kishave serbe, të mars-prillit 2004, projekt i Serbisë. Në zbatimin e këtij projekti fatal për Kosovën, u angazhuan krerët qendrorë dhe lokalë me kryesitë e tyre, të subjekteve politike përbërëse të PAN-it. Arrestimet faktike, të bëra nga UNMIK-u dhe Policia e Kosovës, dhe dënimet hiçe, e heshtën tradhtinë e madhe. Ndërkohë, për të lehtësuar bashkëjetesën me serbët, ndërkombëtarët shpikën krijimin e komunave serbe, fshat e komunë, bashkimin e tyre në një asociacion, “Zajednicë”, duke e bërë Serbinë hisedare në Kosovë.

Krijimi i asociacionit për 14 komunat me shumicë serbe në Bosnje e Hercegovinë, polli “Republika Srpska”, e cila ka asfiksuar shtetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, duke e bërë rakitik dhe hiçfunksional.

Një lloj autonomie të kufizuar e kishte pasur edhe Krimeja ukrainase. Revanshisti fashist, Putin, nxiti elementin filorus për kundërshtim të pushtetit ekzistues vendor. Reagimit të Qeverisë ukrainase, për të vendosur rend e ligj, iu përgjigj Rusia duke sulmuar me tanke pushtuese dhe aneksuar Krimenë.

Bazuar në këto dy raste kriminale, a nuk mjaftojnë për BE-në dhe SHBA-në ta stopojnë njëherë e përgjithmonë dialogun për çfarëdo asociacioni të komunave me shumicë serbe në Kosovë, kur dihet se është kancer i Kosovës? Sepse, kur Ahtisari e ka trajtuar çështjen e asociacionit, nuk i ka pasur parasysh pasojat e dy rasteve që cituam më lart. Madje, kur BE-ja vuri në agjendë krijimin e asociacionit, festuan njëherësh serbët në Kosovë, Beogradi zyrtar, Republika e Dodikut, serbët në Mal të Zi, por edhe mëma e tyre, Rusia, sepse u krijua “Republika Srpska” e dytë në Ballkan, ekzaktësisht brenda Kosovës, në perspektivë ndarjen dhe bashkimin me Serbinë.

Demarkimi i kufirit me Malin e Zi, një dekadë më parë, ishte skandaloz, sepse kufiri ka qenë i përcaktuar në vitin 1913, edhe pse në dëm të shqiptarëve, dhe kurrë nuk ka ndryshuar. Për shkëputjen e Malit të Zi nga Serbia, BE-ja dhe SHBA-ja bënë “pazar pa hanxhinë”, duke i premtuar Malit të Zi si shpërblim 8.200 hektarë nga territori i Kosovës. Ndërkombëtarët u shërbyen me dokumente kadastrale të falsifikuara serbo-malazeze. Kosova është në hall të madh me tkurrjen e territorit të saj. Po përsëriten grabitjet e tokave shqiptare, si dikur në shekullin XIX dhe XX, kur Fuqitë e Mëdha i përdornin territoret shqiptare për kusuritje në mes tyre. Ndërkombëtarët po gjejnë zyrtarë të shantazhuar me dosje kriminale, duke i përdorur për interesat e tyre, pa e përfillur fare popullin e Kosovës.

Të gjitha masat e ndërmarra nga Qeveria Kurti, për shtrirjen e sovranitetit në veriun e Kosovës, ishin më se të ligjshme, sepse po çmontoheshin institucionet paralele, të dubluara, thjesht për kundërvënie kriminale pushtetit komunal. Të gjitha reagimet paushalle, madje të qëllimshme, të BE-së, në mbrojtje të institucioneve paralele, përkrah Serbisë, jashtë atyre zyrtare komunale, bartin elementin e krimit të zyrtarëve evropianë.

Ambasadorja amerikane, Annu Prattipati, së fundi, sugjeroi integrimin në sistemin shtetëror të Kosovës të arsimit dhe të shëndetësisë. Atëherë, pse heshtin BE-ja dhe SHBA-ja tani, kur Vuçiq, cinikisht dhe poshtërisht, provokon shqiptarët dhe ndërkombëtarët, kur thotë se “do të punësojë 400 punonjës nga Serbia në Kosovë, për shëndetësinë dhe arsimin në Kosovë?!” Pse nuk i japin fund ndërhyrjes flagrante të Serbisë në Kosovë, ashtu siç sugjeron ambasadorja e nderuar amerikane, për integrimin e ligjshëm të arsimit dhe të shëndetësisë?

Pse ndërkombëtarët e heshtin provokimin, kur nxënësit serbë, qytetarë të Kosovës, përdorin tekstet shkollore të hartuara në Beograd, të cilat shprehin urrejtje ndaj shqiptarëve, duke i quajtur terroristë luftëtarët për lirinë e Kosovës, si dhe falsifikime e shpifje të tjera monstruoze kundër popullit shqiptar.

Kam një vërejtje të madhe sa bjeshka: pse Kosova nuk ka shtëpi botuese shtetërore të librit shkollor, për të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë. Kjo do të pamundësonte përdorimin e teksteve shkollore të kontrabanduara nga Beogradi apo vende të tjera (por edhe botimet e paautorizuara të teksteve shkollore që krijojnë huti se cilin tekst duhet përdorur). Dhe kjo është një censurë legjitime për të shmangur kontaminimin, helmimin e shkollarëve të Kosovës me ideologjizma satanike, djallëzore, që dezinformojnë opinionin gjithëshqiptar dhe atë botëror.

Ndëshkimi i Kosovës me sanksione nga BE-ja menjëherë pas terrorizmit të organizuar në Banjskë të Zveçanit dhe, së fundi, pezullimi i dialogut të planifikuar strategjik Kosovë-SHBA, nuk kanë arritur ta arsyetojnë bindshëm ndërkombëtarët. Atëherë, janë interesa të tjera gjeopolitike të SHBA-së në rajon që kanë ndikuar ndëshkimin e rëndë të Kosovës.

Deklarimi i drejtpërdrejtë dhe i guximshëm i kryeministrit Albin Kurti, duke e vënë pikën mbi “i”, me denoncimin faktik se ndërkombëtarët po ngulmojnë në krijimin e asociacionit, i cili është parathënie e ndarjes së Kosovës, duke shpërblyer Serbinë me territor tokësor të Kosovës për ta tërhequr nga tutela ruse dhe duke e bërë pjesë të Perëndimit demokratik. Mendoj se vlerësimi i lartë që Presidenti Donald Trump i bëri Presidentes Vjosa Osmani, e cila është e një mendje me kryeministrin Kurti në mbrojtjen integrale të sovranitetit shtetëror, tregon se kreu i Shtëpisë së Bardhë mirëkupton edhe kreun e Qeverisë së Kosovës në vendimet e tij sovraniste.

Rrjedhimisht, masat ndëshkuese të ndërkombëtarëve ndaj Kosovës janë paradoks sui generis, pra të llojit të vet, që duhet korrigjuar, duke pranuar se nuk ishin dhe nuk janë adekuate, madje të nxituara dhe hiç reale.

Megjithatë, Qeveria dhe populli i Kosovës, miq për kokë të SHBA-së dhe të Perëndimit demokratik, shpresojnë dhe besojnë në mirëkuptim me qendrat e vendosjes demokratike botërore, për ta ndihmuar Kosovën në rrugëtimin e saj drejt hyrjes në NATO dhe në Evropë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".