Qarri: Qeveria dhe ministrja Rozeta Hajdari nuk kanë vjedhë as nuk ia kanë falur askujt paratë e Kosovës

Qarri: Qeveria dhe ministrja Rozeta Hajdari nuk kanë vjedhë as nuk ia kanë falur askujt paratë e Kosovës
Qarri: Qeveria dhe ministrja Rozeta Hajdari nuk kanë vjedhë as nuk ia kanë falur askujt paratë e Kosovës

Gani Qarri

  • 20 November 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Në fakt Qeveria as ministrja Rozeta Hajdari nuk kanë vjedhë as nuk ia kanë falur askujt paratë e Kosovës, përkundrazi pikërisht për shkak të mos përmbushjes së kontratës dhe dëmit prej 600 mijë eurove që i është shkaktuar vendit, sipas "Betimit për Drejtësi", Avokatura Shtetërore e Kosovës më 2 gusht të vitit 2023 ka ushtruar padi penale ndaj kompanisë së grurit “Yafe Turizm Insaat” nga Turqia dhe kompanisë së vajit “Xanto SP.Z.O.O” nga Polonia, prandaj habit fakti se si Prokuroria Speciale më 18 gusht qysh në orën 6 të mëngjesit ndërmori aksionin e bastisjes në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ndërsa më 19 gusht 2023 Gjykata Themelore në Prishtinë aprovoi me urgjencë vendimin e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit, kurse tani është ngritur aktakuzë edhe kundër ministres Rozeta Hajdari në vend se të pritej vendimi i gjykatës pranë së cilës Kosova ka ngritur padi penale, akt që e bën rastin të duket si i parapërgatitur enkas dhe krijon dyshime të mëdha se po bëhet një lojë meskine, e nxitur nga mafia politike në Kosovë.

 

 

 

-Në anën tjetër, për qindra vrasje të pasluftës, as pas kalimit të dy dekadave, nuk ka asnjë aktakuzë, nuk është mbajtur asnjë gjykim, e për aq më keq, deri më tani asnjë autor i vetëm nuk është zbuluar, pa harruar këtu rastin famoz “Toka”, keqpërdorimin e 53 milion eurove nga Pal Lekaj & Co etj., që edhe sot e kësaj dite nuk ka një aktgjykim përfundimtar, e të gjithë të akuzuarit vazhdojnë ta quajnë veten të pafajshëm dhe askush nga ata ende nuk ka marrë dënimin për këtë vepër të rëndë penale.

Prandaj Rozeta Hajdari, e cila u akuzua për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare për sigurimin e rezervave shtetërore në vitin 2022, duhet të ketë arsye të forta që është kaq e bindur se padia ndaj saj është ngritur me të pavërteta nga Prokuroria Speciale, edhe për faktin se sipas saj, të gjitha provat që Prokuroria Speciale i ka mbledhur për ngritje të aktakuzës janë marrë në mënyrë të kundërligjshme, që për rrjedhojë lind edhe pyetja e patejkalueshme, se a thua ishte kjo prokurori sa duhet dhe tamam speciale, edhe kur tërhoqi aktakuzën ndaj Millan Radojçiqit, apo Blerim Isufaj kreu veprim të kundërligjshëm dhe nuk u mor në përgjegjësi për veprimin e tij kurrë.

Në fakt në vend të aktakuzës së nxituar ndaj ministres Rozeta Hajdari, vet kryeprokurori i Prokurorisë Speciale do duhej që moti të ishte dënuar dhe në vuajtje të dënimit për tërheqjen e aktakuzës ndaj kryeterroristit serb Millan Radojçiq, i cili përveç akteve të vazhdueshme kriminale mbi një dekadë në veri dhe agresionit terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjë të Zveçanit, ku u vra edhe polici tani hero i Kosovës Afrim Bunjaku, në vijimësi kryen provokime kundër shtetit tonë duke vazhduar t’i terrorizojë, plagosë e kidnapojë edhe sot qytetarët e Kosovës, siç ndodhi së fundi me rastin e qytetarit serb Milan Vukashinoviq, pjesëtar i Agjencisë Kosovare të Sigurimeve dhe doganier në pikën kufitare në Jarinje, i cili më 1 nëntor 2025 u plagos dhe u kidnapua brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe, sulm që rrezikon paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe mbarë rajonin.

Për aq më tepër, aktakuza bëhet shumë qesharake edhe për faktin se sipas po kësaj prokurorie, një ministre si Rozeta Hajdari rrezikuaka veten, imazhin personal, karrierën e saj politike dhe dëmtuaka edhe buxhetin e shtetit “me dashje”, për t’u siguruar përfitim jo vetes, por personave të tretë a të katërt, me procedurën e sigurimit të rezervave shtetërore të mallrave gjatë muajit shkurt dhe mars të vitit 2022, gjë që vërtetë tingëllon shumë absurde.

Kështu që edhe nëse në kohë krize si viti 2022, kur pandemia bënte kërdinë në gjithë botën, kishte mangësi të theksuar të mallrave në tregun ndërkombëtar, një sasi vaji u ble në Poloni dhe një sasi gruri në Turqi, as njërën as tjetrën nuk i shoh si kurrfarë gabimi, por vetëm si veprim me urgjencë në kohë pandemie, kur kishte kufizime të mëdha për çdo gjë, për vet faktin se Polonia është shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe vend që e ka njohur Kosovën, siç nuk e shoh gabim as blerjen e grurit në Turqi, derisa edhe me Turqinë Kosova ka marrëdhënie në fushë të gjerë ekonomike, tregtare dhe ushtarake, e nëse vaji dhe gruri i porositur nuk kanë arritur në Kosovë siç është paraparë në marrëveshje, duhet t’i jepet mundësia gjykatës përkatëse ku Kosova ka ngritur padi, që të dalë me vendimin përfundimtar të kësaj çështjeje të thjeshtë dhe aspak delikate, prandaj të ndërmerren veprime në qoftë se ka arsye.

Përndryshe, ashtu siç shprehet edhe ministrja Hajdari, rrezikimi i sigurisë shtetërore është bërë nga vetë PSRK gjatë hetimit të rastit, derisa një pjesë e grurit, vajit dhe sheqerit, të cilat ishin paguar paraprakisht nga Qeveria e Kosovës, por nuk kanë ardhur në Kosovë ashtu siç ishte kontraktuar në marrëveshje. Për dëmin prej 600 mijë eurove që me këtë rast i është shkaktuar vendit, sipas "Betimit për Drejtësi", Avokatura Shtetërore e Kosovës më 2 gusht të vitit 2023 ka ushtruar padi penale ndaj kompanisë së grurit “Yafe Turizm Insaat” nga Turqia dhe kompanisë së vajit “Xanto SP.Z.O.O” nga Polonia, prandaj pasi u shtrua padia penale ndaj kompanive turke dhe polake që nuk e përmbushën kontratën me ministrinë përkatëse të Kosovës, do duhej pritur vendimi i gjykatës, por ndodhi e kundërta, që vërtetë habit shumë, se si Prokuroria Speciale më 18 gusht qysh në orën 6 të mëngjesit nisi aksionin e bastisjes në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ndërsa më 19 gusht 2023 Gjykata Themelore në Prishtinë aprovoi me urgjencë vendimin e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit, akt i parapërgatitur enkas, që vërtetë krijon dyshime se me këtë rast po luhet një lojë meskine, e nxitur nga mafia politike në Kosovë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".