Pothuajse një vit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, Kosova ende nuk ka formuar institucionet
Naser Krasniqi
Shkruan: Naser Krasniqi
Pothuajse një vit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, Kosova ende nuk ka formuar institucionet e saj. Qeveria funksionon me mandat teknik, ndërsa vendimet strategjike janë pezulluar. Reformat, investimet dhe integrimi evropian janë bllokuar në një vakum institucional që ndikon çdo aspekt të jetës publike.
Kuvendi u konstituua më 10 tetor, por votimi i qeverisë së re dështoi me 26 tetor, duke e futur vendin në një cikël të pafund përçarjesh dhe ngërçi institucional. Buxheti për vitin 2026 nuk është miratuar, projektet për zhvillim ekonomik nuk kanë nisur, dhe partnerët ndërkombëtarë shprehin shqetësim për stabilitetin e Kosovës.
Mungesa e përgjegjësisë dhe mosfunksionimi i institucioneve po normalizon bllokimin politik si pjesë të përditshmërisë. Kosova po perceptohet si një shtet me institucione të brishta, ku vendimmarrja dominohet nga interesa partiake, duke rrezikuar besimin dhe mbështetjen ndërkombëtare.
Për qytetarët, çdo ditë pa institucione funksionale është një ditë e humbur për shtetin dhe të ardhmen e tij. Ekonomia ngadalësohet, investimet zhvendosen jashtë, dhe një brez i ri po mëson se politika është pengesë, jo mundësi ndryshimi. Megjithatë, pavarësisht krizave dhe pasojave të dukshme, një pjesë e qytetarëve vazhdon të mbështesë të njëjtën klasë politike me votë. Vota duhet të meritohet - pa shantazh, pa kushtëzime dhe pa klientelizëm, dhe vetëm në këtë mënyrë qytetarët mund të ndalojnë vazhdimin e ngërçeve dhe mosfunksionimit institucional.
Nëse klasa politike nuk mëson nga ky vit i humbur, Kosova rrezikon një periudhë të gjatë pasigurie - jo vetëm politike, por edhe institucionale e sociale. Një shtet që nuk formon qeverinë e vet nuk ka vetëm krizë politike - ka krizë funksionaliteti.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
