Partitë në Kosovë për 9 muaj me radhë dëshmuan para të gjithë qytetarëve se vetëm politikë nuk dinë të bëjnë

Partitë në Kosovë për 9 muaj me radhë dëshmuan para të gjithë qytetarëve se vetëm politikë nuk dinë të bëjnë
Partitë në Kosovë për 9 muaj me radhë dëshmuan para të gjithë qytetarëve se vetëm politikë nuk dinë të bëjnë

Gani Qarri

  • 26 November 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Nuk është data e zgjedhjeve ajo që përcakton fituesin e zgjedhjeve, por vendimtare është mbështetja e elektoratit në kutinë e votimit, ditën që mbahen zgjedhjet parlamentare, ndaj partitë politike të cilat u kanë shkaktuar kaq shumë dëm qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, nuk mund ta bëjnë fajtore datën, as Presidenten e vendit për caktimin e ditës së zgjedhjeve, përkundrazi ato duhet t`ia vejnë gishtin kokës dhe të reflektojnë thellë, për bëmat e tyre që nga çlirimi e këndej, e veçanërisht për inskenimet teatrale në 9 muajt e fundit, duke lënë vendin pa institucione legjitime, pa buxhet të miratuar, pa votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, pa miratim të buxheteve komunale dhe 700 punëtorë të Televizionit-publik pa paga.

-Presidentja e vendit Dr. Vjosa Osmani datën e 28 dhjetorit, ashtu siç e ka sqaruar në mënyrë publike edhe ajo vet, e ka shpallur vetëm si kompromis politik dhe assesi si vendim që favorizon një bllok të caktuar partish, duke pasur parasysh edhe faktin se votuesi i Kosovës, voton sipas bindjes së vet personale dhe jo bazuar në datat e mbajtjes së votimit, ngase në cilëndo datë bëhet vetëm hedhja e votës personale në kutitë e votimit, e jo vendosja e fatit të partive politike, përmes fallit dhe tërheqjes së letrave të lojës "Tarot"!

Në realitet opozita duhet ti frikësohet shumë faktit se përkundër nevojave jetike të vendit dhe thirrjeve të pareshtura të faktorit ndërkombëtar dhe vet BE-së, nuk ka marrë pjesë as në votimin e buxhetit të shtetit dhe as në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, pra bojkotimi i kësaj natyre të paprecedent i PDK-s, LDK-s, AAK-s, e Nisma-s, të cilat serish u bënë bashkë me të ashtuquajturën "listë serbe" kundër interesave jetike të qytetareve dhe shtetit të Kosovës, duhet ti frikësoj fort ato, sepse përveçse është akti më i dëmshëm politik në një fazë kaq urgjente buxhetore siç ndodhet Kosova, është edhe veprimi më i rëndë anti-shtet, në gjithë periudhën e pasçlirimit të Kosovës nga Serbia, pas votimit të "zajednicës" një etnike serbe, faljes së tokave të Kosovës, vendeve hegjemoniste fqinje dhe formimit të Gjykatës Speciale, akte që në çfarëdo rrafsh-perceptimi, shkojnë deri në tradhti të hapur shtetërore.

Në anën tjetër partitë aktuale në vend, për 9 muaj me radhë dëshmuan publikisht para të gjithë qytetarëve, se vetëm politikë nuk dinë të bëjnë, andaj duke qenë se pikërisht shkaku i mosdijes së tyre për politikbërje të njëmendtë, Kosova po detyrohet pa asnjë nevojë, të shkojë në zgjedhjet e 4-ta, me radhë brenda një afati vetëm 10 mujor, derisa siç dihet mirëfilli, gjatë gjithë kësaj kohë është bërë vetëm fushatë e ulët partiake, pa u ndërmarrë asnjë veprim serioz për krijimin e të gjitha institucioneve legjitime shtetërore, të dala nga zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.

Edhe periudha mbi 9 mujore, është keqpërdorur vetëm për denigrime politike dhe fushatë të pashpallur zgjedhore, ndaj KQZ për zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme parlamentare, me të drejtë ka kufizuar afatin e fushatës vetëm në 12 ditë, me fillim nga 17 dhjetori, deri më 28 dhjetor, e që nisur nga përvoja e deritanishme, serish pritet vetëm një fushatë e zbehtë dhe shumë e mangët në shfaqjen e ideve, programeve përmbajtjesore dhe projekteve të përparuara zhvillimore, pa përjashtuar tendencat provinciale të shfryrjes së inateve primitive, personale e grupore ndërmjet partive amorfe, të cilat siç e ceka më lartë, në 9 muajt e kaluar, na kanë bindur të gjithëve, se vetëm politikë të mirëfilltë në kuptimin e plotë të fjalës, asnjëra nuk dinë të bëjnë.

Kompetenca e caktimit të datës së zgjedhjeve i takon të parës së vendit, jo partive opozitare as asaj në pozitë, andaj nuk ka vend për arsyetim dhe as nuk mundet vendimi i Presidentes dr. Vjosa Osmani, për shpalljen e datës së zgjedhjeve me 28 dhjetor e jo me 21 dhjetor, të trillohet si argument arsyetimi, për opozitën në rast se ajo i humb zgjedhjet parlamentare, kur dihet mirëfilli nga të gjithë se opozita më së shumti duhet t`ua ketë frikën, veprimeve të saj anti-shtet, në union me të ashtuquajturën " listë serbe", që janë akte shumë të rënda dhe skajshmërisht skandaloze të cilat bien thellësisht ndesh edhe me interesat jetike të qytetarëve dhe interesin madhor të shtetit të Kosovës.

E për aq më keq, sjelljet e ngjashme nga opozita e inkriminuar pritet të përsëriten edhe pas zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, ndaj qytetari i Kosovës, kësaj radhe duhet të tregohet shumë më i kujdesshëm, ti ketë fort parasysh të gjitha këto veprime denigruese dhe ta jap votën me shumë vëmendje, vetëm aty ku duhet, sepse kjo është edhe në interesin jetik të vet qytetarëve, sigurinë nacionale të vendit, garantimin e qëndrueshmërisë së shtetit tonë të ri dhe mbarëvajtjen e Republikës së Kosovës, në këto kohë të trazuara të politikës botërore.

Ndryshe fatkeqësia për Kosovën, ka rrezik të riprodhohet serish nga një opozitë si kjo me traditë për aventura antishtetërore, e cila përveç debateve të egra kundërshtuese dhe sulmeve të vazhdueshme banale kundër kryeministrit në detyrë, me shpresën se qytetarët nuk dinë ti kuptojnë akrobacionet e opozitës, dhe pa asnjë argument mund ta bëjnë përgjegjës kryeministrin Kurti, përveç mosvotimit të buxhetit, partitë opozitare në unison-nuk votuan as marrëveshjet ndërkombëtare, andaj në këto zgjedhje opozita, fillimisht duhet ti arsyetojë para qytetarëve veprimet e saj, për mosvotimin e buxhetit duke rrezikuar funksionalitetin e shtetit dhe gjendjen financiare në kohë dimri, të qytetarëve të Kosovës, me tendencën për nxitjen e problemeve sociale si dhe mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me qëllimin kobëzi që pas faljes së mbi 10 mijë hektarëve të tokave tona autoktone, ta varfërojnë edhe më tepër Kosovën dhe një pjesë e konsiderueshme e mbi 1.1 miliardë eurove të ndara nga mjetet e BE-së dhe të Bankës Botërore për Kosovën, ti shkojnë Serbisë dhe vendeve tjera hegjemoniste fqinje.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".