Kaosi mediatik dhe polarizimi i shoqërisë!
Ismail Muçiqi
Shkruan: Ismail Muçiqi
Shumë herë kemi shkruar për gjendjen në sektorin medial në Kosovë — sektor ky i cili, në emër të demokracisë dhe lirisë së informimit, prej kohësh i ka tejkaluar të gjitha kodet etike, morale e profesionale, duke e polarizuar thellësisht jetën shoqërore në vend. Jemi dëshmitarë se një pjesë e madhe e mediave, sidomos disa televizione private, janë shndërruar në barrë të rëndë për shoqërinë, duke promovuar gjuhën denigruese e të urrejtjes përmes debateve politike që tashmë janë kthyer në “mollë sherri” për jetën e qetë dhe normale të qytetarëve të Kosovës.
Tani është bërë e qartë se cilat mediume dhe cilët moderatorë po diktojnë politikat redaktuese, të cilat në vend se të promovojnë kulturën edukative e profesionale, po e shndërrojnë televizionin në arenë të qërimit të hesapeve personale dhe fizike midis të ashtuquajturve “opinionistë” e “pseudo-analistë”, që shpesh nuk janë të vetëdijshëm se po e helmojnë opinionin publik. Nuk ka dyshim se nxitësit dhe provokatorët e drejtpërdrejtë të tensioneve dhe skenave destabilizuese janë vetë këta moderatorë dhe gazetarë, të cilët mbajnë përgjegjësi para opinionit publik për acarimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore në Kosovë. Në çdo shoqëri me vlera demokratike, mjetet e informimit janë shtylla e zhvillimit të vlerave pozitive — ato duhet të afirmojnë sukseset, punën e ndershme dhe arritjet e qytetarëve e institucioneve. Media është pasqyra e një shoqërie që aspiron të ecë para, krah për krah me popujt që e kultivojnë lirinë dhe demokracinë. Por gjuha e ashpër e komunikimit, fjalori banal, kërcënimet dhe prapaskenat e mbushura me shpifje e urrejtje, po shkaktojnë dëme të mëdha morale në shoqëri. Këto sjellje po shkelin vlerat njerëzore, etike e tradicionale të popullit shqiptar, të kultivuara për shekuj me radhë. Pamjet që po servohen çdo ditë para qytetarëve jo vetëm që nuk kanë asgjë të përbashkët me profesionalizmin medial, por përkundrazi — përbëjnë një realitet të neveritshëm që ndikon negativisht në formimin e personalitetit të gjeneratës së re. Rinia jonë ka nevojë për media që edukojnë, që frymëzojnë, që hapin rrugë drejt dijes e zhvillimit personal, jo për skena konflikti dhe spektakle urrejtjeje. Lajmet sensacionale janë si “helm” që godet mendjen dhe shpirtin e qytetarit, duke shkatërruar besimin në informim të drejtë e të paanshëm. Përkundër kësaj gjendjeje të mjerueshme, disa mediume që kanë shkelur vazhdimisht kodet e etikës profesionale vazhdojnë të ankohen se “nuk kanë” liri të mjaftueshme dhe akuzojnë qeverinë për ndërhyrje në lirinë e shprehjes. Por në asnjë shtet demokratik në Botë, media nuk gëzon “liri të pakufizuar”.
Fjala publike duhet të jetë e bazuar në burime të sakta, me përgjegjësi morale e profesionale e ligjore, pa fyerje, shpifje apo tendenca me prapavijë politike. Shtrohet pyetja: Cili televizion në Kosovë është mbyllur për devijime programore? Cili gazetar apo redaktor është mbajtur përgjegjës për shkelje etike apo nxitje të urrejtjes publike? Për fat të keq, askush. Kjo situatë alarmante kërkon reagim urgjent institucional. Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet të ndërhyjnë me reforma ligjore në sektorin medial, duke krijuar mekanizma që ndalojnë këtë kaos informativ dhe shkatërrimin moral të shoqërisë. Nëse kjo nuk ndodh, nuk do të jetë çudi që në ekranet tona televizive të shfaqen skena të ngjashme me duelet e boksit — një metaforë e dhimbshme për mjerimin kulturor të një gjenerate mediatike që po manipulon dhe mashtron popullin.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
