Politikanët tanë duhet ta ndalojnë rrahjen e gjoksit me grushta dhe duhet ta fusin në veprim trurin
Nue Oroshi
Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi
Këtë analizë politike po e filloj me fjalët e një mirditoreje, e cila, edhe pse e kishte pasur djalin e saj Kolën punëtor, thoshte: “Me majt kushdo shpi, Kola jem i kish majt tri po nja e menzi.” Është fatkeqësi se si janë duke u sjellur me njëri-tjetrin politikanët tanë shqiptarë.
-Në njërën anë, Albin Kurti dhe ministrat e tjerë të Qeverisë së tij, që janë deputetë që nga themelimi i Parlamentit të Republikës së Kosovës, me ushtrimin e mandateve të dyfishta – edhe si deputetë, edhe si ushtrues detyre i Kryeministrit dhe ministrave – janë në shkelje të plotë të Kushtetutës. Për të mos lënë institucionet pa funksionalitet, ata duhet të jenë ministra në detyrë politikanët që nuk janë deputetë të Parlamentit të Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, edhe partitë opozitare të djeshme duhet të këpusin konopin. Ose ta bëjnë shumicën dhe ta formojnë qeverinë ato së bashku, dhe të mos mbetet shteti pa institucione; dhe, nëse këtë nuk mund ta bëjnë, atëherë njëra nga to të hyjë në koalicion me VV. Nuk mund të zgjatet në pakufi kjo gjendje anarkie në Republikën e Kosovës.
Për t'u arritur kjo, politikanët tanë shqiptarë duhet ta ndalojnë rrahjen e gjoksit me grushta se kush jam unë dhe duhet ta ulin kokën dhe ta fusin në veprim trurin, në mënyrë që të kryejnë punën që iu takon dhe që e kanë marrë duke e lutur popullin për t'i votuar.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
