E zbulon analisti: Qeveria Kurti 3 nuk u votua sepse në pyetje janë interesat personale

E zbulon analisti: Qeveria Kurti 3 nuk u votua sepse në pyetje janë interesat personale
E zbulon analisti: Qeveria Kurti 3 nuk u votua sepse në pyetje janë interesat personale

Skender Mulliqi

  • 28 October 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi

Nuk u votua Qeveria Kurti 3. Pse nuk u votua nga Opozita? Përmes derës së hapur të Kuvendit të Kosovës, kanë hyrë shumë njerëz pa merita në politikë, që gjatë përmbytjes po dëshirojnë t’i fusin të gjithë. Kjo është një mënyrë katastrofale për të ardhmen e vendit. Nuk u votua Qeveria e re, sepse në pyetje janë interesat personale. Dhe, kur është puna kështu, sigurisht që nuk erdhi në shprehje votimi i Qeverisë Kurti.

 

-Albin Kurti dhe qeveria e tij, për herë të parë, vunë rend dhe ligj në veri të Kosovës. Deklaratat për demokraci më shumë po duken demagogjike, sepse ende po mbretëron logjika autokratike e të menduarit.

Të vetmës parti që seriozisht LVV si parti fituese i referohej për koalicion ishte LDK-ja. Kjo parti politike ka devijuar shumë nga ajo që ishte si parti institucionaliste e Ibrahim Rugovës. Në zgjedhjet e ardhshme, siç po kërkohet të mbahen, do të përmbysen edhe më shumë, sepse kanë shpërfaqur apetite të hapura për pushtet. Qytetarët nuk janë budallenj për të mos ditur se ku fshihet lepuri. Po vazhdohet me politikat e vjetra.

Virtyti është më i vështirë për t’u lidhur me thirrjen e një politikani; është përulësia, që nuk po e shohim. Detyra e politikanit dhe e mediave duhet të jetë në shërbim të vërtetës, domethënë të mbrojë interesat e shtetit dhe të publikut. Mendjemadhësia dhe arroganca janë mbytëse dhe të kushtueshme. Mosvotimi i qeverisë e ka futur Kosovën në një rreth vicioz, duke e dërguar shoqërinë në dobësi kolektive.

U krijua në Kuvend një klimë jo tolerante dhe përjashtuese. Unë e kam theksuar edhe më herët që zgjedhjet e reja, edhe pse të kushtueshme, janë të nevojshme në një krizë afatgjate, ku, me votën e lirë, do të liroheshim nga të gjithë keqbërësit politikë.

Opozita po gabohet nëse mendon se me zgjedhje të reja do të fitojë më shumë vota; unë mendoj se do të fitojë shumë më pak sesa deri tani. Zgjedhjet nacionale kanë karakter tjetër në krahasim me zgjedhjet lokale, ku gërshetohen interesat e ndryshme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".