120 deputetët e Kosovës pa bërë asgjë morën pagat dhe mëditjet që arritën mbi 1,515,490 euro

120 deputetët e Kosovës pa bërë asgjë morën pagat dhe mëditjet që arritën mbi 1,515,490 euro
120 deputetët e Kosovës pa bërë asgjë morën pagat dhe mëditjet që arritën mbi 1,515,490 euro

Qani Shabani

  • 03 December 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani

Legjislatura e lX e Kuvendit të Kosovës, e cila zgjati nga 19 prilli deri më 20 nëntor 2025, nuk miratoi asnjë ligj gjatë 7 muajve dhe pengoi funksionimin normal të institucioneve përmes një bllokade të gjatë politike. Përkundër mungesës së aktivitetit, 120 deputetët morën pagat dhe mëditjet e plota, që arritën mbi 1,515,490 euro. Mesatarisht, një deputet me pjesëmarrje minimale në seanca mori rreth 13 mijë euro për 7 muaj.

 

-Bllokada e Kuvendit tregoi një mungesë të koordinimit dhe bashkëpunimit ndërpartiak. Deputetët nuk arritën të formojnë kryesinë e Kuvendit, të votonin qeverinë dhe të miratonin ligje, duke bërë legjislaturën të pavlefshme për qytetarët. Kjo situatë tregon një mungesë përkushtimi ndaj interesit publik dhe etikës dhe dobësoi besimin e qytetarëve në institucionet demokratike. Mosarritja e marrëveshjeve për kryesinë e Kuvendit dhe votimin e qeverisë reflekton përçarje të thella politike midis partive, që bllokuan procesin legjislativ për muaj me radhë.

Nga aspekti financiar, deputetët vazhduan të marrin pagat bazë, pa punuar asgjë. Mëditjet dhe shtesat për përvojë, sipas listave të Kuvendit. Shuma mujore për 120 deputetë ishte rreth 200 mijë euro, duke përfshirë edhe mëditjet simbolike për udhëtime zyrtare jashtë vendit. Kjo tregon një disproporcion të qartë mes pagave dhe shërbimit real për qytetarët.

Nga aspekti juridik, ligji për pagat e deputetëve në Kosovë nuk i lidh shpërblimet me performancën në Kuvend, për këtë arsye deputetët e morën pagat e plota. Megjithatë, situata nxjerr në pah boshllëqet ligjore dhe etike: mungon një mekanizëm që lidh shpërblimin me performancën reale dhe nuk parashikon ndëshkime për deputetët që pengojnë funksionimin e Kuvendit.

Për të parandaluar përsëritjen e situatave të tilla, duhen marrë disa masa konkrete. Ligji i pagave duhet të riformulohet për të lidhur shpërblimin me aktivitetin real legjislativ dhe pjesëmarrjen në seanca. Duhet të vendosen sanksione për deputetët që pengojnë funksionimin e Kuvendit, duke përfshirë mundësinë e uljes ose pezullimit të pagave. Rritja e transparencës dhe kontrollit publik mbi pagat, mëditjet dhe aktivitetin e deputetëve është gjithashtu e domosdoshme. Për më tepër, duhet të krijohen mekanizma ligjorë që lejojnë shpërndarjen e legjislaturave që nuk funksionojnë, për të shmangur precedent negativ dhe për të mbrojtur interesin publik.

Situata e legjislaturës së lX është një shembull i qartë i disproporcionit mes privilegjit financiar dhe përgjegjësisë publike. Politika, financat dhe ligji tregojnë se deputetët përfituan shumë, ndërsa qytetarët nuk përfituan asgjë. Qytetarët si taksapagues u dëmtuan rreth 1.6 milion euro. Kjo nënvizon nevojën për reforma ligjore dhe etike, që lidhin shpërblimet e deputetëve me performancën, sigurojnë transparencë dhe mbrojnë interesin publik.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".