Propozimi që Konjufca të jetë kandidati i dytë për kryeministër, një lëvizje taktike

Propozimi që Konjufca të jetë kandidati i dytë për kryeministër, një lëvizje taktike
Propozimi që Konjufca të jetë kandidati i dytë për kryeministër, një lëvizje taktike

Qani Shabani

  • 08 November 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani

Albin Kurti po luan një lojë delikate mes ruajtjes së pushtetit dhe shmangies së një krize të thellë institucionale. Propozimi që Glauk Konjufca të jetë kandidati i dytë për kryeministër nuk është ndryshim kursi, por një lëvizje taktike për të ruajtur kontrollin e LVV-së dhe stabilitetin e shtetit.

 

-Në qendër të debatit qëndron buxheti i vitit 2026. Kurti paralajmëron: “Do të ishte papërgjegjësi e thellë të shkohet në zgjedhje pa buxhet të miratuar.” Pa buxhet, shteti hyn në paralizë: nuk ka fonde për zgjedhje, investime apo shërbime publike. Një krizë e tillë do të shkatërronte imazhin e LVV-së si forcë e stabilitetit dhe e rendit shtetëror, duke zhdukur epërsinë politike të partisë dhe duke i hapur rrugë opozitës.

Glauk Konjufca shihet si figura e balancës: Besnik ndaj programit të LVV-së, por më i butë dhe bashkëpunues, i aftë të sigurojë shumicën parlamentare për buxhetin dhe të ruajë stabilitetin brenda partisë. Vetëm duke përdorur diplomacinë dhe kompromisin minimal me opozitën, ai mund të shpëtojë qeverisjen nga bllokada dhe LVV-në nga një goditje politike katastrofale.

Për Kurtin, buxheti nuk është vetëm çështje financiare – është beteja për mbijetesë politike. Një Kosovë pa buxhet do të ishte humbja më e madhe e legjitimitetit të tij dhe e Vetëvendosjes. Çdo vendim që merret tani do të përcaktojë fatin e qeverisë, legjislaturës dhe ardhmërinë e LVV-së si forca dominuese në politikën kosovare.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".