Dilema hamletiane e 28 dhjetorit: A do ta shpëtojë Kurtin tifozëria, apo do ta fundosë linçimi publik?

Dilema hamletiane e 28 dhjetorit: A do ta shpëtojë Kurtin tifozëria, apo do ta fundosë linçimi publik?
Dilema hamletiane e 28 dhjetorit: A do ta shpëtojë Kurtin tifozëria, apo do ta fundosë linçimi publik?

Fadil Maloku

  • 09 December 2025 - 10:59

Nga Fadil Maloku

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, sipas të gjitha gjasave, pritet një rivalitet — për të mos thënë një lloj ashpërsie e denigrimi — shumë më e lartë sesa ajo që kishim në zgjedhjet e kaluara nacionale, por edhe në ato lokale dhe në balotazhin që u mbajtën sivjet. Një model i ri tifozëllëku, që unë pres të ndodhë, ka të bëjë me ngritjen e intensitetit të kundërvënies së ish-bllokut opozitar ndaj atij qeveritar. Ky model sjelljeje, përveç që do të bëhet model dominues i qasjes politike, ka gjasa të shndërrohet me lehtësi në një “bellum omnium contra omnes” (“luftë e të gjithëve kundër të gjithëve”). Ku, përveç aktorëve politikë, pjesëmarrës aktiv do të bëhen tashmë edhe “ushtritë digjitale” partiake bashkë grupet militante politike që për agjendë të vetme do kenë: kompromitimin sa më të madh të rivalit politik në “sytë” e publikut të frustruar nga ngërçi i stërzgjatur në ish-Kuvendin tashmë të shpërndarë. Në një shoqëri, sikurse kjo e jona, që ende po rropatet me “ethet” e transicionit, kur i shtohet edhe simbolika e polarizimit ndërpartiak, mundësia e rritjes dhe e transformimit të tifozëllëkut politik në zgjedhjet nacionale ka shumë gjasa të shndërrohet automatikisht në një lloj identiteti të ngurtë, barrikadues, emocional, e madje edhe iracional! Them kështu edhe për shkakun se të gjitha algoritmet mediatike bashkë me rrjetet sociale kanë nisur një “betejë” denigruese qysh në fillet e ngërçit, kur secili subjekt kalkulonte të shfajsohej për atmosferën e ngecjes në konstituimin e institucioneve të reja. Ajo çka është më e rëndësishme: krejt këtë situatë polarizuese e nisën liderët partiakë me prononcimet e tyre fyese postzgjedhore dhe bashkë me deputetët dështakë, të cilët nuk arritën asessi të dalin nga “prangat” partiake.

Tifozëllëku masiv politik, si mjet dhe metodë e njohur e mobilizimit qytetar, në shoqëritë e pakonsoliduara gjithnjë është (keq)përdorur si një lloj besnikërie e pakushtëzuar për të animuar votuesin militant, ndërsa votuesi i emancipuar kërkon kryesisht llogaridhënie, përgjegjësi dhe transparencë publike. Meqë tifozëllëku politik ka prirje dhe ambicie të “prodhojë” polarizim të përhershëm, madje edhe në situata të një qetësie relative politike, zgjedhjet nacionale mund të thuhet se janë ai “eliksir” apo ai satisfaksion moralo-politik që do ta ashpërsojë ndjeshëm skenën politike kosovare. Logjika dhe fryma elektrizuese, pa asnjë dyshim, krijojnë kushte reale sociologjike që kundërshtari i deridjeshëm politik të perceptohet jo më si një rival i denjë, por si një “armik” që duhet mposhtur e stigmatizuar me të gjitha mjetet politike e mediatike.

Shumë studime të bëra në shoqëritë me traditë demokratike dëshmojnë se, pothuajse në shumicën e zgjedhjeve nacionale, argumenti racional, i shoqëruar me programe e finesa të tjera zgjedhore nga ana e subjekteve politike, pëson humbje të thella përballë retorikës emocionale dhe asaj nacionaliste. Në raste të tilla, kur qytetarët votojnë si tifozë fanatikë dhe bëhen pre e narrativave e retorikave pa mbulesë faktike e programore, vota e tyre shndërrohet në ritual identitar, jo në akt solemn racional politik. Në Kosovë, si një shoqëri me përvojë të shkurtër demokratike, tifozëllëkun politik e stimulon ende “mikrokultura fanatike”, e cila “prodhohet” dhe mirëmbahet pa hezitim nga lidhjet familjare dhe përkatësitë krahinore e fisnore. Në ambiente të tilla, liderët partiakë lokalë në mëngjes ngrihen në qiell nga tifozët dhe “ushtritë digjitale”, ndërsa në mbrëmje rrëzohen po aq shpejt, sa që me automatizëm shfaqet kriza e besimit institucional. Duke u nisur nga paradigmat e lartcekura, mund të konstatojmë se shoqëritë dhe shtetet që ngazëllehen me eufori nga tifozëllëku militant politik e kanë shumë më problem t’i ndërtojnë interesat e përbashkëta kombëtare, ngase, çdo tematikë politike fillon të interpretohet ekskluzivisht përmes “dioptrisë” partiake e ideologjike...

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".