Kur pushteti partiak shndërrohet në pronë private

Kur pushteti partiak shndërrohet në pronë private
Kur pushteti partiak shndërrohet në pronë private

Zef Prenka

  • 05 December 2025 - 13:34

Shkruan: Zef Prenka

Nuk ka asgjë më të dëmshme, më të pandershme dhe më pak njerëzore sesa keqpërdorimi i pozitës që ta beson anëtarësia e një subjekti politik. Aty fillon degjenerimi i çdo organizate – kur të zgjedhurit harrojnë se nuk janë pronarë, por shërbyes; nuk janë padronë, por përfaqësues të një vullneti shumë më të madh sesa interesi i tyre personal apo i një grupi të vogël që zë vend në kryesi apo në Këshillin e Përgjithshëm.

Në momentin kur elita partiake angazhohet për pazare private, ndërsa baza nuk pyetet më, atëherë kemi të bëjmë me një sëmundje të rëndë të brendshme – një deformim që e largon partinë nga rrënjët e saj, nga programi, nga bindja ideologjike, nga vetë njerëzit që e mbajnë gjallë.

Edhe më skandaloze është situata kur anëtarësia ngre zërin me të drejtë – kundër vendimeve ad hoc, kundër kthesave të papritura që përplasën orientimin themelor të subjektit (qoftë i majtë apo i djathtë), kundër koalicioneve të pakonsultuara me elektoratin – dhe pikërisht ata anëtarë që mendojnë për të mirën e partisë shpallen “prishës rehatie”.

Në vend që të dëgjohen, ata stigmatizohen.

Në vend që të respektohen, shpallen problem.

Pyetja shtrohet vetvetiu:

Kur anëtarësia heshtet, kur vendimet merren nga pak njerëz të privilegjuar, kur kritika përndiqet dhe jo dëgjohet… a quhet kjo uzurpim i partisë?

Përgjigja është po.

Dhe është një po që tingëllon rëndë.

Sepse në momentin kur një subjekt politik humb mekanizmin e brendshëm demokratik, ai pushon së qeni parti. Shndërrohet në një rreth të ngushtë interesash, në një sistem të mbyllur ku pushteti ndahet si plaçkë lufte, jo si përgjegjësi ndaj popullit.

Ky është alarmi i vërtetë. Ky është lajm “bombë”.

Jo sepse dikush e thotë me zë, por sepse ndodh para syve të të gjithëve.

Kjo është ( figurativisht ), si pemba që fillon të thahet: i bien gjethet, stërkeqet degëve dhe thahet.

Por,kjo nuk quhet kulturë politike?!

Dhe çdo anëtar i ndershëm ka jo vetëm të drejtën, por detyrën ta thotë:

Partia nuk është pronë! As e kryesisë, as e Këshillit, as e askujt tjetër veç anëtarësisë.

Nëse kjo e vërtetë harrohet, atëherë dikush tjetër ka zënë vendin e demokracisë, pra uzurpatori i brendshëm.

Dhe ky është rreziku më i madh për çdo subjekt politik që pretendon të mbrojë interesin publik.

Pastaj pason goditja finale e problemit.

Kur një parti politike bie në atë gjendje që njerëzit zgjidhen shumë lehtë në krye, me procedura të mjegullta, shpesh pa debat real dhe pa garë të drejtë — dhe pastaj askush nuk mund t’i shkarkojë më, atëherë kemi kaluar në një fazë krejt tjetër të patologjisë politike.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".