
Lexoni edhe:
Mulliqi: Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit të gjendet një solucion politik për të formuar organet e shtetit
Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani
Shorti zgjedhor i 28 dhjetorit, që zakonisht perceptohet si një ritual teknik, këtë herë u shndërrua në një pasqyrë senzitive të partive politike në Kosovë. Numrat në fletëvotim, që dikur ishin vetëm shifra, tani janë bërë si test poligrafi: Zbulojnë frikën, ambicien, kompleksin dhe iluzionet që secila parti mban brenda vetes. Në këtë kampanjë, numrat po flasin më sinqerisht se vetë liderët!
-Albin Kurti, me retorikën e zakonshme të patosit, e shpalli numrin 116 si flamurin e “fitores më të madhe”. Por kush e njeh politikën e di se kjo është formula klasike që liderët përdorin kur u zvogëlohet komforti elektoral. Kjo nuk është shenjë force; është thirrje urgjente për oksigjen. LVV e di që 2021 nuk kthehet aq lehtë dhe se një pjesë e elektoratit urban nuk e percepton më si të vetmen hapësirë të shpresës. Retorika e fitores së madhe është përpjekja për të mbuluar një çarje të brendshme që nuk pranohet publikisht: frikën nga votuesi i heshtur se në cilën anë do të pozicionet etj . LVV do të mbetet në epërsi pas 28 dhjetorit, por realiteti politik i Kosovës është i pamëshirshëm pa një strategji koalicionimi, pa aleanca të qëndrueshme, kjo epërsi nuk garanton formimin e qeverisë.
PDK-ja, nën drejtimin e Bedri Hamzës, po e zhvillon fushatën në një nivel të dyfishtë. Nga njëra anë, Hamza paraqitet si lider i vendosur, serioz dhe i qetë simbol i stabilitetit dhe profesionalizmit në një skenë ku LVV-ja ka lënë boshllëqe. Por nga ana tjetër pjesa tjetër e komunikimit të partisë ka një ton të zakonshëm të politikës së brishtë: kritika banale ndaj rivalëve, akuza të ulta, slogane të përsëritura që nuk ndryshojnë thelbësisht perceptimin e votuesit. Kjo dyfishësi është paradoksale: Hamza përpiqet të ndërtojë imazhin e liderit të fortë, por retorika e dobët dhe sulmet e lndaj rivalëve e dëmtojnë mesazhin e tij në terren, duke e shndërruar strategjinë në diçka të paqëndrueshme. Në vend që të fuqizojë avantazhin e PDK-së, këto dy elemente kontradiktojnë njëri-tjetrin dhe rrisin konfuzionin te votuesi.
LDK, me stilin e saj tradicional të mosngutjes, po tenton ta kthejë rrënjën institucionale në kapital politik. Lista me profesionistë dhe fytyra të moderuara është një kundër-narrativë ndaj zhurmës së dy partive të mëdha. Abdixhiku nuk po kërkon të bërtasë më fort; po kërkon të duket më i besueshëm. LDK nuk po lufton për fitoren e natës së zgjedhjeve po lufton për rikthimin e identitetit të vet, të rrënuar nga vite të tëra të luhatjeve. Dhe në një vend të lodhur nga tensionet, profili i “normalitetit të qetë” mund të bëhet aset i papritur.
AAK, si gjithmonë, mbetet partia e kodit emocional të guximit dhe besnikërisë. Ramush Haradinaj nuk e ndryshon gjuhën, nuk ndryshon stilin, nuk ndryshon intensitetin — dhe pikërisht kjo e bën partinë e tij të parashikueshme. AAK është si ato fortifikimet që nuk shemben lehtë, por nuk shtrihen përtej territorit që kontrollojnë. Forca e saj është e qëndrueshme, por kufijtë e saj dihen. Nuk ka surpriza, dhe kjo është edhe virtyt, edhe pengesë.
Në tërësinë e kësaj panorame, një gjë bëhet e qartë: zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk do të përcaktohen nga mobilizimi në podiume, por nga frikërat që partitë po mundohet t’i fshehin me slogane. LVV po lufton me lodhjen; PDK po luan me dy anë — seriozitet dhe vendosmëri nga Hamza, por kritika banale dhe sulme që dobësojnë terrenin; LDK po ringjitet me durim; AAK po mbron territorin e vet.
Por triumfi i vërtetë nuk do të vijë nga sharjet, duartrokitjet e orkestruara apo videot e TikTok-ut. Ai do të vijë nga votuesit që nuk i shohim, nuk i dëgjojmë dhe nuk i ndjejmë — votuesit e heshtur. Ata nuk i pëlqejnë dramat, nuk i duan sloganet e inflamuara dhe nuk ua falin liderëve as vetëpëlqimin, as delirët e fitores.
Kosova sot nuk ka luksin të masë kush ulërin më shumë në fushatë. Ka nevojë të kuptojë kush ka argument, kush ka maturi dhe kush ka të ardhme. Dhe për LVV-në, epërsia është vetëm fillimi; qeverisja e qëndrueshme kërkon koalicionim, jo arrogancë, sepse vota e vetme nuk e mban pushtetin vetëm marrëveshjet strategjike dhe dialogu politik mund ta bëjnë këtë realitet të prekshëm.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".