
Lexoni edhe:
Mulliqi: Kjo rritje e LVV-së është premtuese për një fitore edhe më të lartë në zgjedhjet nacionale
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Të mos votohet me shumicë në kryeqytet një kuadër i ri, i ngritur e punëtor i dëshmuar me sinqeritet të lartë e sjellje dhe kulturë shembullore si z. Hajrullah Çeku, i cili do duhej të ishte frymëzim identifikimi edhe për të rinjtë e studentët, si dhe për të gjithë qytetarët e vendit, vërtet lë shumë për të dëshiruar për nivelin e kulturës zgjedhore në kryeqendrën e vendit tonë, ku të gjithë i kanë sytë dhe prej nga presin të marrin shembull banorët e mbarë një shteti, dëshmon se Prishtina vërtet nuk e meriton epitetin e kryeqytetit, e cila vazhdon të mbetet një qendër province dhe shumë larg kulturës votuese të kryeqyteteve evropiane.
-Ndryshe, duke qenë se qeverisjet komunale u shpërndanë në mënyrë pothuajse proporcionale me fitoret e tri partive kryesore, secila me nga 7 komuna: LVV 7, LDK 7 dhe PDK 6+1 me Ramiz Lladrovcin, që veten e konsideron ende pjesë të kësaj të fundit, edhe votimet e balotazhit më 9 nëntor dëshmuan një lloj balance zgjedhore dhe nuk nxorën ndonjë parti fituese të padiskutueshme apo humbëse të madhe në hartën politike të niveleve lokale.
Sidoqoftë, sa i takon rezultatit të procesit të sapopërfunduar zgjedhor, mendoj se LVV me fitoren në tri komuna që më parë udhëhiqeshin nga PDK e LDK, si Fushë Kosova e Obiliqi dhe veçanërisht me fitoren në Mitrovicë, mund të konsiderohet si fituese morale dhe shpagim meritor nga qytetarët e Mitrovicës edhe për shtrirjen e shtetësisë dhe vendosjen e rendit e të ligjit në veri të Kosovës, ani se, përveç Mitrovicës, Gjilanit e Podujevës, qendrat tjera nuk janë edhe komunat më të mëdha për nga numri i përgjithshëm i banorëve.
Në anën tjetër, kriza e gjatë dhe cirku i pafund i ngërçit politik ka dëshpëruar aq shumë qytetarët, sa edhe dalja në zgjedhje bie shumë ndjeshëm nga rundi i parë në të dytin, që në fakt është shenjë e mosbesimit të thellë të qytetarëve dhe shprehje e zhgënjimit gjithnjë e më të madh të votuesve tradicionalë nga sjellja mosbashkëpunuese e partive aktuale politike, të cilat me vetëdije po e bëjnë Kosovën gjithnjë e më të fragmentuar edhe politikisht, duke pasur parasysh se në një vend kaq të vogël si Kosova kemi aq shumë parti që ndajnë pushtetin vendor në mënyrë pothuajse të barabartë.
Derisa në rundin e parë – të 12 tetorit – rezultatet ishin si vijon:
LVV: Kamenicë, Podujevë dhe Shtime
PDK: Skënderaj, Ferizaj, Hani i Elezit
LDK: Istog dhe Lipjan
AAK: Deçan
LISTA SERBE: Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Mitrovicë e Veriut.
Bazuar në të dhënat preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të 9 nëntorit, ku nga KQZ-ja nuk përfshihen votat me postë dhe ato të personave me nevoja të veçanta, rezultatet përfundimtare ofrojnë këto të dhëna:
LDK: Prishtinë, Pejë, Dragash, Viti dhe Junik
LVV: Mitrovicë e Jugut, Fushë Kosovë, Gjilan dhe Obiliq
AAK: Gjakovë, Suharekë, Klinë dhe Rahovec
PDK: Prizren, Vushtrri dhe Kaçanik
LISTA SERBE: Kllokot
Partia turke KDTP: Mamushë etj.
