Legjislatura e IX e Kuvendit të Kosovës do të mbahet mend si një prej periudhave më të zeza
Isuf Bajraktari
Shkruan: ANALISTI-Isuf Bajraktari
Legjislatura e IX e Kuvendit të Kosovës do të mbahet mend si një prej periudhave më të zeza të përfaqësimit politik. Shtatë muaj të tërë pa asnjë ligj, pa Qeveri, pa kryesi funksionale, por me 7 paga të plota për secilin deputet. Mbi 1.5 milion euro u shpenzuan për të mbajtur gjallë një Kuvend që funksionoi vetëm në letër, por jo në realitet.
Deputetë që u paraqitën në Kuvend për pesë minuta të numërueshme morën rreth 13 mijë euro, si të kishin kryer punën më të rëndësishme shtetërore. Nëse kjo nuk është përçmim ndaj qytetarëve dhe taksapaguesve, atëherë çfarë është?
-Pesha më e rëndë e kësaj bllokade bie mbi partinë fituese, e cila kishte mandatin, legjitimitetin dhe detyrimin për të funksionalizuar institucionet. Por ajo dështoi në mënyrë spektakolare, jo për mungesë numrash, por për mungesë aftësie politike, mungesë komunikimi, mungesë negocimi dhe, mbi të gjitha, për mungesë vullneti real për të marrë përgjegjësi.
Në vend të pjekurisë shtetformuese, ajo zgjodhi vetizolimin politik: pazare të brendshme, kalkulime të ngushta pushteti dhe një logjikë hakmarrjeje mes krahëve partiakë.
Kuvendi mbeti peng i kokëfortësisë së saj, ndërsa shteti peng i paaftësisë së saj.Dhe ndërkohë që vendi rrinte i paralizuar, pagat rridhnin pa ndërprerje në xhirollogaritë e deputetëve të saj: zero ligje, zero rezultat, por 100% pagesë. Një përqeshje e hapur ndaj qytetarëve që mbajnë mbi supe barrën fiskale të shtetit.
Edhe opozita e dikurshme nuk mund të del krejtësisht e larë. Ajo veproi më shumë si spektatore e një krize, të cilën e përdorte si kapital elektoral, sesa si forcë që synonte të stabilizonte vendin. E lexoi drejt se bllokada po e konsumonte partinë fituese, por nuk ndërmori asnjë hap serioz për të dalë nga rrethi vicioz.
Ajo luajti kartën e një opozitarizmi ceremonial, që as nuk e shtyu vendin përpara, as nuk e ndaloi paralizën e institucioneve. Një pozicion “as po, as jo” – politikisht i kalkuluar, por i varfër në vizion dhe i dobët në komunikim publik.
Megjithatë, përgjegjësia e opozitës nuk mund të barazohet me atë të partisë fituese.
Njëra nuk e pati mandatin për të udhëhequr; tjetra e pati dhe e shpërdoroi plotësisht.
Fakti që 120 deputetë nuk heqën dorë nga pagat e tyre, pavarësisht se nuk punuan asnjë ditë reale legjislative, tregon krizën e thellë të etikës politike në vend. Të kërkosh shpërblim financiar për një punë që nuk e ke bërë, dhe madje e ke pamundësuar është skandal moral i papranueshëm.
Ligjet mund t’i kenë mbrojtur financiarisht, por etikisht dhe politikisht i kanë zhveshur plotësisht.
Sepse ligji mund të ketë boshllëqe; ndërsa përgjegjësia morale nuk njeh boshllëqe.
Ky rast e bëri të qartë se Kosova nuk vuan nga mungesa e pagave për politikanët, por nga mungesa e mekanizmave që i detyrojnë ta justifikojnë pagën me punë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
