
Lexoni edhe:
Kur çështjet politizohen tepër humbet arsyeja dhe racionaliteti
Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi
Përplasjet politike pozitë-opozitë vazhduan edhe për caktimin e datës së zgjedhjeve. Në këto divergjenca rreth datës së mbajtjes së zgjedhjeve fshihen interesat e dy blloqeve. Unë mendoj se, në këtë kontekst, opozita i kundërshton caktimin e datës së zgjedhjeve për 28 dhjetorin nga presidentja, Vjosa Osmani. Mendoj se kjo datë është e favorshme për të gjitha partitë politike, pasi u jep atyre pak më shumë kohë për t’u përgatitur. Por, duket se ekziston një problem këtu. PDK, LDK dhe AAK, nëse nuk paragjykojmë, nuk e deshiruan datën e 28 dhjetorit, për faktin se kjo mund të ulin mundësinë e pjesëmarrjes së mërgatës në votime, e cila mund të konsiderohet një votë shumicë për LVV-në. Nëse ata kërkojnë zgjedhje, duke mos dëshiruar të futen në koalicion me LVV-në për të formuar qeverinë, atëherë dihet se kjo është një sfidë e re: kush do të dalë fitues i garës zgjedhore.
Kur çështjet politizohen tepër humbet arsyeja dhe racionaliteti
Lexoni edhe:
-Një javë më shumë, duke u parë nga këndi i përgatitjeve të të gjitha partive politike për zgjedhje, është një datë e mirë për të gjithë. Ne dimë sa shumë u vonuan zgjedhjet lokale, dhe KQZ-së ende i kanë mbetur disa punë të papërfunduara. Edhe nga ky kënd, më duket se presidentja Osmani ka vendosur për datën 28 dhjetor.
Tjetra, qytetarët tashmë janë lodhur nga kriza politike dhe institucionale që ka zgjatur për dhjetë muaj me radhë dhe, sado pak, kanë nevojë për të marrë energji të reja për të dalë në votime, edhe pse shumica janë demoralizuar nga ngjarjet e pahijshme deri tani, ku nuk u gjet një forcë që të krijonte një front të përbashkët politik për të hyrë në koalicion me LVV-në. Procesi u zgjat gjatë me motivimin se nëse LVV-ja nuk gjen partnerë për të formuar qeverinë, do të detyrohej të lëshonte vend opozitës që ajo të formonte qeverinë. Kjo nuk ndodhi, për shkak se LVV-ja ishte fituese e zgjedhjeve dhe gjithmonë i bëri thirrje LDK-së për të formuar qeverinë së bashku.
Unë mendoj se LDK-ja nuk do të kishte humbur asgjë, por do të kishte fituar politikisht. Qëndrimi i një subjekti politik në opozitë e dobëson atë në elektorat, kjo më duket se është një rregull i pashkruar. Nëse nuk del fituese e zgjedhjeve, por mbetesh në margjina të politikës vendimmarrëse, shumë gjëra nuk janë në rregull në atë parti. LVV-ja ka krijuar tashmë një përparësi, sepse është në pushtet dhe natyrisht ka treguar edhe rezultate të prekshme, dhe kjo e forcon pozitën për të dalë fituese edhe në zgjedhjet e ardhshme kombëtare.
Nuk dua të prejudikoj me shifra nëse do të jetë ky një lloj referendumi i dytë për LVV-në, duke pasur parasysh se shumica e mërgatës mendohet se do t’ia japin votën, por megjithatë gjasat më të mëdha për fitore i ka LVV-ja. Edhe një gjë kur jemi këtu: qytetarët e demoralizuar, vazhdimisht nga lojërat politike, mund të mos i përgjigjen daljes masive në zgjedhje, ashtu si ndodhi edhe në zgjedhjet e sapo mbaruara lokale. Mosdalja ose dalja e vogël ndryshon gjithçka kur bëhet fjalë për rezultatet zgjedhore. Iritimi është i madh, por gjithashtu interesi i Kosovës për të dalë masivisht në zgjedhje është i madh. Mosdalja do të ishte një dëm i rëndë për demokracinë.
Realisht, duke e parë situatën pas ngjarjeve të krizës politike, është vështirë që LVV-ja të dalë fituese absolute e zgjedhjeve për të formuar qeverinë pa ndihmën e opozitës. Prandaj, shtrohet nevoja për të gjetur një model të ri, pasi që të kemi rezultatet përfundimtare, në mënyrë që të mos vazhdojmë më me kriza të tilla, të cilat, mendoj unë, do të ishin varri i Kosovës. Duhet që çdo subjekt politik të sakrifikojë diçka, në të mirë të proceseve që po na presin, dhe të merren parasysh humbjet e mëdha të ndihmave financiare nga jashtë, dhe nga brenda kemi mbetur pa miratuar buxhetin, ku shumë kategori mund të mbeten pa paga.
Ka pasur mundësi që kjo të zgjidhej përmes komisioneve parlamentare, duke treguar vullnet më të madh që buxheti për vitin 2026 të votohet. Zgjedhjet e 28 dhjetorit janë zgjedhje për Kosovën. Përndryshe, nëse vazhdohet me avazet e vjetra të krizave politike dhe institucionale, punët në të gjitha planet do të shkojnë shumë keq.
Për fund, dua të theksoj se këto zgjedhje duhet të prodhojnë kuadro të reja politike, diçka që është vështirë të besohet, kur dihet se zgjedhjet jashtëzakonisht të afatizuara për 40 ditë, lënë pak mundësi për të ndryshuar diçka në këtë drejtim.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".