Duke qenë se qeverisjet komunale u shpërndanë në mënyrë pothuajse proporcionale me fitoret e tri partive kryesore, secila me nga 7 komuna: LVV 7, LDK 7 dhe PDK 6+1 me Ramiz Lladrovcin që veten e konsideron pjesë të kësaj të fundit, ndërsa Nisma fitoi në Malishevë dhe AAK në pesë komuna, bazuar në këto rezultate edhe votimet e balotazhit më 9 nëntor, me pak ndryshime, dëshmuan një lloj balance; pra, kishim zgjedhje që nuk nxorën ndonjë parti fituese të padiskutueshme apo humbëse të madhe në hartën politike të niveleve lokale.
Për mua, befasitë më të mëdha që prodhuan këto gara zgjedhore ishin humbja e Hajrullah Çekut në Prishtinë dhe fitorja e Përparim Ramës, një kandidaturë mjaft diskutabile dhe problematike me plot punë të pakryera e projekte të parealizuara, me rrugë e sheshe të bllokuara gjithandej Prishtinës, gjyqe të kryera e të pakryera akoma nga mandati i parë, që mund ta rrezikojnë edhe pozitën e tij në mandatin e dytë, i cili edhe fushatën zgjedhore e udhëhoqi me premtime utopike e të pambuluara, dhe me gjithë fitoren nuk besoj se do të ndryshojë në mënyrë automatike as në mandatin vijues dhe përsëri do të vazhdojë me avazin e vjetër.
Kjo edhe për vet faktin se, nëse bazohemi vetëm në lajmet që e kanë përcjellë gjatë gjithë mandatit të kaluar Përparim Ramën, ai ishte edhe kryetari më problematik i Prishtinës që nga paslufta, i cili, siç dihet publikisht, pati probleme të vazhdueshme me të gjithë, edhe me ligjin, e madje edhe me kompaninë e pastrimit, duke lënë me muaj plehrat e grumbulluara nëpër kryeqytet, ndërsa tani po akuzohet edhe për vota të korruptuara, si diktimet për votime “ala-Pronto” përmes telefonave, apo edhe përfolje për pagesa e joshje, vërtetësia e të cilave përfundimisht mbetet të sqarohet nga organet kompetente të shtetit të Kosovës.
Ndërsa dy befasitë tjera të mëdha, e që njëra ishte vërtet e këndshme e atraktive, deri në relaksuese dhe e përshkuar me shumë humor e përmbajtje sarkastike, doli të jetë fitorja fenomenale e Ramiz Lladrovcit në Drenas, i cili megjithëse i hyri garës i vetëm kundër të gjithëve, fitoi, jo vetëm ndaj kundërkandidatit të PDK-së, por edhe në përballje me tërë këtë parti, në krye me Memli Krasniqin dhe kryetarin nën hije të saj Sami Lushtaku & Co.
Kurse befasia e tretë e hirtë dhe tejet e pakëndshme, e cila mund të prodhojë edhe tensione lokale dhe pasoja politike për vendin, ishte rikthimi i të ashtuquajturës “Listë Serbe” në 10 komuna, gjë që dëshmon se rivendosja kaq fuqishëm e ndikimit të dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë, veçanërisht në periudhën vijuese, do të vazhdojë të mbetet mjaft problematike dhe sprovë tejet shqetësuese për institucionet e shtetit dhe Republikën e Kosovës.
Sa i takon vet zhvillimit të zgjedhjeve, megjithëse dalja në rundin e parë të votimeve lokale ishte mbi 40 për qind, ndërsa në rundin e dytë mbi 32 për qind, ajo që duhet vlerësuar lart dhe theksuar fort edhe me këtë rast është fakti madhor se të dyja proceset u zhvilluan në mënyrë shembullore për mbarë rajonin, shumë të qeta dhe pa ndonjë incident që mund të prishte imazhin e shkëlqyer të tyre; votime shembull dhe për çdo lavd, që të gjithëve na bëjnë krenar, për mbarëvajtjen e të cilave secili votues i Kosovës vërtet meriton kompliment të jashtëzakonshëm.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".