Zgjedhjet e jashtëzakonshme, janë një 'gjyq' publik për ca parti dhe liderë!
Fadil Maloku
Nga Fadil Maloku
Çështja e zgjedhjeve, caktimi i datës dhe organizimi i tyre zakonisht nuk është thjesht një procedurë teknike, por edhe një lloj testi për të matur nivelin e emancipimit tonë politik, atmosferën e besimit në karizmat dhe subjekte të ndryshme politike. Natyrisht, nuk duhet harruar as funksionaliteti dhe aftësia për të menaxhuar institucionet e shtetit gjatë gjithë procesit zgjedhor — parametra këto që nuk mund t’i anashkalojë asnjë shtet që pretendon të ketë një demokraci substanciale.
Megjithatë, duke pasur parasysh se në Kosovë po kultivojmë një demokraci proceduriale, siç e dëshmojnë shumë ankesa në Gjykatën Kushtetuese, duhet shqyrtuar edhe opsioni i ndryshimit të Kushtetutës aktuale. Kushtetutë kjo që, për kohën në të cilën jetojmë, pa asnjë dyshim është bërë “një këmishë” e ngushtë për proceset dhe zhvillimet dinamike në të gjitha sferat e jetës — sociale, politike, ekonomike, kulturore dhe ushtarake.
Nga prizma juridike, Kushtetuta e Kosovës i ngarkon Presidentit përgjegjësinë për caktimin e datës së zgjedhjeve, ndërsa Komisionit Qendror të Zgjedhjeve detyrën për organizimin e tyre. Kjo ndarje strikte kompetencash është thelbësore për ruajtjen e pavarësisë institucionale dhe për të parandaluar ndërhyrjet politike në proces.
Nga prizma politike, zgjedhjet nuk janë vetëm procedurë formale; ato shërbejnë edhe si një kriter për të matur cilësinë e përfaqësimit dhe natyrën e delegimit të interesave qytetare. Rreziku që ato të shndërrohen në mekanizëm mbijetese për elitë dhe sidomos lider, dhe jo për rinovim të legjitimitetit, është gjithmonë prezent në demokracitë e brishta si kjo e jona.
Nga këndvështrimi sociologjik, zgjedhjet janë edhe një ritual i besimit qytetar ndaj shtetit. Kur ky besim luhatet, madje edhe humbet, shfaqen apatia dhe polarizimi midis subjekteve politike që gjenden në skenën publike. Në këtë rast, politika si diskurs publik që duhet të demonstrojë fuqinë dhe ndikimin e saj mbi qytetarët rrezikon të shndërrohet në profesion për një pakicë, në vend që të mbetet instrument i shumicës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
