E zbulon analisti: Albin Kurti e ka gjetur kodin e mentalitetit elektoral në Kosovë

E zbulon analisti: Albin Kurti e ka gjetur kodin e mentalitetit elektoral në Kosovë
E zbulon analisti: Albin Kurti e ka gjetur kodin e mentalitetit elektoral në Kosovë

Isuf Bajraktari

  • 07 November 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI- Isuf Bajraktari

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duket se e ka gjetur kodin e mentalitetit elektoral tek analfabetët funksionalë, një kategori e ndjeshme ndaj retorikës populiste, që më shumë udhëhiqet nga emocioni sesa nga arsyeja. Këtë terren, Kurti e shfrytëzon me kujdes të veçantë, sidomos në periudha parazgjedhore dhe në balotazhe, ku çdo fjalë shndërrohet në armë politike.

 

 

-Në fjalimet e tij të fundit, ai ka theksuar se nuk do t’i ndajë mjetet e buxhetit për kryetarët që “nuk dinë të punojnë” ose që “janë të përfshirë në vjedhje”. Në pamje të parë, kjo mund të tingëllojë si qëndrim moral, por në thelb bart një mesazh politik përjashtues. Kryeministri, në vend që t’i referohet institucioneve të drejtësisë për ndëshkimin e keqpërdoruesve, e vendos veten në rolin e gjykatësit politik që përcakton kush “e meriton” dhe kush “jo” buxhetin e shtetit.

Por buxheti nuk është pronë e qeverisë, e as e ndonjë partie politike; ai është i qytetarëve të Kosovës, i ndërtuar me taksat e të gjithëve, pa dallim bindjeje a përkatësie.

Kjo qasje, që shfaqet shpesh në retorikën e Kurtit, e njeh si qytetar të denjë vetëm atë që është me të, që i beson pa kushte, që nuk e vë në pikëpyetje. Kjo është mënyra e të menduarit e mbyllur, që ende nuk ka arritur të kalojë nga individualizmi partiak në mendim institucional e shtetëror.

Por kryeministri është për të gjithë qytetarët – për ata që e votojnë dhe për ata që e kundërshtojnë. Të qeverisësh do të thotë të përfaqësosh, jo të ndash.

Ky mentalitet, që ushqehet edhe nga rrethi i tij politik, rrezikon të krijojë një ndasi të re shoqërore: ndërmjet atyre që janë “me pushtetin” dhe atyre që trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.

Mjerimi nuk ka kufi, por varfëria ekonomike është më e lehtë për t’u përballuar sesa ajo shpirtërore, shtetërore dhe institucionale. Sepse kur mungon mendimi institucional dhe respekti për barazinë qytetare, shteti shndërrohet në instrument partie dhe jo në shërbim të të gjithëve.

Në këtë frymë, deklaratat e Kurtit për “mosndarjen e buxhetit për ata që nuk dinë të punojnë” janë më shumë pjesë e fjalorit elektoral sesa qëndrime qeverisëse. Ai kërkon që qytetarët të mos votojnë kandidatët që “nuk dinë e nuk e duan punën”, duke e lidhur kështu performancën lokale me lojalitetin ndaj partisë së tij.

Kurti shpesh përmend shembuj si Gjermania dhe vendet skandinave për të ilustruar vizionin e tij për zhvillimin e vendit, sidomos në raport me ruajtjen e jetës në fshatra dhe qyteza. Por krahasimi mbetet sipërfaqësor nëse mungojnë politikat reale që nxisin bashkëpunim institucional e zhvillim gjithëpërfshirës.

Modeli evropian që përmend, në fakt, është ndërtuar mbi themele të forta të decentralizimit, llogaridhënies dhe respektit të ndërsjellë midis qeverisë qendrore dhe asaj lokale – jo mbi ndasi politike.

Buxheti është i të gjithëve dhe taksapaguesit janë të gjithë, pa dallim partie, ideologjie apo bindjeje. Vetëm kur kjo filozofi të bëhet pjesë e praktikës së qeverisjes, mund të flasim për drejtësi, barazi dhe zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".