
Lexoni edhe:
Opozita nuk i beson Kurtit si partner institucional, ndërsa Kurti e sheh opozitën si pengesë
						
								Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Tre palë zgjedhjet e fundit fituese të LVV-së ishin shokuese për opozitën. Ishin fitore të ngjashme me ato të LDK-së të epokës së Presidentit Rugova. "Komandantët" të subjekteve politike PAN-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN, uzurpuan pushtetin me dhunë e përgjakje të kundërshtarëve politikë shqiptarë. Shërbimet Informative të Francës, Serbisë dhe Shqipërisë, instruktuan agjentët e tyre të vjetër dhe të rinj në Mërgatë dhe Kosovë për marrjen e pushtetit përgjakshëm, me metodat e gatshme të enveristëve-stalinistëve të Luftës së Dytë Botërore.
-Vrasjet pa gjyq gjatë dhe pas luftës ishin përvojë kriminale enveriste. Shumë qindra vrasje të filluara në territorin e Shqipërisë, përfshi edhe Ministrin e Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqin, dhe të vazhduara anekënd Kosovës, tashmë kanë autorësi të konfirmuar ligjore nga një Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, e cila identifikohet me PAN-in.
Ndonëse krimi i madh vrastar dhe makro-hajnia në Kosovë kanë ndodhur, ndërkombëtarët rekomanduan Vettingun në Ballkanin e trazuar. Kosova me vështirësi bëri sikur e aprovoi, por opozita PAN-iste, rraste e kriminalizuar, e bllokoi. Janë grabitur dhe uzurpuar pasuritë shoqërore dhe shtetërore, kryesisht nga disa "komandantë" kriminelë dhe hajna të pafrikshëm dhe të pacipshëm. Për këtë, organizmat ndërkombëtarë sugjeruan krijimin e Byrosë së Verifikimit të Pasurive pa mbulesë. Edhe këtë nismë, tërësisht ligjore, e bllokoi PAN-i kriminal!
Pikërisht, këto janë arsyet që opozita PAN-iste e dështoi formimin e Qeverisë Kurti 3! Paradoksalisht, edhe pse LDK-ja nuk preket as nga Vetting-u dhe as nga Byroja, ajo vazhdon të barrikadohet përkrah PAN-it të inkriminuar. Madje, është LDK-ja, përkatësisht lidershipi i saj, i cili ka refuzuar çfarëdo bashkëpunimi politik me partinë fituese absolute, LVV.
Nga ana tjetër, lodhja e deputetëve të opozitës nga sforcimi i skajshëm që bëjnë për të fituar në tavolinë atë që e humbën në betejën zgjedhore, është evidente. Ndërsa shumësia absolute e qytetarëve nuk ndjejnë aspak lodhje me stilin e qeverisjes së Kurtit. Përndryshe, shumësia numerike nuk do të vazhdonin ta votonin për të tretën herë me radhë LVV.
Shtrohet pyetja: Ku është sekreti, që Kurti me LVV-në e tij fiton aq lehtësisht, madje duke i lënë në goxha distancë kundërshtarët e tij? Edhe përgjigja është e qartë dhe bindëse: Pavarësisht se opozita mohon çdo sukses përgjatë mandatit qeverisës të Kurtit dhe të LVV-së së tij, shtrirja e sovranitetit dhe bërja zap të bandave serbe në veriun e Kosovës është fakt i padiskutueshëm. Madje edhe ndërtimi i dy urave paralele të Urës së Evropës, të bllokuar nga ajo, ishte sfidë dhe mençuri - sui generis. Sepse e zhvlerësoi në hiç atë urë-ngrehinë të kushtueshme, tashmë e parë si turpi i Evropës, për shkak të bllokimit absurd, duke u bërë palë me Serbinë agresore!
Vota masive për Lëvizjen Vetëvendosje, sa e tërë opozita shqiptare e marrë së bashku, dëshmon se kjo opozitë e ka humbur besimin tek shumica absolute e shqiptarëve vendorë dhe botërorë, sepse nën presionin e shantazhit dhe kërcënimit, me dosjet faktike penalizuese, kryesisht PAN-i, është dëshmuar për pazare të territorit tokësor të Maqedonisë, Malit të Zi dhe me nënshkrimin e Asociacionit, i gatshëm për t'iu dhënë territore edhe Serbisë. "Po të bëhem kryeministër, brenda javës e bëj Asociacionin dhe komunën për të dyshuaren e Serbisë Duda Balje", - deklaron kryetari i AAK-së!
Eksponenti veteran i PDK-së, Xhavit Haliti, në një bisedë televizive, glacoi gënjeshtrën e madhe: "Albini nuk ka dhënë arsye pse refuzon koalicionin me PDK-në?! Realisht, kryeministri Kurti ka sqaruar, madje përsëritshëm, sepse PDK-ja duhet të pastrohet nga elementët kriminalë brenda saj, deri në katarsis". Dhe, vërtet, janë numerikë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".